Kulturë

“Arti në mbrojtje të ambientit” vjen me alarmin për të ardhmen

Prishtinë, 30 gusht - Bora Banishta këtë vit do të nisë vitin e parë në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Mirëpo, me gjithë testet për t’u pranuar në klasën e dhjetë, gjatë verës ajo është preokupuar edhe me çështjen e ambientit.

Banishta është në tetëshen e klubit “Artteen”, që të enjten në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka hapur ekspozitën “Arti në mbrojtje të ambientit”. Ekspozita njëherësh është finalizim i projektit “Artteen”, laboratori e kreativiteti që organizohet nga GKK-ja në kuadër të programit të edukimit. Projekti që sivjet shënon edicionin e dytë ka për qëllim që të mbledhë adoleshentët e talentuar në arte vizuale dhe së bashku me ta të punojë në mediume të ndryshme të artit vizual.

Banishta në këtë ekspozitë ka ngritur pyetjet se çfarë nëse do të duhej të paguhej për ajrin. Nëse në këtë formë do të ruhej ambienti më shumë, është pyetja pasuese. Këto i ka shtuar me disa fotografi ku shihet një vajzë duke blerë një qese me oksigjen, duke e paguar atë e duke e thithur për të gjalluar. Qese të njëjta të mbushura me ajër, por të madhësive të ndryshme janë sjellë në GKK. Në një qoshe në katin e dytë vizitorëve ua ka ofruar të blinin qese me ajër me çmime prej 2, 4 dhe 9 eurosh.

“Nëse kthehemi prapa në kohë dhe mundohemi t’i shesim dikujt një shishe me ujë do të ishte diçka qesharake. Në të njëjtën mënyrë nëse ne sot ia shesim një qese me ajër dikujt, do të qeshej me neve”, ka thënë Banishta, duke shtuar se në fakt ky është një reflektim dhe thirrje kundër ndotjes së ajrit.

Polat Ismajlit, 14 vjeçar, nuk i është dashur që të largohej shumë nga GKK-ja, ku së bashku me pjesëmarrësit e tjerë ka kaluar pesë muaj duke punuar për këtë ekspozitë. Në parkun që rrethon bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, e që është edhe pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës, ai ka fotografuar disa shishe të plastikës të hedhura gjithandej.

Në këtë ekspozitë përveç veprave të Ismajlit dhe Banishtës janë prezantuar edhe ato të Eurta Salihut, Diona Krasniqit, Rina Hajrullahut, Erika Arllatit, Rea Ukmatës dhe Zana Begollit.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")