Dita e dytë e Festivalit “Art Without Limit” nisi me programin për fëmijë. Në ekranin e madh të Kino Armatës, përballë rreth treqind nxënësve të shkollës “Faik Konica” të Prishtinës e “Vëllezërit Frashëri” të Lipjanit, nisën të shfaqeshin filmat e animuar. Secili prej tyre ka shpalosur një botë ndryshe të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“A life with Ci” nën regji të Eric Giessmann e Piers Goffart, nga një realitet i errët dhe pa jetë për shkak të mosdëgjimit, shndërrohet në jetë plot gjallëri pas rikthimit të dëgjimit. Në fakt filmi është shpalosje e historisë së vet Giessmannit, i cili rikthen dëgjimin pas implantit koklear.
“Shpesh hasim mungesë mirëkuptimi dhe diskriminim me të metat tona. Ashtu si verbëria na largon nga objektet, shurdhimi ynë na largon nga njerëzit”, thuhet në përshkrimin e filmit në rrjete sociale.
“Percy talks” nga regjisori Diego Raf Diaz është veç një fragment drejt eksplorimit të botës së autistëve. Personazhi kryesor njihet si personi i cili komunikon me fëmijët me autizëm, për të kuptuar më shumë nga ndjenjat dhe përjetimet e tyre. Ndërkaq nëpërmjet skenave komike, ironizohet çështja e mungesës së infrastrukturës për personat në karrocë në filmin “On the obvious rights of citizenship” nga Reza Khodadai. Një tjetër film që përçon mesazh qe edhe “Win and lose” ku regjisori Mohammadsadegh Hosseinpour, i cili në një ambient lufte shpreh indinjatën e mosrrëfimit të një fëmije për këmbën me protezë. Mirëpo, gjendja e tij shëndetësore del në pah në mes të një loje volejbolli, në një pjesë ku dy vendet kufizohen nga telat me gjemba.
Dy taborët shfaqen në film: ata që mbështesin personat me nevoja të veçanta dhe ata që e kursejnë. “Nora, very capable girl” nën regjinë e Alejandro Balanco dhe Noa de Los Reyes në një ambient të terapisë me kuaj shprehin anët e ndryshme të shoqërisë. E në fund “What really helps” nga Katharina Weikl përveç jetesës së personave me aftësi të kufizuara, ngre vëmendjen edhe për rastet e krizave. Rrëfimi shpaloset në Ugandën Perëndimore, ku në kampin e refugjatëve zhvillohen ndihma humanitare për të pavarësuar popullsinë e sapo dalë nga lufta.
Pas rrëfimeve të huaja, ishin personazhet vendore ata të cilët folën përmes artit muzikor. Me veshje kombëtare, zotërim të jashtëzakonshëm të skenës dhe me çiltërsi përgjatë këndimit, 18-vjeçarja e diagnostikuar me sindromën Down, Noemi Massara interpretoi këngët “Koha shpejt po kalon” dhe “Kënga shqiptare”.
“Ndjenjat e mia janë pozitive, sepse jo vetëm se u rrita në Shqipëri por njerëzit që janë shqiptarë dhe jetojnë në Prishtinë e në Kosovë janë njerëzit tanë të zemrës dhe meqë kam ardhur sot këtu, kam ardhur me buzëqeshje e pozitivitet”, ka thënë ajo.
Për gjatë gjithë bisedës ajo përmend prindërit e saj si rol kyç në formësimin e saj si këngëtare për fëmijë.
Nxënësit e qendrës burimore “Përparimi” në Prishtinë dhanë emocione të veçanta përmes tri pjesëve të programit: “We are the world” nga Micheal Jeakson, loja në tentim të sinkronizimit të muzikës me ritëm dhe në fund energjia e jashtëzakonshme e “We will rock you” bëri që salla të ushtojë nga duartrokitjet në sallë.
Mësimdhënësja e muzikës në këtë qendër, Blerina Kallaba, thotë se vullneti i nxënësve është gjithmonë në nivel për këso organizimesh.
“Këta fëmijë kanë potencial, përveç aftësive të kufizuara kanë edhe aftësi të veçanta e që detyrë jona është t’i zbulojmë, zhvillojmë e të paraqitemi para publikut”, ka thënë ajo. Sipas saj, përgatitja s’ka qenë proces i lehtë dhe ka zgjatur diku deri një muaj.
“Është shumë e rëndësishme përfshirja e këtyre fëmijëve ne aktivitete kulturore në vend, sepse të gjithë jemi të ndryshëm, por të barabartë”, ka thënë Kallaba.