Kulturë

“Arti në shkolla” me Filharmoninë për brez të ri adhuruesish të vlerave

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nëpërmjet programit “Arti në shkolla” ka për synim që para nxënësve të shpalosë kryevepra të muzikës klasike shqiptare e botërore. Ishin “Malësorja” e Lorenc Antonit, “Baresha” e Rexho Mulliqit dhe “Loja” e Valton Beqirit ato që u prezantuan para nxënësve të klasave të gjashta deri në të nëntat, nga Prishtina dhe Peja, dhe një koncert si ky ka mision të shumëfishtë për një brez, që siç thotë dirigjenti Gridi Kraja rritet “me muzikë nga më të çuditshmet që është në treg”

Në një bashkëbisedim muzikor midis arsimit dhe kulturës, orkestra e Filharmonisë së Kosovës në kuadër të programit “Arti në shkolla” po synon t’i njoftojë nxënësit e shkollave fillore me repertorin e pasur të muzikës klasike shqiptare dhe botërore. Kjo nismë, e krijuar për të kultivuar një afinitet për muzikën klasike, u shpalos si një simfoni mësimi dhe kënaqësie.

Koncerti i mbajtur në Atelienë e Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, të mërkurën mirëpriti nxënës të shkollave fillore nga Prishtina dhe Peja. Mbi 500 nxënës nga klasa e gjashtë deri në të nëntën dëgjuan me vëmendje programin në përbërje prej veprave të njohura në repertorin e muzikës klasike shqiptare. Salla ka qenë e vogël dhe janë mbajtur dy koncerte me të njëjtin program. Ka nisur me “Malësoren” e Lorenc Antonit, vazhdoi me “Bareshën” e Rexho Mulliqit dhe përfundoi me “Lojën” e Valton Beqirit, të gjitha nën drejtimin e dirigjentit nga Shqipëria, Gridi Kraja.

Drejtori i Filharmonsë, Baki Jashari, i cili fillimisht i ka njoftuar nxënësit me orkestrën e institucionit që e udhëheq, ka theksuar rëndësinë e ekspozimit të fëmijëve ndaj trashëgimisë së kompozimeve klasike shqiptare.

“Arti në shkolla” shfaqet si një përpjekje për të futur edukimin kulturor në kurrikulë. Qe nismuar në pranverën e sivjetme si program ndërministror midis Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal, ku përfshihen orë të veçanta të artit me ligjërata prej artistëve, vizita direkte në institucione kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore e pjesëmarrje e nxënësve në shfaqje e koncerte të ndryshme artistike.

“Bazuar në programin ‘Arti në shkolla' i cili është i licencuar nga Ministria e Kulturës, kemi menduar që nxënësit e klasave më të ulëta t’i njoftojmë me vlerat kombëtare të muzikës tonë. Jo rastësisht janë zgjedhur veprat e disa kompozitorëve nga gjeneratat e ndryshme. Fillimisht Lorenc Antoni dhe Rexho Mulliqi, të cilët janë dy kolosë të muzikës artistike në Kosovë me vepra mjaft reprezentative si ‘Malësorja’ apo ‘Baresha’. Kjo ishte arsye që t'i tregojmë rinisë që ne kemi kompozitorë të gjeneratave të vjetra, dhe natyrisht edhe Valton Beqiri që i takon gjeneratës më të re”, ka thënë Jashari.

Reagimet e fëmijëve pas përfundimit të çdonjërit kompozim hodhën dritë mbi mirëpritjen e nismës “Arti në shkolla”. Përgjigjja entuziaste e tyre ndaj “Bareshës” gjatë koncertit tregoi e dëshmoi edhe më tërheqjen ndaj kompozimeve të njohura, duke e marrë parasysh famën e kompozimit të Rexho Mulliqit.

Mësuesit e muzikës të cilët mbajnë një rol kryesor në këtë nismë kanë folur për interesin që nxënësit në të vërtetë e kanë për muzikën klasike në përgjithësi.

Arsimtarja Jehona Stafa ka bërë të ditur rëndësinë e kësaj ngjarjeje për pasurimin e njohurive të nxënësve mbi muzikën dhe vlerat.

“Është shumë e rëndësishme për nxënësit e shkollave prej klasës së gjashtë deri në të nëntën, ndoshta edhe më herët ato që i flasim në teori, të kemi mundësi t’i shohim dhe dëgjojmë drejtpërdrejt. Nxënësit kanë kërkuar vazhdimisht dhe këtë mundësi na e ka ofruar Filharmonia e Kosovës, të cilët e kanë bërë të pamundurën duke marrë parasysh që ne si shkolla ‘Ismail Qemali’ jemi shumë në numër. Besoj që do të bashkëpunojmë edhe herëve të tjera në mënyrë që nxënësve që u kemi mbetur borxh t’i sjellim, në mënyrë që të shohin nga afër një orkestër”, ka thënë Stafa, arsimtare e muzikës në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet.

