Nisi si një lloj pasioni duke modeluar personazhe prej filmave vizatimorë, por për Lorna Çekixhiun, e shkolluar për skenografi në Akademinë e Arteve në Tiranë, nuk mbeti i tillë. Me kukulla krijoi personazhet e saj unike, të cilave u jep jetë nëpërmjet animacionit. Shembull i një projekti të tillë është videoklipi për këngën “Frymë” të Vlashent Satës. “Kukullat me duken sikur frymojnë ndonjëherë, andaj mendoj se është shumë e fortë kjo ndjeshmëria që kam për kukullat”, thotë Çekixhi në një bisedë për KOHËN. “Mendoj për botën e tyre”
Janë fiks 138 vjet që nuk venitet përralla për marangozin Geppetto i cili prej druri skaliti kukullën dhe e pagëzoi me emrin Pinokio. Rrëfimi i shkruar nga italiani Carlo Collodi, i publikuar në vitin 1883 nën titullin “Aventurat e Pinokios”, është gjëja e parë që ndërmendet në takimin me botën artistike të Lorna Çekixhiut. Kukullat e saj shënjohen me surealizëm. Kanë elemente të kombinuara në një mënyrë të habitshme, që ngjajnë me personazhe të dala nga një ëndërr a përrallë. Shpërfaqin një intensitet të lartë të fantazisë. Nuk ka si të jetë tjetër kur gjithçka kishte nisur nga dashuria për personazhe të animuara që Çekixhiu i skiconte si fëmijë.
Fuqia te portreti
Skicat e saj të para ishin ato të animacionit të saj të preferuar, “SpongeBob”, sfungjerin e verdhë që punon në fund të detit në restorantin “Krusty Krab” që për herë të parë u shfaq në vitin 1999. Si shumë fëmijë ajo vizatonte personazhet që i kishte për zemër e me të cilët u rrit.
“Kur jemi të vegjël i skicojmë ato kukullat tona të para, personazhet tona të animuara dhe unë e kam pasur shumë në qejf SpongBobin dhe e kam filluar duke e pikturuar SpongeBobin e vogël dhe pastaj edhe personazhet e tjera. Sidoqoftë nuk e mendoja ndonjërën se do të punoja duke krijuar kështu personazhe për animacion”, tregon Çekixhi. Ajo nuk e dinte që pasioni i saj për kukullat do ta shoqëronte edhe kur të rritej. Ia nisi që të realizonte kukulla prej argjile në vitin 2018. Gjatë përfundimit të studimeve për skenografi në Akademinë e Arteve në Tiranë ajo gjente strehë duke eksploruar me kukulla.
Por edhe atëherë mendonte se ishte më shumë një pasion të cilit ia dedikonte kohën e lirë. Por, siç thotë edhe vetë, duke i dhuruar shumë dashuri e pa e kuptuar, e ktheu pasionin në profesion.

Gregu, personazhi i parë që realizoi, ishte statik. I veshur me një mantel të zi e me krahët e strukur e hundën e faqet e skuqura, mbetet kukulla e preferuar e 23-vjeçares. Por edhe e shumë njerëzve që përcjellin punën e saj.
Çekixhi gjersa e mban me fanatizëm në duar kukullën e saj gjatë një interviste për KOHËN, tregon se është me fat që nuk e shiti.
“Dikush ka dashur që ta blejë Gregun, por fatmirësisht nuk i pëlqeu çmimi që unë i dhashë. Atëkohë nuk po e vija re mirë Gregun pasi që ishte vetëm portret, por kur përfundoi i tëri dhe u bë si trup, isha shumë e lumtur që përfundoi dhe Gregu nuk u shit”, potencon ajo.
Gregu është një elf. Një karakteristikë kjo për kukullat e para të realizuara nga Lorna që brenda këtyre viteve kanë evoluar. Sidoqoftë, çdoherë gjithçka nis me skicimin. Aty ajo shkrin imagjinatën e saj së cilës më pas i jep formë me argjilë. Sigurisht ndonjëherë ndodh që gjatë punës të mos i qëndrojë besnike skicimit. Megjithatë, Çekixhi beson se fuqia e kukullave qëndron te portreti. Aty fshihen edhe veçantitë e punës së mjeshtres së kukullave.
“Më janë kthyer në karakteristika hunda dhe faqet e kuqe. Nuk e di, mendoj se u japin një lloj ndjeshmërie, i bëjnë të duken sikur kanë ftohtë dhe më pëlqen që të mos jenë thjesht kukulla, por edhe të ngacmojnë me gjendjen emocionale që shprehin. Besoj që është pjesë shumë e rëndësishme në krijimtari pjesa emocionale”, thotë ajo.
{gallery}
Gjithçka nisi më 2018. Sot është një botë e tërë kukullash të realizuara prej Lorna Çekixhiut
Animacioni që u jep jetë
Çekixhi tani nuk punon më me kukulla statike si Gregu. I vë në lëvizje. Pasi që u jep formë e ngjyrë portretit të punuar me argjilë dhe pasi që vë në fokus tiparet e fytyrës, ajo kalon në fazën tjetër. Bën skeletin me tel, trupit ia qep një shtresë të hollë sfungjeri dhe i vesh kostum. Më pas ia nis punës për skenografi.
“Tani përpiqem që t’i bëj më skelet dhe nuk e di, edhe këto më duken me interesante, me pjesën e skeletit të animueshëm, pasi që marrin më shumë jetë dhe mund t’i vendosësh në çfarëdolloj pozicioni”, thotë ajo. Për të, kukullat e animacionit janë si një instrument.
“Ato duhet të jenë të manipulueshme që të krijojnë gjithë ato lëvizjet, gjendjet emocionale. Kështu mendoj dhe ka ardhur gjithmonë duke u pasuruar bashkë me skenografitë, pasi që ajo është pjesë shumë e rëndësishme e jep të gjithë gjendjen”, thotë Çekixhi. Sipas saj, animacioni u jep jetë kukullave të saj.
Ajo që Çekixhi thotë, del në pah shumë qartë në projektin e saj të fundit ku kullat e saj i njoftoi edhe me publikun e gjerë. Realizoi dy kukulla për t’i dhënë shpirt videoklipit “Frymë” të kantautorit Vlashent Sata. Animacionin e kësaj kënge e realizoi së bashku me animatorin Joan Kamberaj. Gjithë ideja për realizimin e këtij animacioni nisi nga një varg i këngës, të cilën Sata ia ka dedikuar babait të tij të ndjerë.
“Me pas ditë se ish kenë/ e fundit puthja jote n’ ballë/ S’kisha lujtë/s’kisha bza/ i vogël isha ba.../Thu s’kisha ni kaq shumë mall, sot.../”, janë vargjet e këngës.

