Kulturë

“Antologji e kompozitorëve kosovarë” për dy dekadat produktive në muzikë

“Listening the Earth” është kompozimi i parë, partitura e të cilit është botuar në “Antologjinë e kompozitorëve kosovarë: kompozitorët e rinj 2000-2020”. Vepra e Trimor Dhomit, e cila vjen si rrjedhshmëri e ndryshimeve globale të mjedisit dhe të përbërjes të natyrës e tokës, është vetëm njëra prej atyre që zënë vend në botimin e shtëpisë botuese “MAGMUS”. Përthekohet krijimtaria e 25 kompozitorëve të rinj të cilët veprimtarinë e tyre e ushtruan gjatë periudhës 2000-2020. Gjithë kjo punë, e cila synim e ka dokumentimin e kompozimeve të muzikës klasike por edhe studimin e mëtejshëm të tyre, është përgatitur nga kompozitori dhe pianisti Libur Jupolli.

Në “Antologji e kompozitorëve kosovarë: kompozitorët e rinj 2000-2020” e promovuar të martën në kino “Armatë”, përveç Dhomit, është dokumentuar edhe veprimtaria e Arta Zeqirajt, Artan Hasanit, Kushtrim Gashit, Dafina Zeqiri-Nushit, Memli Kelmendit, Korab Shaqirit, Drinor Zymberit, Liburn Jupollit, Florent Shasivarit, Muhamed Bislimit, Ardian Halimit, Vedat Lushtakut, Hajrulla Sylës, Arbër Salihut, Rron Karahodës, Yllnor Kurtit, Anda Kryeziut, Valton Kuqit, Bardh Dubovcit, Blond Krasniqit, Ylli Daklanit, Diar Zasellës, Leutrim Sahitit dhe Ersan Januzit.

Liburn Jupolli, i cili është edhe udhëheqës i shtëpisë botuese “MAGMUS”, ka thënë se dy dekadat e fundit janë më produktivet në historinë e muzikës kosovare, me një zhvillim në drejtime të shumta, si në infrastrukturë, prodhimtari vendore artistike dhe eksport ndërkombëtar të interpretuesve dhe kompozitorëve, e po ashtu edhe në zhvillim të strukturave arsimore dhe të një varieteti kreativ të paparë më herët.