Emrat e tyre janë kapituj më vete jo vetëm në historinë e kulturës shqiptare, por edhe si shembuj guximi, inspirim për gjeneratat e tyre e për atë të së sotmes. Mbrëmja e katërt e “FemArt” është titulluar “Artistet që na mungojnë” dhe i është dedikuar Nexhmije Pagarushës, Leze Qenës, Shahindere Bërlajolli-Stafait dhe Violeta Rexhepagiqit. Si gra që kanë sfiduar realitetin pavarësisht sa i vështirë ka qenë ai
Një gotë verë, disa këngë dhe shumë kujtime janë bërë bashkë të hënën mbrëma në galerinë “Paper” në Prishtinë. E gjithë kjo ka ardhur si nevojë për ta mbushur zbrazëtinë për ikonat e artit, të cilat kultura shqiptare i humbi përgjatë dy vjetëve të fundit.
Mbrëmja e katërt e “FemArt” është titulluar “Artistet që na mungojnë” dhe i është dedikuar Nexhmije Pagarushës, Leze Qenës, Shahindere Bërlajolli-Stafait dhe Violeta Rexhepagiqit. Si gra që kanë sfiduar realitetin pavarësisht sa i vështirë ka qenë ai. Mbrëmja ka nisur në kujtim të Nexhmije Pagarushës.
Luljeta Pagarusha, familjare e “Bilbilit të Kosovës”, ka thënë se Nexhmija ka pasur një rrugëtim të vështirë. Sipas saj, këngët e Nexhmijes nuk janë pranuar në atë kohë. Jo pak nënçmohej kur si 15-vjeçare, ishte soliste në Radiotelevizionin e Prishtinës. E refuzuar në vendin e saj deri vonë, Nexhmija sipas saj në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë e në Shqipëri vlerësohej si yll.
“Në atë kohë janë dëgjuar vetëm këngët folklorike dhe ajo ka dalë me një meteor, me një zë të kristaltë. Rrugëtim të vështirë. Ajo ka hyrë në ujërat e muzikës pa e ditur se çfarë e pret. Këngët e Nexhmijes nuk janë pranuar. Mënyra e këndimit u ka penguar. Kur si 15-vjeçare është bërë soliste, gjatë gjithë rrugës e kanë imituar me piskama të ndryshme”, ka kujtuar Luljeta Pagarusha. Episode si këto, jo rrallë i kishte kujtuar edhe vetë primadona e muzikës shqipe.
“Ajo thoshte se shpesh shkonte në shtëpi dhe qante. Shpirti i saj artistik nuk e ka lejuar të dorëzohet. Ka vazhduar përkundër nënçmimit. Ajo i ka thyer tabutë pa qenë e vetëdijshme që po e bën atë. Me këngën ‘Baresha’ është pritur më së miri në ish-Jugosllavi”, ka thënë Pagarusha. Kur do ta interpretonte “Bareshën” në Mitrovicë, publiku e fishkëlleu. Zor do të pajtohej me këtë rast se publiku në vendin e saj fillimisht nuk do ta pranonte. Më pas është tjetër histori.
Sipas familjares së Pagarushës, këngëtarja e madhe u ngjit në skenë si zë emancipues për të rrëzuar shumë mure. U rilind si artiste vetëm kur gjeneratat më pas zunë ta njohin si alamet artisteje.
“Ky nënçmim ndaj Pagarushës ka zgjatur shumë derisa gjeneratat filluan ta njohin vlerën dhe këngën e Nexhmijes. Kjo fazë për Pagarushën ishte si një rilindje pasi që filluan të flasin për vlerat e saj. Ajo ka trasuar rrugën për gjeneratat e reja. Ajo ka qenë një zë emancipues duke ua hapur derën edhe këngëtareve të reja. I ka pasur plagët shumë të mëdha që kurrë nuk janë mbyllur, pavarësisht që janë shëruar”, ka thënë Luljeta Pagarusha.
Sipas saj, “Bilbili i Kosovës”, veç të tjerash ishte dhe një patriote që donte ta mbante veshjen kombëtare në skenë. “Ka qenë në shpirt artiste dhe ka qenë patriote e madhe, ka veshur veshje kombëtare dhe veshjet i ka qepur vetë”, ka thënë ajo. Për të Pagarusha vdiq me dy pengje.
“Një peng që nuk mundi ta mbajë një koncert dhe nuk mujti të ndikojë në krijimin e një shkolle për të verbër”, ka thënë Pagarusha.
Pagarusha – e cila vdiq më 7 shkurt të vitit të kaluar në moshën 86-vjeçare – u vlerësua si këngëtare që e mbante përherë derën hapur për këngëtaret e tjera. Një prej tyre ishte dhe Shahindere Bërlajolli, e cila u kujtua nga kolegët dhe djemtë e saj, të dy muzikantë. Edhe si artiste, përtej sakrificave gjithmonë parësore e kishte familjen.
