Këngë për verën, dashurinë, të vdekurit, e besëtytnitë, ku modernia gërshetohet me tradicionalen latine, kanë qenë po ato ku ka triumfuar forca mbi dhimbjen, e realiteti mbi fantazinë përmes koncertit të Ana Carla Maza nga Kuba. Disa nga këngët e interpretuara në natën e dytë të “Peja Jazz” janë shprehje e dashurisë e inkurajim se gjithçka do të jetë mirë. Ka shpalosur pjesë nga albumi i saj “Bahía”, homazh për muzikën e vendlindjes së saj Havanës. Por magjinë e shpirtin e këtij qyteti e ka sjellë në “Peja Jazz”
Në skenën modeste të kinemasë, koncerti i këngëtares e violonçelistes kubane Ana Carla Maza ka qenë madhështor. Shpalosja e një tjetri kapitulli në natën e dytë të “Peja Jazz” ka qenë thurje kulturash nga universi i saj muzikor. Në jazz latin e theksueshëm me ngjyra bossa, e cuban son, kjo muzikante ka një mënyrë unike të lojës në skenë: nuk bën kompromis, publiku medoemos duhet t’u bindet urdhrave të saj, e të bëhet bashkë me të. Të pranishmit në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, s’i ka lënë të ulen. Qoftë dhe nëse njëri, për pak çaste e humb ritmin, Ana Carla Maza është aty për ta kthyer në shtegun e saj të muzikës. Në skenë vallëzon me violonçel. Me muzikën e saj vallëzojnë të gjithë.
Koncerti i së dielës mbrëma, nuk ka pasur intro, melodi të qeta si paralajmërim për një botë që po hapet. Ajo është direkte. Me gishtërinj e ka filluar lojën në instrument, të cilën e ka kombinuar edhe me shkopin mbi telat e violonçelit. Publikun e ka zhytur në udhëtimin imagjinar në shtetet e Amerikës Latine. Ka magjepsur me zërin fantastik e me lojën në vokal nganjëherë të butë e herë-herë të ashpër.
Interpretim goxha temperament e dinamik e ka karakterizuar performancën e artistes kubane e cila mësimet për violonçel i kishte filluar kur ishte 8 vjeçe. Ka luajtur në festivale jazzi e koncerte gjithandej në Evropë. Këtë verë edhe në Shqipëri. Shpesh e ka ftuar publikun në përcjellje të vokalit në pjesë të lehta të interpretimit, por edhe në përcjellje me shuplaka si pjesë e melodisë derisa ajo ka kënduar pa muzikë. Përveç lojës në këngë e vallëzim, koncerti ka qenë edhe prezantim i kulturës së vendit prej nga vjen si dhe albumit të saj “Bahia”, i lansuar këtë vit. Gazeta prestigjioze “The Guardian”, në fillimifvit albumin e saj, ndër të tjera do ta cilësonte si homazh për muzikën e vendlindjes së saj Havanës.

Këngë për verën, dashurinë, të vdekurit, e besëtytnitë, ku modernia gërshetohet me tradicionalen latine, kanë qenë po ato ku ka triumfuar forca mbi dhimbjen, e realiteti mbi fantazinë. Prezantimin të secilës këngë e ka përcjellë me nga një instrumental të shkurtër, e vetë rrëfimin e ka kthyer në këngë, gjë që ka ngjallur të qeshura te publiku, por vetë ajo ka shpërfaqur kreativitetin e saj në ndërlidhjen e pjesëve të ndryshme me muzikë.
“Kur isha 16 vjeç shkova të studioj në Francë dhe më kujtohet kur kam jetuar në një studio shumë të vogël. Ishte jetë studentore. Studio ishte në katin e gjashtë… pa ashensor. Më kujtohet se në këtë studio të vogël kishte libra gjithandej. Libra nën shtrat, libra në kuzhinë, në dhomë, libra gjithandej. Kështu erdhi edhe ky titull i këngës që ua dedikoj njerëzve që ndihen të dashuruar”, ka thënë Maza nga skena pak para se të këndonte këngën “Le petit français”. Bashkë me “Les choses simples” kanë sjellë frymën e ritmit francez në qytetin e Pejës.
Disa nga këngët e saj janë shprehje e dashurisë, si ajo për mësuesen e saj Miriam Valdes, kënga e cila merr të njëjtin titull. “Astor Piazzolla” ka qenë përkujtim për kompozitorin argjentinas. Të tjerat këngë si “La Habana”, “Huayno” kanë tejet dinamike. “A Tomar Café” ka qenë si ftesë për kafe dhe shumë herë janë përsëritur fjalët “A je për kafe? Çfarë thua?” që sipas kubanes Maza, njerëzit në vendin e saj janë çdoherë të gatshëm për të ftuar për një kafe. Ndërkohë “Todo Ira Bien” ka qenë kënga që inkurajon se gjithçka do të shkojë mirë.
