Kulturë

“As edhe një më shumë.” harmonizon tingujt në thirrjen kundër dhunës

Filharmonia e Kosovës mori ngjyrë të portokalltë në mënyrë simbolike, e veprat qenë dedikim për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore. Me koncertin nën thirrjen “As edhe një më shumë.”, nën dirigjimin e maestros Chris McCracken, institucioni iu bashkua 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore

Skena në Atelienë e Pallatit të Rinisë ndriçohet në të portokalltë dhe kjo është shenja e parë. Instrumentistët nuk kanë për detyrë vetëm interpretimin e veprave, por nëpërmjet tyre të përcjellin edhe mesazhe. Vepra kompozitorësh anglez, danez e norvegjez u bënë adresa për revoltë.

Në ulëse për publikun janë shpërndarë broshura. “Thyej heshtjen, raporto dhunën!”, është njëra prej thënieve. Nëpërmjet tyre jepen detaje se kush hyn në grupin e viktimave e cili është programi. Renditen numrat e qendrave strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.

Nën thirrjen “As edhe një më shumë.”, Filharmonia e Kosovës iu bashkua 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Ende pa nisur koncerti të mërkurën mbrëma, drejtuesit e institucionit, që është pjesë e kampanjave të tilla prej vitit 2019, kanë dhënë detaje të programit. Ndërlidhja e veprave në njërën apo tjetrën mënyrë me gratë, i shtyu që të japin mesazh për viktimat e dhunës. Këtë e bënë me një përgatitje rekord. Për dhjetë ditësh, dirigjenti i cili vjen për të dytën herë në Kosovës, Chris McCracken, iu përvesh punës për të sjellë një koncert që u duartrokit nga publiku.

Koncerti nisi me veprën trepjesëshe “Brook Green Suite H.190” nga Gustav Holst, të cilën e kishte shkruar gjatë qëndrimit në spital, një vit para vdekjes më 1934. Destinimi fillestar ishte të bëhej një krijim që është i lehtë në interpretim për instrumentistët e rinj. Ndërkaq vepra në koncertin e Filharmonisë tingëlloi si ritëm i shpejtë me “Prelud”, i ngadalshëm me “Air” dhe si një kompletim ritmik me “Dance”.

Image
Nën dirigjimin e Chris McCracken, shpalosja e programit ka qenë rrugëtim nëpër kontraste midis melankolisë e haresë

Pavarësisht destinimit të koncertit, “Suitë e vogël për orkestër harqesh” nga Carl Nielsen ndërroi atmosferën. Kjo vepër u karakterizua nga humori në nivel, energjia e paqartë diku e në fund një lloj goditjeje muzikore si përmbyllje. Vepra më e famshme e Peter Warlock, “Capriol Suite”, solli atmosferë që kumbonte si tejet e gjallë me gjashtë pjesët e saj. Ndërkaq e njohur edhe si “suita në versionin e vjetër”, pesëpjesëshi i veprës “Holberg Suite”nga Edvard Grieg përmbylli koncertin me lëvizjet të cilat individualizojnë secilin instrument nga pak.

Vetë dirigjenti McCracken solli përvojën e të qenët fitues i Konkursit Ndërkombëtar të dirigjimit të Operës, “Blue Danube”, që cilësohet si konkursi më sfidues i dirigjimit në nivel botëror. Ndërkaq bagazhi i tij është i pasur edhe me drejtimin e 40 operave dhe disa orkestra profesionale në 10 vende të ndryshme.

“Është shumë mirë kur krijojmë muzikë sepse ajo bashkon njerëz. Është një lloj ekzistence paqësore. Të gjithë instrumentistët duhet të bëjnë diçka kolektive”, ka thënë ai për bashkimin e Filharmonisë në kauzën kundër dhunës.

Për McCracken si dirigjent që ka koncertuar në Londër, Gjermani, Shën Petersburg, bashkëpunimi me Filharmoninë e Kosovës po sjell fryte të dukshme. Instrumentistët i cilëson si muzicientë të mirë dhe të dashur. Ndërkaq njerëzit e Kosovës përgjithësisht si mikpritës.

“Sa e mrekullueshme edhe të luajmë muzikë, edhe ta shprehim dëshirën tonë kundër dhunës. Disa kemi mësuar në shkollë (kundër dhunës), por kjo fillon shumë herët, në vlerat tona, mbështetjen e transformimet”, ka thënë dirigjenti i përhershëm i Operës Shtetërore të Stara Zagoras në Bullgari.

Sipas mjeshtrit nga Londra, muzika mundëson që nëpërmjet perspektivave të ndryshme të veprave të jepet një mesazh.

“Veprat kanë tragjedi brenda tyre. Por kanë edhe humor e vallëzim. Kështu që ka qenë një program i mirë, ka përfshirë segmente të ndryshme të ekzistencës”, ka thënë McCracken.

Ndërkaq që në fillim të koncertit, menaxheri i Filharmonisë, Dardan Selimaj, ka thënë se kontributi i secilit kundër dhunës është i rëndësishëm.

“Nëpërmjet këtij koncerti, ku një pjesë e këtij programi ka vepra të cilat iu dedikohen grave, viktimave, iu bëjmë me dije se ato nuk janë vetëm. Ne jemi me ju sot dhe çdo ditë tjetër”, ka thënë Selimaj.

Koncert mjeshtëri Festim Fanaj ka thënë se revolta mund të shprehet edhe nëpërmjet artit, veçmas muzikës.

“Këto mbesin në kujtimet e njerëzve. Ky është një mesazh shumë i fortë nga ana e muzikës, Filharmonisë me performancën e saj, në veçanti me art besoj që duhet edhe më shpesh të bëhet kjo”, ka thënë violinist Fanaj.

Sipas tij, përvoja e dirigjentit ka bërë që instrumentistët të nxjerrin në pah më të mirën e tyre.

“Për një kohë relativisht të shkurtër, marrë parasysh që programi në shikim të parë duket paksa i lehtë. Por ky dirigjent ka pasur aso kërkesash saqë veprat kanë qenë sfiduese, por ka dalë shumë bukur falë angazhimit tonë si Orkestër”, ka thënë Fanaj.

Koncerti me thirrjen “As edhe një më shumë.” u organizua në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit.

Image
“Sa e mrekullueshme edhe të luajmë muzikë, edhe ta shprehim dëshirën tonë kundër dhunës”, ka thënë dirigjenti Chris McCracken