Paraqitja e saj në Hyde Park nuk është vetëm e para herë që Barbra Streisand këndoi në Londër brenda gjashtë vjetësh, e informoi ajo audiencën.
Është hera e parë që ajo performoi në një shfaqje në qiell të hapur brenda 52 vjetësh, qëkur e mbajti koncertin e New Yorkut, të quajtur “A Happening in Central Park”, emër ky që supozohet t’i jetë dhënë më shumë për shkaqe elegance e mode sesa ngjashmërie me ngjarjet e tjera që zhvilloheshin përgjatë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Verën e Dashurisë: zor se mund të merret me mend ndokush tek bredh nën ndikimin e LSD-së dhe tund vrullshëm rruazat e dashurisë teksa Streisandi i këndon vargjet e “Happy Days Are Here Again”.
Ajo, mbi të gjitha, ishte ylli shpërthyes i “The Other 60s”, kur Broadwayi u pushtua prej saj sikur “Beatles”-at të mos ndodhnin kurrë, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Ajo ishte një “e çmendur e vogël” që di të bëjë shumëçka: të këndojë, aktrojë dhe ta argëtojë audiencën me humor hebraik mes këngësh.
Pas gjashtë dekadash, me këtë të fundit i duhet pak ndihmë. Një teleprompter gjigant nuk shërben vetëm për tekste këngësh, por edhe për germëzimin e ndonjë anekdote skene, përfshirë udhëzimet edhe se kur i duhet ta përdorë theksin britanik; ani pse komentet e saj spontane nuk janë fort spontane, së paku janë qesharake: “Shoferi im më pyeti nëse kisha shkuar dje në Paradën e Krenarisë. Pse do të shkoja? E di se do t’i shihja të gjithë sonte këtu”.
Përgjatë viteve, ajo flirtoi me muzikën pop, ndonëse juve akoma ju krijohet përshtypja se nuk është kjo rryma që i fle në zemër.
Sonte, ajo i përmbledh të gjitha – koverin e saj “Stoney End” të Laura Nyros, duetin goditës me Donna Summerin në “No More Tears (Enough is Enough), këngët që Barry Gibbi i shkroi për albumin e saj fantastik të 1980-s “Guilty” – në një kompilim të shkurtër, i cili i jep më shumë kohë për ta kënduar “Silent Night”. Kjo është një këngë goxha e çuditshme për t’u kënduar në mes të korrikut, ama, siç mund ta dijë akëcili që e njeh të sipërpërmendurin “Happening in Central Park”, ajo e ka një shprehi të të lansuarit të këngëve jashtësezonale: e ka kënduar aty edhe “Silent Night”.
Edhe
Rihanna i rikthehet skenës gjatë koncertit të Jay-Z
Mund të argumentonit se kjo është dëshmi se ajo vazhdon të jetë një brend për rreth gjysmë shekull: akoma e çmendur pas kaq shumë vitesh.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)