“Në një epokë kur moderniteti gjithnjë e më shumë po shkallëzon vlerat tradicionale, ky koleksion privat i veshjeve popullore është një thirrje për të kujtuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore të Kosovës”. Kështu fillon hyrja e katalogut, si për të rikujtuar rëndësinë dhe peshën e kësaj ekspozite në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Çdo veshje ka një histori për të treguar, një emocion të fshehur në çdo penjëz e drugëz të endur mbi të. Ky koleksion i Lajde Kolgjerajt ngërthen në vete rrëfime, më shumë se një trashëgimi materiale ajo bart dhe atë shpirtëroren
Zymi i hirtë për nga moti me shi, të paktën në një ambient kishte shumë ngjyra. Janë veshjet tradicionale hasjane, pjesë të koleksionit të pasur të Lajde Kolgjerajt, të cilat ajo vendosi t’i shfaqte në një ekspozitë krahas katalogut “Arka e Zymit: Koleksioni i veshjeve hasjane”.
“Në një epokë kur moderniteti gjithnjë e më shumë po shkallëzon vlerat tradicionale, ky koleksion privat i veshjeve popullore është një thirrje për të kujtuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore të Kosovës”. Kështu fillon hyrja e katalogut, si për të rikujtuar rëndësinë dhe peshën e kësaj ekspozite në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Çdo veshje ka një histori për të treguar, një emocion të fshehur në çdo penjëz e drugëz të endur mbi të. Ky koleksion ngërthen në vete rrëfime, më shumë se një trashëgimi materiale, ajo bart dhe atë shpirtëroren.
Përkushtimi i Lajde Kolgjerajt në mbledhjen e veshjeve popullore të Hasit filloi menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë në fillim të viteve 2000. Ajo me vetiniciativë filloi të mbledhë veshjet fillimisht nga familjarët e saj e pastaj edhe më gjerë. Ky koleksion, i cili po pasurohej dita-ditës e për të cilin nuk dihej se çfarë do të ndodhte me të, ishte një vizitë e Kolgjerajt në Katakombet e Vatikanit, ku ajo u inspirua nga rëndësia që i ishte dhënë çdo eksponati atje. Me t’u kthyer në Zym, ajo veç e kishte ndarë mendjen. Kishte një qëllim të qartë tashmë, dhe filloi të grumbullonte veshjet e zonës së Hasit, përkatësisht të fshatrave si Zymi, Shëngjergji e Bregdrini. Kjo iniciativë me kalimin e viteve filloi të mbështetej edhe nga banorët e zonës, të cilët adresën e zonjës Lajde tashmë e shihnin si shpëtim për veshjet e vjetra të nënave e gjysheve të tyre.
Ky koleksion i formësuar ndër vite kishte nevojë të trajtohej me qasjen e duhur në kujdesin dhe kuptimin e rëndësisë së tij. Andaj Shkolla Verore e Antropologjisë e mbajtur në korrik të këtij viti në kuadër të Departamentit të Antropologjisë së Universitetit të Prishtinës i dha krah iniciativës. Me një ekip prej 10 studentësh, nën mentorimin e profesorit Arsim Canolli filloi procesi i inventarizimit të këtij koleksioni.
Olisa Çekaj, pjesëmarrëse në procesin e inventarizimit, ka treguar se gjatë dy ditëve dy grupe punuese kanë filluar punën me klasifikimin e veshjeve nga arkat e familjes Kolgjeraj, nga të cilat janë inventarizuar 354 njësi. Këto arka përfshinin pjesë tekstili, si: këmisha, marama, pështjellakë, xhamadanë, jelekë, guja, kapama, dolloma, mitanë, gjoksore, aksesorë dekorues, qilima, çorape e të tjera.
“Të gjitha këto njësi i kemi klasifikuar në bazë të karakteristikave dalluese si ngjyrat, motivet zoomorfe, astrale, religjioze, pastaj i kemi marrë dhe dimensionet e tyre”, ka rrëfyer ajo duke theksuar se janë munduar që si ekip gjithashtu t’i datojnë veshjet e dala nga arkat.
Kontribut tjetër i rëndësishëm i këtij ekipi të punës ishin edhe fotografimi dhe dokumentimi i veshjeve, të cilat pastaj kanë ndihmuar në përmbajtjen e katalogut.
Këtë iniciativë e ka përgëzuar Genc Tetaj, koreograf i pranishëm në ekspozitë, i cili e vlerësoi atë si ruajtje të trashëgimisë dhe mundit e sakrificës së të parëve.
“Shpresoj që kjo iniciativë të merret si shembull edhe nga zonat e tjera, sepse është momenti i fundit që të ruajmë diçka të vjetër dhe ta trashëgojmë te gjeneratat e reja” shtoi ai.
Ky koleksion me 844 njësi ruhet brenda ambienteve të shtëpisë së banimit të Lajde Kolgjerajt, pjesë e së cilës në vitin 2021 nga manifestimi kulturoro-letrar “Takimet e Gjeçovit” u shpall si “Shtëpia e veshjeve hasjane”, e që njëherësh shërbeu si hapësirë e ekspozitës, e cila ishte e mbushur me eksponate dhe vizitorë të cilët admirojnë jetësimin e këtij koleksioni.
Lajde Kolgjeraj e emocionuar u shpreh se ndihet tashmë e përmbushur që arriti ta mblidhte këtë koleksion dhe krenare që shpalosi përmes tij të kaluarën e banorëve të asaj ane.
Ajo për të ardhmen ka plane konkrete.
“Mendoj që ta bëj një shtëpi-muze, dhe të zgjeroj koleksionin e veshjeve me ato të krahinave të tjera të Kosovës”, ka thënë ajo.
Shiu i cili përcolli gjithë ekspozitën në fundjavë dhe fjalimet e të pranishmëve dukeshin sikur një metaforë e përsosur për të interpretuar si vaj nevojën urgjente që aspektet si ruajtja e veshjeve kombëtare të trajtohen me seriozitet, njëjtë si iniciativa e Lajde Kolgjerajt.
Kjo ekspozitë është një dëshmi e përkushtimit të Kolgjerajt për të ruajtur pasurinë kulturore hasjane. Andaj shërben si një frymëzim për të vlerësuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore, pasi që ruajtja e veshjeve tradicionale është një akt i kujdesit ndaj vetë identitetit.