Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka promovuar sot “Leksikoni i vendbanimeve, vëllimi I, Qendrat urbane”. Në këtë leksikon përfshihen vendbanimet urbane.
Ky projekt konsiderohet ambicioz dhe ai do të pasohet edhe me dy vëllime të tjera, të cilat do të kenë në fokus vendbanimet rurale të Kosovës, transmeton Koha.net.
Përurimi u bë mjediset e Akademisë. Për botimin folën kryeredaktori akademik Hivzi Islami, recensenti akademik Anton K. Berishaj dhe prof. Dr. Sabri Laçi nga Fakulteti Histori-Filologji i Universitetit Shtetëror të Tiranës, ekspert i njohur në fushën e gjeoshkencave.

Nga folësit u cilësua si botim që përmbushi një nevojë të madhe për gjeoshkencat, shkencat sociale dhe opinionin e gjerë lexues dhe shfrytëzues. Botimi do të jetë një trashëgimi e rëndësishme për shkencën dhe kulturën tonë në përgjithësi.
Në përurim morën pjesë anëtarë të Akademisë, ekspertë nga shkencat gjeohapësinore, gjeografë, historianë, sociologë, urbanistë, planerë, ekonomistë dhe të interesuar të tjerë.
Edhe
“Vendbanimet e Kosovës” – vepër kapitale për njohjen e vendit
Fjala e plotë e kryeredaktorit akademik, Hivzi Islami:
Përveç botimit të leksikoneve, të fjalorëve enciklopedikë dhe të enciklopedive, shumë vende sot kanë tashmë edhe botime të tipit enciklopedik apo dhe të tjera për vendbanimet. Kosova nuk e ka deri më sot asnjë botim të tillë, sikundër që nuk e kanë edhe disa vende përreth.
Mungesa e një botimi të kësaj natyre dhe rëndësia shumëdisiplinare e të dhënave shkencore për vendbanimet, krijimin dhe zhvillimin e tyre hapësinor-fizik, demografik dhe funksional shtruan nevojën e realizimit të një ndërmarrjeje të plotë të karakterit monografik-enciklopedik për vendbanimet tona të tipit urban dhe rural. Seksioni i Shkencave Shoqërore i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës mori përsipër të hyjë në këtë projekt afatmesëm - me tri faza të punës.
Para disa vjetëve, bashkë me profesorët dhe specialistët e gjeoshkencave, dr. Ibrahim Ramadanin, dr. Valbon Bytyqin dhe dr. Arsim Ejupin formësuam idenë për realizimin e projektit Leksikon i vendbanimeve urbane dhe rurale të Kosovës – Tabloja fizike-hapësinore, demografike dhe funksionale.
Ishim të vetëdijshëm për vështirësitë në punë, në mbledhjen e të dhënave e fakteve relevante shkencore dhe informative nga terreni dhe dijet nga fusha të ndryshme, si dhe dokumentacioni e inventari historik, gjeografik, gjeologjik, demografik, kulturor, ekonomik, gjeopolitik, i planifikimit hapësinor etj. Ideja dhe nisma ecën bashkë dhe projekti gjeti mbështetjen e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe pastaj edhe të të gjitha organeve të Akademisë.
Një mbështetje financiare i dhanë dhe ish-zv. ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj dhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prof. Kujtim Shala, anëtar iAkademisë. Pa bështetjen e tyre nuk do ta kishim në dorë botimin - vëllimin I – Qendrat urbane, të cilin sot po e përurojmë. Një mirëkuptim e gjetëm edhe te shtypshkronja “Dukagjini”, që e shtypi botimin me pak mjete dhe shpejt. Në emër të redaksisë i falënderoj ish-drejtuesit e këtyre ministrive dhe shtypshkronjën “Dukagjini”.
Kosova nuk ka traditë të gjatë në hartimin e veprave kolektive të karakterit enciklopedik, që kërkojnë njerëz të kualifikuar, mjete dhe organizim. Puna në hartimin e Enciklopedisë së Jugosllavisë, me seli në Zagreb, ku ishte logjistika, kuadrot, mjetet etj. nuk mund të thuhet se ka krijuar një traditë. Kanë dalë dy botime në shqip të EJ, i treti ka mbetur në shtyp. Por as puna në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar nuk ka krijuar një përvojë institucionale, sepse edhe këtu selia dhe logjistika ishin në Tiranë, ndërsa angazhimi i autorëve nga Kosova mbeti në nivel individual.
Në vitin 2008, Akademia i hyri punës në hartimin e Monografisë Kosova dhe e finalizoi në gjysmën e vitit 2011 – doli botimi në shqip si një punë kolektive, dhe pas një kohe doli edhe botimi në anglisht – një version i shkurtuar, i kondensuar. Ndërkaq, këto ditë ka dalë nga shtypi edhe “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, në dy vëllime, një projekt i madh që do të jetë paraprijës për hartimin e Enciklopedisë së Kosovës, pastaj të Enciklopedisë Shqiptare.
