Me koreografi të Panajot Kanaçit e rivënie në skenë nga Alisa Gjoni, “Halili dhe Hajria” pos festës ka kthyer para në kohë gjeneratën e parë të balerinëve që kishin luajtur atë në fund të viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Festa e BKK-së, të dielën mbrëma, është shënuar duke kujtuar e nderuar kontributdhënësit kryesorë e duke kërkuar kushte më të mira. Në skenë madhështore sa i përket përmasave dhe ndriçimit, përballë publikut më të numërt që ka pasur ndonjëherë një shfaqje baleti në vend, BKK-ja të dielën mbrëma ka rrumbullakuar jubileun e 50-vjetorit të themelimit
Kur Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka nisur interpretimin e veprës së mjeshtrit Tish Daia, sytë e publikut janë përqendruar në skenë për të parë një version të “Halilit dhe Hajrisë”, baletit të parë shqiptar. Me kostume që paraqitnin veshjet tradicionale shqiptare, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës ia kanë mësyrë skenës në sallën “1 Tetori” duke rrumbullakuar 50 vjet të institucionit të tyre. Në gala mbrëmjen kremtuese, ata i kanë dhuruar publikut një spektakël që shkonte përtej shfaqjes së baletit.
Me koreografi të Panajot Kanaçit e rivënie në skenë nga Alisa Gjoni, “Halili dhe Hajria” pos festës ka kthyer para në kohë gjeneratën e parë të balerinëve që kishin luajtur atë në fund të viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Festa e BKK-së, të dielën mbrëma, është shënuar duke kujtuar e nderuar kontributdhënësit kryesorë e duke kërkuar kushte më të mira.
Në skenë madhështore, sa u përket përmasave dhe ndriçimit, përballë publikut më të numërt që ka pasur ndonjëherë një shfaqje baleti në vend, BKK-ja të dielën mbrëma ka rrumbullakuar jubileun e 50-vjetorit të themelimit. Përtej shfaqjes e cila ka bashkuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjim të Gridi Krajës, balerinët e Teatrit të Operës dhe Baletit nga Tirana e anëtarët e BKK-së, mbrëmja ka bërë që historia e një gjysmë dekade të shpërfaqet në secilin detaj.
Në të dy anët e skenës, nëpërmjet fotografive, janë përkujtuar anëtarët e gjeneratës së parë të balerinëve që nuk jetojnë më. Midis tyre edhe rithemeluesi i këtij institucioni pas luftës, Ahmet Brahimaj.
Pas versionit të inskenuar të “Halilit dhe Hajrisë”, në skenë janë ngjitur balerinët e vegjël, e disa anëtarë të gjeneratës së parë u janë ofruar atyre në rolin e mësuesve duke shënuar bashkimin e tri gjeneratave si shenjë e traditës së baletit në vend.
Kosova që sa kishte nisur ta merrte veten brenda ish-Jugosllavisë, më 1968 do të dërgonte 25 të rinj në Shkup për t’i shkolluar për balet. Më 1972, Teatri Popullor Krahinor do të bëhej me Trupë Baleti. Për dy dekada, Trupa kishte realizuar disa shfaqje e paraqitje në rajon. Më 1991 do të ndiqeshin nga masat e dhunshme të Serbisë për t’u kthyer prapë më 1999. Me insistimin e Ahmet Brahimajt, është edukuar një gjeneratë e re dhe e drejtuar prej tij, ka çuar Baletin Kombëtar të Kosovës në disa qendra evropiane si dëshmi e traditës dhe e talentit të artit të lëvizjes.
Krejt kjo histori është bashkuar të dielën mbrëma në skenë e po ashtu edhe në fjalimet e mbajtura.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se janë plot 50 vjet punë e sakrificë për ndërtimin dhe zhvillimin e institucionit primar të baletit në Republikën e Kosovës. Sipas tij, bëhet fjalë për një rrugëtim aspak të lehtë por të mbushur me krenari, sfida të panumërta, përkushtim vetëmohues e shumë dashuri për artin e lëvizjes.
“Që nga themelimi me brezin e parë BKK-ja ka korrur suksese të njëpasnjëshme. Shfaqjet e BKK-së janë mirëpritur nga publiku kosovar, por edhe nga shumë teatro të tjera ku janë paraqitur”, ka thënë ai.
Sipas Çekut, me gjithë vështirësitë infrastrukture vazhdon të jetë i pandalshëm dhe i pashtershëm shpirti krijues dhe performues i institucioneve të artit dhe i të gjithë artistëve të vendit.
“Angazhimi institucional për përmirësimin e infrastrukturës kulturore do të jetë i vazhdueshëm. Përderisa ndërtesa e Teatrit Kombëtar është në proces rinovimi dhe po krijojmë hapësira alternative pune e koncerti për Filharmoninë e Kosovës, paralelisht po zhvillohet procesi ndërkombëtar për projektimin dhe ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit, shtëpia e përbashkët që do t’i akomodojë artet skenike të Kosovës”, ka thënë Çeku.
