Kulturë

Animacioni kosovar, premierë botërore në festivalin kualifikues për “Oscar”

Nëpërmjet kartëmonedhës 100 marka gjermane, ku vërehet portreti i pianistes gjermane me nam, Clara Schuman, regjisori kosovar ka vendosur ta tregojë një rrëfim universal. Animacioni i shkurtër “Clara me mustaqe” u kushtohet fëmijëve në të gjithë botën, të cilët vuajnë nga lufta dhe dhuna. “Clara me mustaqe”, nën regji të Ilir Blakçorit, është përzgjedhur zyrtarisht për ta dhënë premierën botërore në festivalin e njohur amerikan të filmit “Santa Barbara International Film Festival”. Festivali ua jep filmave fitues mundësinë që të kualifikohen për pjesëmarrje në Akademinë e Çmimeve “Oscars”

Imazhi i parë që shfaqet në trilerin e filmit të shkurtër të animuar “Clara me mustaqe” është kartëmonedha 100 marka gjermane, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos është ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme, duke na zbuluar kështu rrëfimin që fshihet prapa animacionit që ka nisur mbarë udhën e tij. “Clara me mustaqe”, nën regji të Ilir Blakçorit, është përzgjedhur zyrtarisht për ta dhënë premierën botërore në festivalin e njohur amerikan të filmit “Santa Barbara International Film Festival”. Festivali ua jep filmave fitues mundësinë që të kualifikohen për pjesëmarrje në Akademinë e Çmimeve “Oscars”.

“Santa Barbara International Film Festival” edicionin e sivjetmë do ta mbajë nga 31 marsi deri më 10 prill. Filmat që janë pjesë edicionit të 36-të do të shfaqen në dy kinema në bregdet. Për shkak të pandemisë, prurjet e sivjetme do të mund të shihen vetëm nga vetura në kinematë “Drive-in”, fama e të cilave u rikthye për shkak të koronavirusit. Gjatë gati katër dekadave, “Santa Barbara International Film Festival”, që mbahet në bregdetin qendror të Kalifornisë, është bërë një ndër festivalet kryesore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbledhur më shumë se 100 mijë vizitorë. Çdo vit, synim e kanë përmbushjen e misionit të tyre: përfshirja, pasurimi dhe frymëzimi i njerëzve përmes fuqisë së filmit.

“Ne e festojmë artin e kinemasë dhe sigurojmë një eksperiencë me ndikim edukues për komunitetin tonë lokal, kombëtar dhe global”, është shkruar në ueb-faqen zyrtare të festivalit, i cili mbahet në qytetin Santa Barbara.

Sipas regjisorit Ilir Blakçori, i cili është edhe skenarist i animacionit “Clara me mustaqe”, kjo vepër filmike me metrazh te shkurtër është vepra e parë kosovare e këtij lloji që ka filluar të depërtojë nëpër festivale të njohura ndërkombëtare. Ka thënë se frymëzimi për këtë film të animuar me metrazh të shkurtër erdhi nga vetë përvoja e luftës së fundit në Kosovë.

“Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet dhe autoritet dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyjave është paraja. Që nga viti 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane. Për këtë arsye atë e shohim si një dëshmitare të përvojave të tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre të 1998-1999”, ka thënë ai.

Ka treguar se personazhi kryesor është pikërisht kartëmonedha e markës gjermane, e cila udhëton nga një person në tjetrin, duke zbuluar historitë e tyre dhe perspektivat.

“Duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Ajo mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion dhe shpresë për një të ardhme më të mirë”, ka thënë regjisori.

Ai bashkë me ekipin ka pesë vjet që punojnë në këtë animacion të shkurtër.

“Pasojat e luftës dhe përvojat e njerëzve janë pak a shumë të njëjta kur flasim për luftën dhe konfliktet. Për këtë arsye, ky film aspiron ta prekë një audiencë globale, duke treguar një histori universale, pa dialogë, të bashkuar në një mënyrë shumë artistike”, ka thënë Blakçori. Ka shtuar se filmi u kushtohet 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën sot, të cilët vuajnë nga lufta dhe dhuna. “Sepse, në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.

Produksioni është realizuar nga “Molos” dhe mbikëqyrëse e animacionit është Vala Blakçori, e cila ka master për animacion të karakterit në “Animation Mentor” në Kaliforni. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante, që u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra”, në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është komponim i vetë kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellë në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.

“Shpresojmë se ky film t’ju shërbejë si një pasqyrë ku e gjeni veten, apo ku mësoni diçka të re, si dhe një nxitës që herën tjetër kur ta hasni një para letre në dorën tuaj të mendoni se si ka mbërritur ajo deri aty dhe çfarë historie mbart me vete”, ka thënë Blakçori.

“Clara me mustaqe” është pjesë e kategorisë “Short Aanimations”, bashkë me 10 filma të tjerë. Lista plotësohet nga animacioni “The Carousel” nën regji të Valerio Berruti, “First Light” nën regji të Amy Lee Ketchum, “The Great Malaise” nën regji të Catherine Lepage, “I, Barnabé” nën regji të Jean-François Lévesque, “Kapaemahu” nën regji të Hinaleimoana Wong-Kalu, Dean Hamer dhe Joe Wilson, “Malakout” nën regji të Farnoosh Abedi, “The Mechanical Dancer” nën regji të Jenna Jaillet, “Mrs. Taylor’s Shoë & Tell - A Prince Story” nën regji të Victor Dean, “The Unknown” nën regji të Stephanie Marshall dhe “The Winter” nën regji të Xin Li.

Image