Kryeqyteti i Shqipërisë për pesë ditë është nikoqir i festivalit evropian të filmit arkeologjik “Arkeovizion”. Tema e edicionit të sivjetmë është “Kthim në të ardhmen” dhe fokusohet në trashëgiminë arkeologjike. Festivali që sivjet shënon edicionin e dytë, prezanton tetë filma nga Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia. Hapja të hënën është bërë me podkastet nga Apolonia, në Muzeun e Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike.
Ka pasuar filmi “Muzeu arkeologjik i Napolit, mbartësi i qytetërimit” nën regji të Laura Pintusit, i cili në 52 minuta ka shpalosur rrëfimin për këtë institucion muzeor të njohur botërisht. Shqipëria përfaqësohet me dy dokumentarë në këtë festival: “Një udhëtim në kohë në gjurmët e karvanëve të Jugut të Shqipërisë” dhe “Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria”. Projeksioneve të filmave u paraprin prezantimi dhjetëminutësh mbi një temë nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj. “’Arkeovizion’ nisi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka gjetur mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim qasjen ndaj ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët, ashtu edhe për të huajt, si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike, si novacioni digjital, turizmi”, shkruhet në prezantimin e Festivalit.
Sipas Akademisë së Studimeve Albanologjike, regjisorët e kamerat e tyre e çojnë publikun në vendet më të famshme ose ende të panjohura të Evropës, do të tregojnë bukurinë e zbulimeve dhe historitë e tyre të fshehura e misterioze.
“Por këta filma tregojnë gjithashtu rëndësinë e madhe të ruajtjes së kulturave dhe trashëgimisë për të përforcuar ngjashmëritë dhe dallimet”, thuhet në njoftimin e Akademisë.
Në këtë edicion festivali mbahet në dy hapësira: Muzeu Arkeologjik dhe në Sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar.