Kulturë

Anëtarësimi i Kosovës në organizata kulturore sfidë e institucioneve

Figura të njohura të skenës kulturore në vend dhe në Francë janë bërë bashkë virtualisht për të diskutuar se si dhe kur munden “Euroimages” dhe nënprogrami i “Evropës kreative për media” t'i mbështesin kinematë dhe filmbërësit kosovarë, por edhe për mundësinë që në vitin 2022 të organizohet “Pavilioni i Ballkanit” në Avignon. Të dy diskutimet kanë theksuar punën që duhet bërë nga Qeveria e Kosovës karshi skenës kulturore

Dita e dytë e edicionit të 21-të të “Javës së Frankofonisë” përmes diskutimeve pati në fokus kinematografinë e Kosovës, festivalet dhe teatrot. Në këtë kohë kur pandemia ka lëkundur themelet e tyre, u bisedua se cila është gjendja e tanishme dhe çfarë mund të bëhet më shumë që Kosova të përfshihet në organizata ndërkombëtare. Dita nisi me diskutimin “Si dhe kur munden ‘Euroimages’ dhe nënprogrami i ‘Evropës kreative për media’ t'i mbështesin kinematë, producentët dhe filmbërësit kosovarë”, për të vazhduar me diskutimin “Pavilioni i Ballkanit” në Avignon.

Diskutimi i parë pati për panelistë Arben Zharkun, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Vullnet Sanajën, drejtor ekzekutiv i “Anibarit”, Pascal Brunet, drejtor i “Le Relais Culture Europe”, si dhe Krenare Gashi-Krasniqin nga “Regional Youth Cooperation Office” në Kosovë.

“Eurimages” është fondi i Këshillit të Evropës për bashkëprodhimin, shpërndarjen, ekspozimin dhe digjitalizimin e veprave kinematografike evropiane. Synon të promovojë industrinë e filmave evropianë duke inkurajuar prodhimin dhe shpërndarjen e filmave dhe duke nxitur bashkëpunimin midis profesionistëve. “Eurimages” është i vendosur në Strasburg të Francës. Në prill të vitit të kaluar, me propozim të ish-ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, Qeveria e Kosovës pati aprovuar nismën për t’u anëtarësuar në “Eurimages”. Kosova ende nuk është pjesë e “Eurimages” dhe sipas drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës kjo po e bën të vështirë mbështetjen dhe promovimin e filmave.

“Për shkak të mosanëtarësimit në organizata të tilla neve na është dashur që të krijojmë skena të ndryshme për të promovuar dhe marrë mbështetje për filmat që po rrugëtonin nëpër festivale. Por gjithashtu problematike është edhe pamundësia për të qenë pjesë e programit për media”, ka thënë ai.

Nënprogrami i “Evropës kreative për media” është i dizajnuar për të mbështetur filmat dhe industritë e tjera audiovizuale. Përmes tij mund të sigurohen fonde për zhvillim, promovim dhe distribuim të projekteve brenda Evropës dhe përtej. Këtë vit ky program shënon përvjetorin e 30-të të mbështetjes se filmave evropianë. Në gusht të vitit të kaluar ishte miratuar marrëveshja për “Evropën kreative” në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian pas propozimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ratifikim.

Sipas Zharkut, i mbetet Qeverisë së re që të marrë përsipër anëtarësimin e Kosovës në “Eurimages” dhe në përmbushjen e kritereve që Kosova të ketë të mundshme përfitimin nga nënprogrami “Media”.

“Ndoshta sot do të kemi një qeveri të re, shpresoj një të qëndrueshme e që do të punojë dhe do t’i marrë përsipër këto çështje”, ka thënë ai të hënën paradite.

E Vullnet Sanaja, drejtor ekzekutiv i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, ka thënë se përkrah punës për të marrë mbështetje nga programe të ndryshme ndërkombëtare, duhet punuar që të ketë edhe më shumë përkrahje nga institucionet në vend.

“Ne duhet të krijojmë mundësi pasi që kështu mund të dalë në pah talenti. Por po nuk arritëm që të krijojmë infrastrukturë e mundësi për të rinjtë, le të themi për të realizuar filma të animuar, atëherë nuk do t’ia dalim”, ka thënë ai.

