Kulturë

Alketa Xhafa-Mripa synon të bëjë bashkë tregimet inspiruese të grave kosovare

Artistja Alketa Xhafa-Mripa e ka nisur misionin e saj të ri. Arti është bërë sebep që të rikthehet sërish në Prishtinë. Kësaj radhe, për projektin e saj është në kërkim të grave që janë pionere në fusha të ndryshme.

Qëllim e ka që të bëjë bashkë në një libër tregime inspiruese të grave të jashtëzakonshme. Përmes tregimeve synon inkurajimin e vajzave të reja që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të ndjekin studimet në ato fusha që i kanë për zemër. E përmes librit, thyerjen e stereotipave që ekzistojnë në media dhe libra për fëmijë. Libri që pritet të marrë formë në mars të vitit të ardhshëm ,pas botimit do të shpërndahet falas edhe nëpër shkollat që janë në vend, raporton KOHA.

Artistja Alketa Xhafa Mripa ka thënë se realizimi i këtij librit është rrjedhojë e projektit të saj të mëparshëm “Kurrë s’je e re për me pri e me pru drejtësi”, që realizoi në vend. Vitin e kaluar më 11 tetor, për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Xhafa-Mripa në bashkëpunim me “UN Woman” zbuloi muralin që u vendos në Qendrën Studentore. Ishte një vulë me emrin e veprës “Kurrë s’je shumë e re...”. Çdo shkronjë e thënies së artistes pastaj u mbush me vula të tjera të thënieve që u mblodhën. Më vonë i njëjti mural ishte shfaqur përmes projektorëve edhe në ndërtesën e Qeverisë. Edhe mesazhi kryesor inspirues i librit “Kurrë s’je e re” –është në vazhdimësi e projektit të vitit të kaluar.

“Duke i dhënë më shumë formë aktivitetit të viti të kaluar, ky aktivitet ka për qëllim njohjen e lidershipit të gruas duke bërë bashkë historitë inspiruese të grave të jashtëzakonshme që do të portretizohen përmes mini-biografive së bashku me nga një portret dhe thënie të fuqishme. Do t’u prezantoj lexuesve të rinj modele të grave të mrekullueshme që kanë tejkaluar barriera të shumta për të arritur ëndrrat e tyre”, ka thënë artistja.

Sipas saj, përmes këtij projekti nderohet trashëgimia e grave pionere në fusha të ndryshme dhe inkurajohen vajzat e reja që të ndjekin atë karrierë për të cilën kanë më shumë pasion.

“Ky projekt po ashtu vjen si një përgjigje ndaj steriotipizimeve gjinore që gjenden në librat për fëmijë dhe medie, derisa vajzat gjithandej janë duke kërkuar njohje dhe investim si liderë të ndryshimeve sociale”, ka thënë Xhafa-Mripa. Edhe për këtë projekt, artistja është duke bashkëpunuar me organizatën “Un Woman”. Pikërisht ky aktivitet lidhet edhe me kampanjën e organizatës për barazi gjinore.

Artistja e lindur në Pejë, Alketa Xhafa-Mripa, ka thënë se ky projekt do të bëjë bashkë edhe studentët e Shkollës së Mesme të Artit në Pejë “Odhise Paskali”, të cilët do të përdorin kreativitetin e tyre në realizimin e ilustrimeve veçanërisht për këtë projekt,

“Përmes angazhimit synohet fuqizimi i rinisë përmes shfaqjes së veprave të tyre artistik pikërisht në këtë libër”, ka treguar artistja.

Alketa Xhafa-Mripa, artistja nga Kosova e cila ka vite që jeton në Londër, njihet për artin e saj i cili në të shumtën e rasteve përfshin angazhimin e komunitetit në krijimin e instilacioneve të artit në përmasa publike dhe me tematika që prekin çështje të ndryshme shoqërore. Ka realizuar vepra të ndryshme gjatë 20 vjetëve të fundit në shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën. Njëri prej tyre është instilacioni “Mendoj për ty”, përmes të cilit në qershor të vitit 2015 bëri që në stadiumin e Prishtinës të valëviteshin rreth 5 mijë fustane. Qëllimi i kësaj vepre ishte t’u japë zë viktimave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. . Në vitin 2017 nëpërmjet instilacionit “Refugees Welcome” kishte hapur dyert e një kamioni të madh, brenda të cilit priste refugjatët duke pirë çaj e duke dëgjuar rrëfimet e tyre. Me këtë vepër shëtiti nëpër disa vende.