Kulturë

Akrolisi u ndërtua në shekujt IV-V para erës sonë bashkë me qytetin antik të Lisusit

Akrolis - Lezhë

Akrolisi i konsideruar deri më tash si një fortifikim i kohës së bronzit nuk është i tillë. Sipas studimeve të fundi,t është i periudhës protourbane të shekullit V–IV dhe përbën fillimet e qytetit të ardhshëm të Lezhës

Skanimi i parkut arkeologjik të Lezhës ka sjellë të dhëna të reja për qytetin antik. Ndryshe nga ç’ishte menduar më parë, Akrolisi nuk i përket epokës së Bronzit, por është një fortifikim i shekujve të pestë dhe të katërt para erës sonë. 

“Akrolisi është konsideruar një fortifikim i kohës së bronzit. Nuk është i tillë. Është i periudhës protourbane të shekullit V–IV dhe përbën fillimet e qytetit të ardhshëm të Lezhës, i cili u zhvillua ku është sot kalaja, pak kohë më vonë, në fillim të shekullit të pestë dhe gjatë shekullit të katërt, për t’i dhënë jetë, në fund të shekullit të katërt, qytetit antik të Lezhës. Pra, kjo është një kronologji e re”, ka thënë arkeologu Neritan Ceka, në një prononcim për Radiotelevizionin e Shqipërisë. Ai ka shtuar se fortifikimi në malin e Shëlbumit është i kohës kur filloi edhe formimi i qytetit antik të Lisusit. 

Një tjetër arritje është realizimi i planimetrisë së plotë të Akrolisit dhe qytetit antik të Lezhës. 

Të martën në Lezhë është prezantuar për herë të parë kartografia e Parkut Arkeologjik. Tashmë institucionet qendrore e lokale do të kenë në dispozicion një hartë digjitale të pasurisë arkeologjike, e cila më parë nuk ekzistonte Nëse më herët ekzistonte vetëm një skicim në letër i vitit 1972, sot këto të dhëna janë të përpunuara me teknologji moderne.

“Kemi një hartë të re të gjeofizikës së zonës, jo më vetëm në 2D, por edhe në 3D. Në thellësi të ndryshme shfaqen struktura që ende nuk janë gërmuar, por që tashmë u ofrohen arkeologëve si një orientim për kërkimet e ardhshme”, ka thënë ai. 

Harta e re digjitale është në dispozicion të arkeologëve të cilët mund të kryejnë ekspedita të reja, gërmime e studime në nëntokën e pasur të Lezhës.

Zbulimet u prezantuan në takimin e grupit të punës, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu, i cili përsëriti kërkesën që parku arkeologjik të kalojë nën administrimin e pushtetit vendor.

Pas dokumentimit të zonave me potencial arkeologjik, pritet të nisin ekspeditat kërkimore. Qëllimi është që Lezha të kthehet në epiqendër të gërmimeve arkeologjike në vend.