Washington, 16 prill – Janë dashur 500 vjet, por Tintoretto, njëri nga mjeshtrit më të mëdhenj të Renesancës dhe një gjigant i artit të Evropës, më në fund ka debutuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për herë të parë, disa nga veprat e tij më të mira janë sjellë në Galerinë Kombëtare të Artit në Washington për një ekspozitë madhështore që shënon një përvjetor të veçantë të artistit, atë të lindjes. Tintoretto u lind më 1518 ose 1519.
Disa prej veprave në këtë ekspozitë nuk kanë dalë asnjëherë nga Venecia, vendi ku Tintoretto ka jetuar e punuar për 75 vjet. Disa të tjera nuk ka qenë e mundur të përfshihen pasi ishin në dimensione shumë të mëdha, nuk mund të futeshin nëpër dyert e Galerisë, por edhe ishin të brishta për udhëtim, shkruan sot Koha Ditore.
“Tintoretto ka punuar në një nivel të jashtëzakonshëm”, ka thënë bashkëkuratori Frederick Ilchman. “Ai kishte ambicie që të mbulonte secilin mur të qytetit të tij dhe vërtet ka pasur mendime të mëdha. Për të mënyra e përçimit të gjërave ishte të veprohej në shkallë kolosale”.
Emri i vërtetë i tij ishte Jacopo Robusti, por e kishte adoptuar shkurtesën “Ngjyrosësi i vogël”. Ai ishte një pionier në formatin e erën e re të vajit në pëlhurë. Ishte novator, vazhdimisht kërkonte mënyra të reja që të sjellë historitë biblike dhe ato të mitologjisë klasike. Drama ishte më e rëndësishme për të sesa një përfundim i detajuar.
Pikturat në vaj në sipërfaqe të mëdha i kanë dhënë artistit mundësinë që të eksperimentojë me madhësinë e cilësinë. Në vend që njerëzit të shkojnë për të parë artin në një vend të caktuar që nuk mund të lëvizet, pikturat në pëlhurë edhe ato më të mëdhatë mund të mbështillen e të udhëtojnë gjithandej botës.
Për narracionin e pikturave të tij, artisti ka përdorur një figurë humane, zakonisht muskulor dhe të tërhequr nga jeta. Ato kapin sytë e publikut nëpërmjet skenave komplekse e dramatike, nganjëherë edhe të befasishme.
“Ai dëshiron t’ju bëjë juve të dukeni më i zoti”, ka thënë Ilchman. “Ju merrni diçka më me seriozitet nëse nuk arrini ta kapni figurën menjëherë. Është një sens që sikur na fton neve që të bëhemi pjesë e procesit, sikurse ta kishte menduar mirë këtë subjekt para se të fillonte punën në pikturë”.
“Shën George dhe Dragoni”, pikturuar rreth vitit 1560, është një nga veprat më të njohura dhe paraqet hapësirën më të madhe eksperimentuese.
Përderisa Shën George e vret bishën në sfond, është princesha që merr vëmendjen tonë e jo heroi. Ajo nxiton drejt nesh dhe duket sikur do ta dalë nga pëlhura me mantelin e gjërat e tjera që mban. Drita veç sa e shton tensionin.
Përderisa shumë artistë kanë përshkruar historinë biblike të Darkës së Fundit me dinjitet dhe përmbajtje, dishepujt e Tintorettos janë të tronditur për të mësuar se njëri prej tyre do ta tradhtojë Jezusin në mëngjes.
Në versionin e tij më të famshëm të Darkës së Fundit (1563/1564), ata tërhiqen ose shtrihen për të dëgjuar më me vëmendje. Një karrige është e rrëzuar, ndërsa një mace gri duket sikur përfiton nga konfuzioni për të nuhatur ushqimin në dysheme.
Tintoretto ishte gjithashtu produktiv duke organizuar punëtori ku sillte veprat e tij. Në shekullin XVI, Venecia ishte një qendër tregtare dhe krijuese për artistët ku përfshihet edhe rivali i tij i madh Titian.
"Titian - 30 vjet më i vjetër – më të vërtetë donte të bllokonte Tintoretton kurdoherë që të ishte e mundur. Por Tintoretto punoi piktura me përmbajtje fetare të formatit të madh, diçka që Titian pasi kaloi moshën e mesme nuk e bënte më”, ka thënë IIchman/BBC.