Kulturë

“AnAntonio” në harmoni pianistike me vepra premierë për Prishtinën

Foto: Koha

Duoja pianistike “AnAntonio” që në paraqitjen e parë ka dëshmuar se ka një gjuhë harmonie. Pianistja Ana Josimovska-Cagnazzo nga Maqedonia dhe pianisti italian Antonio Cagnazzo kanë dialog të veçantë gjatë interpretimit pianistik.

Këtë e kanë shpërfaqur edhe në koncertin në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit të muzikës kamertale “KamerFest”, të mërkurën mbrëma. Lehtë i dallueshëm është virtuoziteti si në lojën me katër duar në piano, ashtu edhe në pjesët solo që kishin përzgjedhur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Duoja, e cila u formua në vitin 2005, ka një repertor të pasur që përbëhet nga kompozime për piano në katër duar, për dy piano dhe piano me orkestër, me një shtrirje nga Johann Sebastian Bach deri te kompozimet e kompozitorit rus Rodion Konstantinovich Shchedrin dhe atij hungarez György Kurtág. Edhe programi që kishin zgjedhur për ta sjellë në Prishtinë kishte disa prurje të reja të cilat ndjekësit e muzikës pianistike nuk kanë pasur rastin që t’i dëgjojnë në kryeqytet. Përzgjedhjen e tyre e lavdëroi edhe pianistja Lejla Pula.

“Ishte hera e parë që në Prishtinë është luajtur ‘Rapsodia spanjolle’ e Ravelit. Pastaj ishte shumë e bukur edhe vepra e Rachmaninoff, një kompozitor fantastik që për piano ka shkruar vepra madhështore. Po ashtu, edhe veprat e kompozitorit Tomislav Zografski ishin zbulim për mua. Unë kam dëgjuar shumë për këtë kompozitor, por veprat e tij nuk kemi pasur rast t’i dëgjojmë”, ka thënë ajo.

Ana Josimovska Cagnazzo dhe Antonio Cagnazzo e nisën koncertin me lojë në piano me katër duar duke sjellë “Allegro Brillante op.92” të kompozitorit Felix Mendelssohn Bartholdy. U veçua pjesa kur Antonio solli me lojën e tij “Miniatura op.6, për piano solo” të kompozitorit të njohur maqedonas Tomislav Zografski, ndërsa Josimovska-Cagnazzo, “Miniatura op.11, për piano solo”. E mbrëmjen e përmbyllën me “Rapsodinë spanjolle” të Maurice Ravel dhe me “Gjashtë pjesë op.11” të Sergei Rachmaninoff.

Mjeshtëria e duos është dëshmuar me paraqitjet e tyre me Orkestrën Filarmonike të Maqedonisë, Orkestrën Filarmonike të Sllovenisë, Orkestrën e Akademisë Muzikore nga Pescara, Orkestrën Rinore Martinengo, Orkestrën e Festivalit Ndërkombëtar Chiooggia e të tjera. Por në Prishtinë numri i atyre që e përjetuan interpretimin artistik të tyre ishte i vogël.

Publiku që kishte zënë vend në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare nuk kalonte numrin 30, duke përfshirë edhe stafin e Festivalit. Për këtë pjesëmarrje të vogël ka shprehur keqardhje pianistja Pula, e cila e ka konsideruar koncertin e duos pianistike “AnAtonio” një përjetim artistik të shkëlqyeshëm.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)