Në emër të gjeneratës së parë të balerinëve kosovarë, Elez Nikçi ka thënë se bëhet fjalë për një rrugë të gjatë e me shumë sfida. Sipas tij, ata e dinin se çarë po bënin e po ashtu çfarë donin.
“Sot e themi me bindje se qëllimi ynë ishte artistik, por edhe shtetëror”, ka thënë Nikçi i cili më 1979 kishte rolin e Halilit në shfaqjen “Halili dhe Hajria”. Ka thënë se në 50 vjet jetë secili prej gjeneratës së parë ka vendosur nga një tullë për të ndërtuar folenë e Baletit.
Disa herë ka përmendur faktin se institucioni ende nuk ka ndërtesë të veten.
“Një brengë e madhe që po na përcjell të gjithëve është objekti që nuk e kemi akoma. Këtë gjysmë shekulli do të duhej të festonim në shtëpinë tonë. Baleti ka mbetur akoma në salla ku mbahen fushata e fjalime politike. Kjo është brengë e imja, e brezit tim dhe e brezit të ri”, ka thënë ai.
Drejtori aktual i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se disa udhëheqës vizionarë të para gjysmë shekulli, baletin e kishin konsideruar si një shtyllë të rëndësishme të shtetformimit kur Kosova po merrte autonominë përbrenda ish-Jugosllavisë.
Sipas tij, për 50 vjet me radhë, fati i BKK-së ishte i lidhur kryekëput me fatin e të gjithë popullit të Kosovës dhe nuk përbën ndonjë përjashtim sa u përket vështirësive dhe sfidave nëpër të cilat ka kaluar vendi.
“BKK-ja historinë e ka të ndarë në dy etapa. Atë ku prej vitit 1972 gjenerata e parë vuri në skenë shfaqja deri më 1991 kur dhunshëm u larguan nga teatri. Etapa e dytë është ajo e pasluftës, kur profesori Ahmet Brahimaj së bashku me kolegët e gjeneratës së tij arritën ta rithemelojnë BKK-në duke krijuar brezin e ri të cilët rivunë në jetë këtë institucion”, ka thënë ai. Ka treguar se të udhëhequr nga profesori Brahimaj këta balerinë arritën të krijojnë vulën e vet artistike jo veç brenda vendit, por edhe në skenë të rëndësishme të rajonit e në kryeqytete të rëndësishme të Evropës.
“Më lejoni të shpreh një falënderim të posaçëm për njeriun, pa kontributin e të cilit nuk do të ishim sonte këtu. Shëmbëlltyra dhe përkushtimi që ka treguar për institucionin që ka udhëhequr për vite me radhë, i ka bërë nder BKK-së dhe vendit tonë, Kosovës. Lehtë mund të kuptohet se për kë e kam fjalën, për balerinin dhe ish-drejtorin e ndjerë, Ahmet Brahimaj”, ka thënë ai.
Bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, Kajtazi i ka ndarë mirënjohje post-mortem rithemeluesit dhe ish-drejtorit të BKK-së, Ahmet Brahimaj.
Në emër të familjes, e veja e Brahimajt, Zogza Mulaku-Brahimaj, ka thënë se fryma dhe shpirti i Ahmet Brahimajt janë në Baletin Kombëtar të Kosovës.
“Për sa ekziston Baleti, Ahmeti është i pavdekshëm. E përgëzoj BKK-në dhe ju uroj 50-vjetorin me suksese të pafundme. Bashkë me brezat që vijnë në suksese deri në pafundësi”, ka thënë ajo.
BKK-ka ka nderuar me mirënjohje mbi 100 veta përfshirë anëtarë, kontributdhënës, koreografë nga vende të ndryshme të botës që ishin të pranishëm e personalitete të tjera.
Për baletin e parë shqiptar që koreografi Panajot Kanaçi e kishte realizuar edhe me Trupën e Baletit të Kosovës më 1979, institucioni ka menduar shpesh. Të dielën mbrëma aty ka qenë edhe koreografi i njohur në Azerbajxhan, Pullumb Agalliu, asokohe asistent i Kanaçit. E koreografja Alisa Gjoni që e ka rivënë një version të shfaqjes në skenë, ka thënë se këtë merak e kishte qysh herët.
“Kam bashkëpunuar me Baletin dhe zotin Brahimaj qysh prej vitit 2014. Në bisedat me të është përmendur “Halili dhe Hajria”, por nuk mund të bëhej pasi skena është e vogël. Kjo sonte ishte një gjë që nuk di si ta përshkruaj nga emocionet”, ka thënë Gjoni.
Festa është përmbyllur si një kremtim i 50 vjetëve të ngritjes institucionale, sfidave e sukseseve.