Kulturë

Akrepat nuk ndaluan asnjëherë në duart e Sahatçiut

PEJË – Njerëzit po mblidheshin rreth kroit në hyrje të xhamisë në Çarshinë e Gjatë të Pejës për të marrë avdes për faljen e drekës. 

Qetësia e rrjedhjes së ujit nga kroi trazohej nga zhurma e rrahjeve të orëve të varura në murin e një dyqani përballë pak metra larg. Brenda në të, pas një tavoline të vjetër druri, një mjeshtër me kokë të përkulur po shikonte një orë të hapur xhepi me qostek pse kishte ndalur rrahjen. 

E parapa tij, një çun rreth 9 vjeç po qëndronte në këmbë me plot kureshtje, duke shikuar babën e vet se çfarë i bënte asaj ore me një kaçavidë të vogël. Ishin ato ditët e para kur Mehmet Sahatçiu kishte nisur ta merrte me vete në dyqan djalin Muhametin, për t’ia mësuar zanatin e orëndreqësit. Tash, 70 vjet më vonë, 80- vjeçari Muhamet Sahatçiu i kujton me plot mall e emocione ato vite kur si fëmijë kishte filluar ta shoqëronte babën e vet në dyqan dhe të bëhet shegert i këtij zanati, shkruan sot Koha Ditore.

“Kam qenë fëmijë, diku rreth 9 vjeç, kur kam nisë me dal me babën në dyqan. M’i jepte me i bajtë në shtëpi edhe çantat me orët e myshterive se nuk i lenim në dyqan, për shkak të sigurisë. Për një kohë kam qenë edhe si shegert në dyqanin e babës dhe ato vitet e para e kam përcjellë me vëmendje të madhe se si baba riparonte orët, çka riparonte në orë dhe me cilën vegël”, i mban ai ende në kujtesë ato ditë kur ka nisur ta mësonte zanatin e orëndreqësit në dyqanin e babës së tij. 

Punët që i bënte babai i tij në orët, Muhametit ia regjistronte truri shpejt. Mirëpo, nëse diçka gabonte e paguante veshi i tij. 

“Kur mësova shumëçka, i rrija gati mbi kokë babës kur ndreqte orët. Ia jepja veglën që i duhej, që ai mos me pasë nevojë me kërkua. E nëse gaboja diçka, ndodhte ndonjëherë që më kapte edhe për veshi”, i kujton ai edhe këto momente, që atë kohë nuk kanë munguar kur ka mësuar zanatin.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)