“Të jesh një fëmijë i një dive si Shanka është privilegj i madh dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Ka sakrifikuar shumë, por gjithmonë prioritet e ka pasur familjen. Prindërit kanë qenë njerëz të palëkundur me kritere jashtëserike të palëvizshme. Përkrah angazhimeve profesionale si mësuese, si kryeredaktore në RTP, në asnjë mënyrë nuk hoqi dorë nga fëmijët e saj. Kemi qenë ne në rend të parë e pastaj ajo”, ka thënë Ardit Stafai. Bashkë me të vëllain e tij, Astrit Stafain në kitarë, violonçelistin Adorel Haxhijaj dhe pianistin Fatjon Miftari u përkujdesën të risjellin disa prej këngëve të Bërllajollit – e cila vdiq më 7 shkurt të vitit të kaluar, në moshën 73-vjeçare – por edhe margaritarë të tjerë të muzikës shqipe.
Me mallëngjim e buzëqeshje është kujtuar edhe aktorja Leze Qena. Sipas të pranishmëve, ajo nuk u dorëzua deri në ditët e fundit dhe gjithë jetën i kishte ndjekur ndjesitë e saj.
“Lezja nuk ka qenë aktore që i ka ndjekur shpërblimet dhe kategoritë. Ajo i ka ndjekur ndjesitë e veta. Mesazhi i tyre është institucion. Ato e kanë lënë amanetin të cilin ne duhet ta vazhdojmë”, ka thënë aktori Armond Morina, i cili jo rrallë e ka ndarë skenën e shesh-xhirimin me njërën prej aktoreve pioniere në këto anë. Sipas tij, Leze Qena – e cila vdiq më 25 mars në moshën 85-vjeçare – dhe koleget e saja si ajo, kanë komunikuar me vlerat evropiane.
“Edhe Lezja, por edhe të tjerat janë nismat e para që e kanë sjellë civilizimin, modernen dhe tani ju mbetet të tjerëve që ta vazhdojnë atë”, ka thënë Morina.
Violeta Rexhepagiqi është një kapitull tjetër i guximit në skenë e ekran. Kolegia e saj, Minire Fetahu, e ka kujtuar si një artiste dhe gazetare tërësisht para kohës së saj. Ajo nuk i përfillte rregullat dhe në këtë mënyrë komunikonte dhe me publikun.
“Ishte zemërgjerë. Asnjëherë nuk e ka ditur që të zihet me dikë. Kur e ka bërë ka pasur argumentet e veta. Ajo ka kënduar që nga fëmijëria edhe pse prindërit kishin profesione të ndryshme. Violeta ka qenë shumë e guximshme, asnjëherë nuk është frikësuar prej askujt. Kur ka vendosur diçka ajo nuk e ka pyetur askënd. Kur ishte prezantuese në ‘Në 7 ditë në TV’, ajo doli nga skenari që duhej ta përfillte, me syze dhe me flokë gjysmë të kuqe, gjysmë të bardhë. Kur e kanë parë shikuesit kanë thënë: ‘Çfarë ndodhi’, sepse ajo i ndërronte tri palë syze. E udhëhoqi vetëm dy ose tre herë dhe më nuk e lejuan, sepse ishte shumë para kohe”, ka kujtuar Fetahu, redaktore në Radiotelevizionin e Kosovës. Sipas saj, Rexhepagiqi e cila vdiq më 16 prill 2020 në moshën 56-vjeçare – ajo ishte revolucionare në art dhe e guximshme në gazetari.
Zana Hoxha, drejtoreshë e festivalit “FemArt”, ka theksuar se mbrëmje të tilla janë shumë të rëndësishme. Sipas saj, kjo mbrëmje duhet të jetë si një thirrje për institucionet e kulturës që të fillojnë dhe të mendojnë qe t’i përjetësojnë këto figura që kultura i humbi gjatë pandemisë.
“Humbën shumë njerëz kur humb artistët që i kanë dhënë vlera vendit, të duket që gjithçka po përfundon”, ka thënë ajo.
Me këngë që i kujtojnë ikonat e artit shqiptar, mbrëmja e ka kthyer kujtimin për to në rrëfime nostalgjie.
“Artistet që na mungojnë”, ka qenë njëra prej ngjarjeve të ditës së katërt të “FemArtit”. Të hënën, ka përfunduar edhe realizimi i muralit “Shqiponja dykrenore” e artistes Ermira Murati, e njohur me emrin artistik “Orange Girl” në qendër të qytetit në murin e ndërtesës krahas Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në konceptin kuratorial është shkruar se ndër vite shqiponja është paraqitur e përdorur, duke i inkuadruar burrërinë, jo vetëm konceptuale, por edhe strukturore – shqiponja me muskuj dhe elemente të tjera tendencioze dhe patriarkale në qasje, duke i mohuar kështu feminitetin e saj që shpërfaqet pikësëpari nga emri.
Gjatë së hënës, po ashtu, është publikuar raporti hulumtues “Adresimi i seksizmit, ngacmimit dhe ngacmimit seksual”. Aty mes të tjerash është theksuar nevoja për të trajtuar veçmas seksizmin, që sipas raportit duhet të parashikohet gjithashtu në Ligjin e ri për Dhunën ndaj Grave, aktualisht nën iniciativën e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, sipas të njëjtit raport, Universiteti i Prishtinës duhet urgjentisht të emërojë Zyrtarin për Mbrojtjen nga Ngacmimet dhe të sigurojë resurse profesionale dhe buxhetore për të futur në shfrytëzim mekanizmin raportues të politikës.