Ndërsa arsimtarja Aurela Muriqi nga shkolla “Dëshmorët e Kombit”, në fshatin Baran të Pejës, ka vënë theksin te mungesa e infrastrukturës për të zhvilluar në praktikë ato që i mësojnë nga tekstet shkollore. Megjithatë, sipas saj, kjo nuk e pengon vullnetin e nxënësve qoftë për të shprehur apo zhvilluar talentin kur bëhet fjalë për formimin e ansambleve dhe koreve të vogla në kuadër të shkollës.

“Muzika klasike, simfonitë dhe format e saj janë të përfshira në klasën e tetë dhe kryeveprat dhe epokat janë të përfshira në klasën e nëntë, ndërsa për klasën e gjashtë dhe të shtatë përfshihet pjesa teorike dhe praktike e muzikës. Problemi është që kemi mungesë të instrumenteve, por me mundësitë që i kemi nuk është se e lëmë anash“, ka thënë Muriqi.

Programi nuk ka nisur thjesht si një ngjarje kulturore, por si një urë lidhëse midis traditës dhe edukimit bashkëkohor. Jashari ka treguar që para se ky program të përkrahej nga Ministria e Kulturës është praktikuar vite më parë nga Filharmonia. Çdoherë me qëllimin e kultivimit të vlerave duke filluar nga më të vegjlit.

“Ne disa vjet më herët me vetiniciativë si Filharmoni e Kosovës patëm organizuar një koncert për nxënës të shkollave fillore me një vepër shumë të përshtatshme siç është ’Karnevali i shtazëve’ dhe ajo ka lënë shumë përshtypje dhe kemi menduar se kjo duhet të vazhdojë”, ka bërë të ditur Jashari.

Duke ndarë përvojat e tyre, fëmijët kanë folur për atë se si koncerti u ka zgjuar kureshtjen për muzikën dhe historinë e thurur në notat e kompozimeve të njohura. Për pjesën më të madhe të nxënësve kjo ishte hera e parë e pjesëmarrjes në një koncert të muzikës klasike.

Eda Muji, në klasën e gjashtë, me emocion ka folur për përvojën. Ka theksuar edhe atë që ka mësuar deri tash në shkollë sa i përket muzikës klasike.

“Më ka pëlqyer shumë, sepse jam munduar që ta ndiej dhe ta përjetoj muzikën klasike. Jam ndarë shumë e kënaqur dhe uroj që orkestra të jetë çdoherë më e mirë dhe më e zhvilluar”, ka thënë Muji, nxënëse e klasës së gjashtë.

Për dirigjentin nga Shqipëria, Gridi Kraja, problemi për këto gjenerata qëndron te ajo se me çfarë muzike përballen sot e që sipas tij bie në kundërshtim me vlerat që arti muzikor duhet të përçojë. Iniciativa të tilla ka thënë se duhen ndërmarrë më shpesh.

“Përshtypjet e mia janë nga më pozitivet në aspektin që këto janë gjëra të domosdoshme sidomos për brezat e rinj, aq më tepër që po jetojmë në një kohë kur brezat rriten me muzikë nga më të çuditshmet që është në treg dhe kam përshtypjen që nuk është as e shëndetshme në aspektin intelektual dhe kulturor për të ardhmen”, ka thënë Kraja.

Ndër të tjera, Baki Jashari ka treguar se ky program, duke njohur pjesëtarët më të rinj të shoqërisë me muzikën klasike, kultivon edhe ndjenjën e krenarisë kulturore dhe i hap rrugën një brezi që vlerëson trashëgiminë artistike. Ka thënë se shpërfaqja e vlerave të larta muzikore mbetet qëllim më vete.

“Ne e dimë që është koha e internetit, e muzikës video dhe e kanaleve të ndryshme të muzikave të zhanreve të tjera që mbizotërojnë në skenën mediale, kështu që promovimi i muzikës së mirëfilltë është mision i secilit institucion kulturor, natyrisht edhe i Filharmonisë së Kosovës", ka përfunduar Jashari.

Koncerti i së mërkurës nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka qenë i treti në kuadër të programit “Arti në shkolla”. Duke u mbështetur në suksesin e tri koncerteve të mëparshme, ngjarja e ardhshme premton një përzierje të muzikës dhe lëvizjes, derisa Baleti Kombëtar i Kosovës do të dalë para fëmijëve, përkrah orkestrës për të luajtur “Arrëthyesin” e mirënjohur të Tchaikovskyt.