“Këtu doja që Vlashenti të bëhej realisht i vogël. Aty m’u duk sikur realisht ai po fliste. Bëra Vlashentin e vogël dhe skicova atë momentin që Vlashenti po e mban kukullën në dorë dhe kështu rrodhi pastaj i gjithë skenari”, tregon ajo. Në vidoklipin katërminutësh Vlashenti i vogël i animuar shihet duke kaluar kohën me babanë e tij: duke qëndruar në shtëpi, duke luajtur, lexuar e duke i rënë pianos. Sata filloi karrierën në moshë të re. U ngjit në skenë kur ishte 5 vjeç. I nxitur nga i ati, Loro Sata, një muzikolog dhe këngëtar tenor lirik, në moshën 6-vjeç Vlashenti nisi pianon. Në vitin 2002 shkoi në Francë për të vazhduar studimet.
Animacioni i këngës “Frymë”, publikuar më 28 mars, është si një episod jetësor i kantautorit të njohur e me stil unik.
“Duke vendosur këto momentet e vogla të jetës së përditshme, gjërat e vogla ndonjëherë i marrim për të mirëqena, pasi që kështu e kuptova edhe unë këngën dhe pastaj ajo pjesa e qiellit për t’u dhënë akoma më shumë magji këtyre momenteve kaq të thjeshta”, tregon Çekixhiu, e cila ka lindur në Tiranë ku edhe jeton.
Universi paralel
Njëlloj si shikuesve edhe asaj i pëlqen kur i sheh kukullat e saj duke lëvizur, fluturuar e duke bërë gjithë ato veprime që ua mundëson animacioni. Lorna kombinon artin, skenografinë e kostumografinë në mënyrë të duhur me njëra-tjetrën. Ajo krijon një botë magjike ku kukullat e saj të argjilës krijojnë përshtypjen se jetojnë në një univers paralel.
“Kukullat më duken sikur frymojnë ndonjëherë, andaj mendoj se është shumë e fortë kjo ndjeshmëria që kam për kukullat”, thotë ajo. Tregon se gjersa realizon kukullat e saj në mendje krijon një botë për to. E kësaj bote pastaj mundohet që t’i japë formë.
“Mendoj për botën e tyre. Mendoj se nuk janë në këtë realitet, janë në një realitet tjetër shumë interesant, dhe atë përpiqem që sa më shumë ta jap”, thekson ajo.

Si një punuese e kukullave, por edhe si animatore, Lorna i është përveshur projektit të saj të ri. Shumicën e kohës e kalon në studion e produksionit “Papadhimitri”. Aty është duke punuar në animacionin e saj të shkurtër “Metamorfoza” bazuar në librin me të njëjtin titull të Franz Kafkës. Edhe në këtë animacion kukullat e saj, ani pse nuk janë elf, kanë hundën e faqet e skuqura. Çekixhi beson se të punojë kukulla është gjëja që e do dhe që e bën më së miri. Pasionin e saj dëshiron që ta ndajë edhe me të tjerët, duke i lënë kukullat e saj të vazhdojnë rrugëtimin e tyre, përmes projekteve që do kenë edhe vulën e saj.