Aktori kosovar Arti Lokaj ka fituar rol në njërin prej serialeve më të ndjekura amerikane “Madam Secretary”, me producentë Morgan Freeman dhe Eric Stoltz. Ai është ftuar të premten nga producenti Stoltz, pasi paraprakisht ka kaluar audicionin e mbajtur tri ditë më parë.
Skenat për episodin e ardhshëm, pjesë e të cilit do të jetë Arti, do të xhirohen në fund të muajit tetor.
Ky serial trajton zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë dhe vende të tjera ku është e përfshirë politika e jashtme amerikane.
Për Artin, një rol i tillë është mundësi e mirë për depërtim në skenën filmike amerikane.
“Jam shumë i lumtur së pari të vlerësohem nga aktorët e mëdhenj që tash janë producentë në këtë film, si Eric Stoltz para të cilit jam prezantuar në audicion. Ky është një rast shumë i mirë për mua, që më jep mundësi të punoj me një prej ekipeve më profesionale të filmit në SHBA”, ka thënë në një deklaratë për “Kohën Ditore”.
Edhe
Kushtrim Hoxha si agjent turk në “Madame Secretary” me yje botërore
Arti ka qenë pjesë edhe e projekteve të tjera filmike të cilat janë shpërblyer me çmime ndërkombëtare. Në filmin “Gardhi”, me regji të Lendita Zeqirajt, Arti luan rolin kryesor dhe për të është shpërblyer në një prej festivaleve më prestigjioze amerikane, “Palm Springs Short Movie Festival”. Ai është pjesë e kastës së aktorëve të një filmi tjetër. Së shpejti pritet të publikohet filmi i metrazhit të gjatë “Aga”, me regji të Lendita Zeqirajt, ku rolin kryesor do ta ketë Arti. Ndryshe, këtë të diele në Festivalin e filmit Humptons në SHBA do të shfaqet “Gardhi”,në të cilin interpreton Arti.
Në “Madam Secretary” − drama politike televizive që ka protagoniste aktoren Tea Leoni (si Elizabeth McCord), një ish-analiste e CIA-s dhe profesoreshë e shkencave politike, që bëhet sekretare e shtetit – Art Lokaj bëhet aktori i dytë kosovar. Kushtrim Hoxha, në këtë produksion luan Orhanin, një agjent turk dhe xhirimet tashmë i ka përfunduar. Siç ka raportuar gazeta të mërkurën, episodi ku luan Hoxha do të transmetohet më 11 nëntor.