Kulturë

“Aromë portokalli” me tinguj çiftelie në Hamburg

E gjithë orkestra e Filarmonisë së Hamburgut ndalet, kur Hava Bekteshi interpreton me çifteli.

Instrumentistja nga Kosova, nuk e ka ndërmend t’i ndahet instrumentit të njohur shqiptar me dy tela edhe në performancat e tjera në Gjermani.

Së fundmi, është bërë pjesë e një festivali online në Hamburg. Së bashku me artisten vietnameze e ka interpretuar këngën e njohur shqiptare “Aromë Portokalli”.

Bekteshi thotë se është ndjesi e veçantë ta interpretojë këtë këngë në zhanrin “elektro-folk”. Ajo rrëfen se sa shpejt këngëtarja vietnameze e mësoi tekstin e këngës në shqip.

Tingujt e çiftelisë i ka gërshetuar në zhanre të ndryshme muzikore. Ajo thotë se çiftelia po pranohet shumë mirë nga të huajt.

Këngën “Aromë Portokalli”, Bekteshi e ka interpretuar edhe në një shou muzikor në Gjermani.

Krahas bashkëpunimeve me muzikantë ndërkombëtarë, ajo e ka fort për zemër interpretimin me instrumentistin e njohur kosovar, Fatmir Makolli.

Hava Bekteshi do të marrë pjesë edhe në dy koncerte me Filarmoninë e Hamburgut, të cilat janë anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.