Më këto ndërmarrje u dëshmua se puna ekipore mund të funksionoi edhe te ne brenda ndarjes adekuate të saj dhe me një organizim efikas. Funksionoi edhe në rastin e projektit të vendbanimeve.
Edhe
Akademia sjell vëllimin e tretë të leksikonit “Vendbanimet e Kosovës”
Faza e parë e punës në këtë projekt u realizua jo pa vështirësi, por ajo rezultoi me përgatitjen për botim të vëllimit të parë– Qendrat urbane. Këto janë qytetet (13 sish), 2 qytezat dhe selitë komunale të Kosovës (24 sosh), që janë gjithsej 37, përfshirë Mitrovicën si një dhe të pandashme. Trajtim të veçantë në këtë botim kanë metropoli republikan, Prishtina, dhe 6 qendrat urbane mezorajonale (Prizreni, Gjakova, Mitrovica, Ferizaj dhe Gjilani).
Ky vëllim bën përjashtim nga modelet e deritanishme enciklopedike-shkencore, sepse nuk e ndjek mbarshtrimin dhe sistemimin e materies sipas alfabetit, por sipas madhësisë territoriale-popullative dhe rëndësisë funksionale, kurse përmbajtjet në dy botimet e tjera për vendbanimet rurale (me 1432 sish) do të prezantohen sipas alfabetit.
Projekti sjellë risi edhe në qasjen hartuese-metodologjike, duke iu shmangur skemës dhe karakterit klasik antropogjeografik. Qasja bashkëkohore teorike-metodologjike konsiston në përfshirjen e vështrimit interaktiv të ekzistimit dhe veprimit të elementëve dhe faktorëve të ndryshëm natyrorë, shoqërorë dhe regjionalë që ndikojnë në baraspeshën e brendshme dhe karakteristikat fizike-hapësinore, strukturën morfologjike, transformimet funksionale, pozitën në rrjetin e vendbanimeve etj.
Pjesa tekstuale e vëllimit I – Qendrat urbane plotësohet me material ilustrues, çfarë janë hartat tematike, fotografitë, planet dhe skicat e ndryshme të cilat i japin karakter më përmbajtësor dhe e bëjnë më të kuptueshme materien e trajtuar brenda publikimit.
Projekti është vepër kolektive, sepse për kryerjen e tij janë angazhuar rreth 35 bashkëpunëtorë profesionalë – ekspertë nga e gjithë Kosova, kryesisht gjeografë, historianë, sociologë, ekonomistë, planerë e administratorë komunalë, gjithnjë me grada shkencore ku ishte e mundur. Puna në terren përmes zbatimit të një udhëzuesi-pyetësori, me 50 pyetje mundësoi sigurimin e të dhënave burimore, origjinale për dimensionin fizik, popullativ dhe funksional për vendbanimet.
Tekstet janë autoriale dhe disa sish, për shkak të materies shumëdimensionale dhe vjelës të lëndës, hartues të teksteve janë deri tre e katër autorë, ndërsa redaktorët kanë punuar me përkushtim të madh në harmonizimin dhe plotësimin e teksteve në shkallën maksimalisht të mundshme, sipas kritereve shkencore.
Meqenëse për herë të parë realizohet një ndërmarrje e tillë, redaksia është e vetëdijshme se publikimi për qendrat urbane (Vëllimi I) që i ofrohet opinionit mund të ketë ndonjë zbrazëti eventuale, prandaj redaksia pret nga opinioni profesional dhe opinioni i gjerë që të japin vërejtje dhe sugjerime të dobishme dhe konstruktive në mënyrë që në ribotimin eventual të merren parasysh dhe të plotësohen.
Dalja në dritë e këtij botimi dhe e dy botimeve të tjera për vendbanimet rurale me përpilimin e databazës shkencore-enciklopedike pa dyshim do të përmbushë një nevojë të kahershme për gjeoshkencat, shkencat sociale dhe opinionin e gjerë lexues dhe shfrytëzues dhe do të jetë një trashëgimi e madhe për shkencën dhe kulturën tonë.
Edhe
Tablo shkencore për vendbanimet e Kosovës
Redaksia i falënderon Seksionin dhe Akademinë, të gjithë autorët e teksteve, recensentët akad. Anton K. Berishajn dhe dr. Qerim Kastratin dhe lektorin prof. Shefqet Rizën për punën e bërë me përkushtim, sikundër që u është mirënjohëse të gjitha instancave të qendrave urbane e komunale dhe atyre republikane që u mundësuan hulumtuesve dhe studiuesve tanë të kishin qasje në dokumentacion, në biblioteka dhe në terren.