“Në Kubë, gjithkund ka muzikë, çdo ditë, muzikë në mëngjes, muzikë në mesditë, muzikë pasdite dhe në mbrëmje, gjithmonë muzikë. Kënga e radhës është titulluar ‘Gjithçka do të jetë në rregull’. Është këngë që kujton se momentet e vështira në jetë janë gjithnjë të shkurtra”, është shprehur Ana Maza drejtuar publikut në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Dashuria e saj për muzikën shpesh ka folur edhe me gjuhë trupi. Me taket e saj vazhdimisht ka mbajtur ritmin duke përplasur ato me dyshemenë e skenës. Me një dorë luan, instrumentin e mbështet në sup dhe me dorën tjetër vallëzon. Këto nuj janë akrobaci. Por pasion. Dhe atë e kërkon edhe prej publikut.
Këngëtarja dhe violonçelistja kubane, Ana Carla Maza, lindi në Havanë dhe filloi studimet e saj për violonçel në moshën 8-vjeçare. Dy vjet më vonë ajo bëri debutimin e saj në Festivalin e Jazzit në Havanë e ftuar nga babai i saj, pianisti dhe kompozitori kilian Carlos Maza, një përvojë që do të materializohej më vonë në albumin “Carlos Maza en Familia” (2009), kur Maza ishte 13 vjeçe.

Një vit më pas ata publikuan “Quererte” dhe bënë turneun e tyre të parë koncertor nëpër teatro të ndryshëm në Spanjë me Orkestrën Simfonike Mesdhetare Evropiane, një eksperiencë që edhe këtë vit e kanë përsëritur duke luajtur Tchaikovsky. Së bashku ai ka marrë pjesë në pesë albume dhe më vonë ka bërë tre incizime solo: “Concerto Solo Acoustic” (2016), “EP Alma” (2018) dhe “La Flor” (2020).
Përtej skenës muzikore e publikut, në lidhje me Kosovën ajo është fokusuar në bukuritë natyrore, ushqimin e shijshëm e kulturën e mikpritjes. Për të ka qenë hera e parë në Kosovë dhe ka premtuar se do të kthehet për të interpretuar.
“Koncerti është pjesë e turit ‘Bahia’ që përfshin më shumë se 120 koncerte në mbarë botën. Në Kosovë kam prezantuar albumin tim të ri ‘Bahia’ siç quhet edhe vendi ku kam lindur në Kubë. Ura e Pejës më ka kujtuar Parisin, është disi ndryshe. Njerëzit janë të afërt dhe diçka që jam kënaqur është se njerëzit janë të ngjashëm me ata në Kubë. Të gjithë janë në humor të mirë dhe energjikë, për të shkuar në koncerte, për të mbështetur kulturën. Edhe Kosovën e pashë kështu”, i ka thënë ajo KOHËS.
Loja e mahnitshme në instrument e zëri fantastik e ka sjellë kubanen në skenën kosovare në stilin e një artiste të vërtetë.
Vullnet Sanaja, drejtor i “Peja Jazz”, ka thënë se koncerti i Ana Maza ka qenë një nga më të mirët që është mbajtur ndonjëherë në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Kjo u pa edhe prej audiencës e cila e ka pëlqyer shumë Ana Mazan. Po besoj se Ana është prej atyre muzikanteve që do ta sjellim prapë edhe mbas disa edicioneve”, ka thënë Sanaja derisa ka treguar se ajo nuk kishte hezituar për ta pranuar ftesën.
“Ana ka qenë shumë e hapur për të performuar në Kosovë, ka qenë edhe në Shqipëri dhe ka pranuar ftesën me shumë dëshirë. Sonte u pa edhe në reagimin e audiencës, mendoj se edhe ata e kanë pritur mirë, por edhe koncerti ishte super”, ka thënë Sanaja.
Ana Carla Maza ka luajtur në festivale jazzi në Francë dhe Itali, si dhe ka dhënë koncerte në Spanjë, Francë dhe Portugali. Muzika e saj varion nga klasikja në jazz latin. Turi i saj veror e ka çuar në shumë qytete evropiane Ajo nuk ndalet. Siç nuk ndalet as mesazhi i saj me muzikë se “gjithçka do të jetë në rregull”.
