Kulturë

Bahri Beci – studiues i themeleve gjuhësore albanologjike

Gjuhëtari e akademiku Bahri Beci ka vdekur në moshën 87-vjeçare, duke lënë prapa dhjetëra vepra monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjet gjuhësore ballkanike. Sipas institucioneve shkencore në Shqipëri e Kosovë, studimet e tij të strukturës dialektore të gjuhës shqipe, të nyjëtimeve dhe varieteteve dialektore, të historisë së formimit të dialekteve të shqipes bashkë me të tjerat, qëndrojnë në themelet e studimeve gjuhësore albanologjike

Me një minutë heshtje kanë nisur punimet e ditës së hënë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Të pranishmit kanë nderuar jetën dhe veprën e akademik Bahri Becit, i cili vdiq në moshën 87-vjeçare. Vdekja e Becit është parë si humbje e madhe për albanologjinë. Veçanërisht për studimet gjuhësore, historinë e shqipes, të folmet rajonale e dialektet e saj. Njoftimi për vdekjen e Becit është dhënë nga i biri i tij, kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.

“Të dashur miq, me dhembje e hidhërim ju njoftojmë që babai ynë, Bahri Beci, ndërroi jetë. Faleminderit babë për kujtimet e bukura e emrin e mirë që na le, për këshillat e urtësinë tënde, për konsistencën e racionalitetin tënd, për arsyetimin e shembullin me të cilin na udhëhoqe e na bëre krenarë”, ka shkruar Beci në njoftim. Institucionet shkencore në Shqipëri e Kosovë, Becin e kanë përshkruar si studiues me renome përtej këtyre anëve. Karriera e tij kishte nisur herët, duke u bërë një prej gjuhëtarëve eminentë.

Kuadër i Parisit, kontribuues në studime e arsim

I lindur në Shkodër në vitin 1936, Bahri Beci menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare në vitin 1958 u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.

Sipas biografisë së tij, në funksion të qëllimit të formimit të një brezi të ri studiuesish Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku më 1977 mbrojti doktoratën me temën “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës”. Ishte koha kur nga Shqipëria në vendet e Evropës shkonin për të studiuar krejt pak kuadro. Më të njëjtën temë kishte mbrojtur doktoratën edhe në Tiranë. Nga viti 1997 punoi si pedagog i shqipes në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe të Kulturave Orientale të Parisit.

Bahri Beci ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që prej vitit 2008 dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së “Atlas Linguorum Europae”.

Sipas biografisë së tij në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore e Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes si në Shkodër e Dibër.

Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 1972 dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike ai ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.

Beci sintetizoi arritjet e punës së tij në vepra me karakter normativ. Vepra shkencore e tij karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor. Ndër veprat e tij veçohen “Të folmet veriperëndimore të gjuhës shqipe dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës” (Tiranë, 1995), “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri” (Pejë, 2000), “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre” (Tiranë, 2002), “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike” (Pejë, 2002), “Fonetika e gjuhës shqipe” (Tiranë, 1997), “Gegërishtja qendrore dhe grupimi i të folmeve të saj” (Tiranë, 2007), “Historia e standardizimit të shqipes” (Tiranë, 2010). Ndërsa vonë e botoi librin e ri problematizues “Struktura dialektore e shqipes” (2016). Është bashkautor i “Atlasit dialektologjik të shqipes” I-II (Napoli, 2007).

Bahri Beci njihet dhe si hartues tekstesh shkollore për gramatikën e shqipes për të gjitha nivelet në sistemin shkollor në Kosovë dhe në Shqipëri, si: “Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë” (Shkodër 2000), dhe “Gramatika e gjuhës shqipe për mësuesit” (Tiranë, 1997), e të tjera.

Personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha

Për kolegët e tij të fushës dhe institucionet në Shqipëri e Kosovë, Beci ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Kryesia e Akademisë së Shkencave u ka shprehur ngushëllime të afërmve dhe familjes shkencore të tij.

“Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike”, shkruhet në vlerësimin e këtij institucioni.

Akademia e Shkencave të Kosovës nëpërmjet një telegrami ngushëllimi që i ka dërguar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndër të tjera, ka shkruar se si studiues në gjuhësinë ballkanologjike Bahri Beci ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.

“Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Bahri Becit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, njërit nga gjuhëtarët e shquar të studimeve albanologjike në Shqipëri, në Kosovë dhe më gjerë”, shkruhet në telegramin e ASHAK-ut.

Sipas këtij institucioni, akademik Bahri Beci me studimet e tij dhe me punën drejtuese në institucionet e larta të shkencës në Shqipëri dha një kontribut të çmuar dhe la gjurmë të pashlyera në të gjitha fushat e veprimtarisë dhe të aktivitetit shkencor e studimor, veçmas në studimet dialektologjike të shqipes, të fonetikës, të historisë dhe të gramatikës.

“Studimet e tij të strukturës dialektore të gjuhës shqipe, të nyjëtimeve dhe varieteteve dialektore, të historisë së formimit të dialekteve të shqipes, pastaj të fonetikës eksperimentale dhe të shqipes standarde qëndrojnë në themelet e studimeve gjuhësore albanologjike dhe e bëjnë atë njërin nga gjuhëtarët më me ndikim të gjeneratës së tij”, shkruhet në telegram.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ju ka shprehur ngushëllime të thella familjes e të afërmve të akademik Bahri Becit, anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, bashkëpunëtorëve të shumtë dhe të gjithë studiuesve dhe njohësve të veprës së tij”, shkruan në telegramin e ASHAK-ut.

Kujtimi me ekspozitë

Nëpërmjet një ekspozite, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i ka bërë homazh akademikut dhe gjuhëtarit Bahri Beci.

“Ekspozita sjell në vëmendje të publikut kontributin e tij shkencor në fushën e gjuhësisë përmes botimeve të rëndësishme në fushën e dialektologjisë, fonetikës, gramatikës, gjuhës letrare, si dhe të historisë së gjuhës, si: ‘Të folmet veriperëndimore të Shqipërisë dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës’; “Gramatika e gjuhës shqipe’; ‘Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri’; “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre’; ‘Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike’; ‘Fonetika e gjuhës shqipe’; ‘Historia e standardizimit të shqipes’; ‘Struktura dialektore e shqipes’; ‘L’union linguistique balkanique a la lumière des données de la langue albanaise etj...”, ka njoftuar ky institucion. Biblioteka, Becin e ka vlerësuar si studiues me një vend të veçantë dhe kontributues të vyer në hartimin e teksteve mësimore të gjuhës shqipe, si dhe të metodave për mësimin e shqipes nga të huajt.

Akademiku Bahri Beci vlerësohet si një personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada, autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në hollin kryesor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Ngushëllime familjes, kolegëve dhe nxënësve të akademik Becit u ka shprehur edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.

“Shkenca e albanologjisë humbi një prej njerëzve të saj më të mirë, akademikun skrupuloz, shkencëtarin e pakompromis, shkodranin plot humor, prof. Bahri Becin. Ngushëllim për familjarët, kolegët dhe nxënësit e tij le të jetë vepra që gjuhëtari Bahri Beci la pas dhe i tejkalon kufijtë hapësinorë dhe kohorë! U prehtë në paqe!”, ka shkruar Margariti.

Bahri Beci njihet dhe për dy librat e tij me problematizime më të gjera të natyrës shoqërore në fushat në të cilat vepron: “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja”, botuar në vitin 2013 dhe “‘Homo ideologjikus’ në shkencën shqiptare” botuar në Tiranë në vitin 2015, në të cilët shtjellon zhvillimet në kontekstin shoqëror shqiptar në fushën e studimeve të gjuhës dhe të albanologjisë në tërësi. Vdekja e tij është parë si humbje e madhe, kurse pa Becin albanologjia do të ishte shumë më e varfër. Qe studiues i themeleve të saj.