E Krenare Gashi-Krasniqi nga “Regional Youth Cooperation Office” në Kosovë ka thënë se programet e tilla afatgjata janë një ndihmë sidomos për të rinjtë. Pascal Brunet, drejtor i “Le Relais Culture Europe”, Degës së “Evropës kreative” në Francë, që ofron informata dhe këshilla në lidhje me programin evropian “Evropa Kreative”, si në programin në kulturë ashtu edhe në nënprogramin për media, ka thënë se Kosova duhet të nisë punën për të plotësuar kriteret për të përfituar nga dy programet që ishin në qendër të diskutimit. Sipas tij, veçanërisht për nënprogramin për media duhet të shfrytëzohet mundësia që Kosova ka marrëveshje dhe të punojë në plotësimin e kritereve që kanë mbetur.

Ndërsa pjesë e diskutimit të dytë, “Pavilioni i Ballkanit” në Avignon ishin Florent Mehmeti nga teatri “Oda”, Catherine Faudry, atashe kulturor i Ambasadës së Francës në Serbi, që është përgjegjës për programin “Teatroskop” dhe Pascal Kaiser, drejtor i “La Manufacture”. Ky i fundit ka thënë se duhet punuar që në vitin 2022 Kosova të mund të realizojë “Pavilionin e Ballkanit” në Avignon.

“La manifactura”, themeluar në vitin 2001, është më shumë sesa thjesht një teatër. Bën bashkë struktura kulturore brenda Bashkimit Evropian në qytetin Avignon në juglindje të Francës, veçanërisht gjatë ditëve të festivalit që organizojnë.

Kaiser ka thënë se si vizion për vitin e ardhshëm kanë krijimin e hapësirave të reja për artistë, shkëmbimin e përvoja kulturore gjatë festivalit. Përmes një prezantimi ka treguar edhe për kurimin artistik të “Pavilionit” që, siç ka thënë ai, pritet të ketë çdo herë një temë të caktuar dhe të sjellë performanca të ndryshme, arte vizuale e aktivitete të tjera në gastronomi, arkitekturë, dizajn, kinema e të tjera.

Florent Mehmeti nga teatri “Oda” ka thënë se skena e pavarur kosovare vazhdon të përballet me probleme të njëjta, por që këtë vit janë thelluar për shkak të pandemisë.

“Edhe këto ditë nuk kemi një strukturë publike që mbështet organizatat e pavarura në mënyrë afatgjatë, dhe pandemia ka vënë në pah se ne jemi shumë fragjilë. Kështu që disa akterë kanë humbur edhe burime dhe akoma po përballen me vështirësi, pasi që akoma nuk ka diçka nga institucionet që mund të paguajnë ose kompensojnë këto humbje”, ka thënë ai. Ka theksuar se mungon një strukturë edhe për bashkëpunime të qëndrueshme ndërkombëtare. Ka shtuar se bashkëpunimet e tilla mbesin në duar të vetë skenës së pavarur që ka arritur të gjejë vetë programe apo bashkëpunime të caktuara.

“Ka shpresë dhe entuziazëm për të parë se çfarë do të sjellë kjo qeveri. Por ne çdo herë jemi skeptikë bazuar në ato që kanë ndodhur deri tani. Por, sidoqoftë, shpresoj që Qeveria e re të vazhdojë dhe të punojë sidomos për mbajtjen e bashkëpunimeve si me ‘Evropën Kreative’ por edhe me realizimin e bashkëpunimeve të reja”, ka thënë ai.

E Catherine Faudry, atashe kulturor i Ambasadës së Francës në Serbi, që është përgjegjës për programin “Teatroskop”, ka thënë se situata e ngjashme siç është me skenën kulturore në Kosovë është e ngjashme edhe në vende të tjera të Ballkanit.

“Pak a shumë në gjithë rajonin e Ballkanit është kjo pyetja se si të mbështetet skena e pavarur dhe shtetet janë përgjigjur në forma të ndryshme, por është pak a shumë e njëjta mënyrë e konsiderimit të kulturës e që dallon nga vështrimi që kanë shtetet evropiane kundrejt kulturës”, ka thënë ajo. Ka shtuar se nuk ka mjete të caktuara apo struktura që skena e pavarur të jetë një co-produksion me shtetin.

Edicioni i sivjetmë po mbahet nën temën “Atmosfera...”. Edhe këtë vit organizimi ka për qëllim promovimin e gjuhës frënge, vlerave demokratike e po ashtu mbështetjen e diversitetit gjuhësor dhe kulturor. Për shkak të pandemisë, është shkurtuar programi, si dhe disa prej aktiviteteve do të mbahen në “Kino Armatë”, e të tjerat do të shfaqen në ekranin e vendosur pranë kinemasë. Kjo “Javë e Frankofonisë” që nisi të dielën pritet të përfundojë më 26 mars 2021.