Prishtinë, 27 shtator – Artistja Alketa Xhafa-Mripa është rikthyer në Prishtinë. Sërish, arti sebep për këtë. E sërish nëpërmjet tij synon t’u japë zë grave. Paralajmërimin për veprën e radhës e ka bërë të enjten në “Menzën Ramiz Sadiku”.
Ka pranuar ta zbulojë një grimë nga vepra. Bëhet fjalë për një mural. “Kurrë s’je shumë e re për me pri e me pru drejtësi” është porosia që do të përthekojë, njëherësh edhe titulli i veprës. Së bashku me organizatën “UN Woman”, artistja do të pushtojë hapësirën publike në kryeqytet. Ani pse lokacioni ende nuk është bërë i ditur, murali që do të fillojë të realizohet më 11 tetor. Ai do të jetë një vulë me emrin e veprës “Kurrë s’je shumë e re...”. Çdo shkronjë e thënies së artistes do mbushet me vula të tjera të thënieve që do mblidhen gjatë ditëve në vijim.
Xhafa-Mripa ka vulosur edhe duart e pjesëmarrësve në prezantimin e saj përderisa pamjen e veprës e ka shpalosur edhe nëpërmjet bluzës që ka veshur.
“Një inspirim çasti”, e ka konsideruar artistja fjalinë bazë të veprës së saj. Thotë të jetë frymëzuar nga aktivistja suedeze për mjedis, Greta Thunberg (16). Vitin e kaluar Thunberg, dilte nga orët mësimore dhe protestonte para Parlamentit të Suedisë. Në mbarë globin, rreth kauzës së saj llogaritet të jenë bashkuar rreth 4 milionë aktivistë.
“Është ajo ndjenja që në Kosovë kemi plot Greta, por është mënyra sesi jemi rritur, si hapësira (që na është dhënë) dhe se si shoqëria na trajton. E di edhe vetë se si është, pasi që këtu kam qenë në shkollë, pjesë e shoqërisë”, ka thënë Xhafa-Mripa, e cila në moshën 17-vjeçare ishte larguar nga Kosova dhe që atëherë jeton në Londër.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")