Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Akademik Emra zbërthen kujtime e drama me artin e tij

Prishtinë, 21 nëntor – Portreti i një gruaje realizuar me laps në letër, është një prej vizatimeve që e fut publikun në rrugëtimin e gjatë artistik të piktorit të njohur, akademikut Tahir Emra. Ky portret i realizuar në vitin 1958, kur ai sapo kishte nisur karrierën, përcillet me punime të tjera që janë të realizuara me tush.

Këto vizatime nuk janë vetëm të tilla. Pesha e tyre është më e madhe. Reflektojnë hapat e parë të Emrës si piktor, të cilat ishin pikënisja e krijimtarisë së tij artistike. Njohja me mjeshtërinë artistike, me vizatimet e para, e çoi artistin tek peizazhet romantike siç janë, “Çarshia e Gjakovës”, “Ura e Taliqit”, “Ura e Terzive”, “Gjakova e Vjetër”, që lidhen me kujtimin dhe dashurinë e tij për vendlindjen, Gjakovën. E kjo vërehet me pikturat si “Mulli i Vjetër në Gjakovë”, “Peizazh dimri”, “Fortuna” e të tjera. Më pas loja me ngjyrën dhe kompozicionin që ai sjell në veprat e tij, qoftë natyrat e qeta, peizazhet apo edhe ato që lidhen me gjendjen e Kosovës në vitet ’90, kompletojnë krijimtarinë shumëvjeçare të Emrës.

Të martën në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Emra u prezantua me veprat që janë përzgjedhur nga shtatë cikle të ndryshme: “Vizatime”, “Figuracion në enterier”, “Motive nga vendlindja”, “Natyrë e qetë”, “Fortesat”, “Enterier”, “Peizazh” dhe “Elegji për Kosovën”. Ekspozita “Retrospektivë” përthekon më shumë se gjashtë dekada, duke filluar me vizatimet si nxënës i shkollës së arteve në Pejë, për të ardhur edhe te punimet e realizuara sivjet. Akademik Emra ka hapur më shumë se 20 ekspozita personale e shumë të tjera kolektive, në Zagreb, Lubjanë, Tiranë, Beograd, Sarajevë, Shkup, Varshavë, Athinë, Paris, Münich, New York, Ankara, Kajro, Köln e të tjera. Ekspozita e tij e fundit në AShAK ishte në vitin 2015/ Sihana Klisurica

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).