“Akademia e Animacionit”, një projekt i cili realizohet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar”, ka hapur thirrjen për aplikim. Ky edicion shënon gjeneratën e gjashtë me radhë të organizuar nga kjo akademi. “Anibar” tashmë ka krijuar identitetin e tij dhe sivjet erdhi me edicionin e tij të trembëdhjetë. Por përveç shfaqjes së një numri të madh filmash të animuar, ky festival njihet edhe për përpjekjet e vazhdueshme në krijimin, përgatitjen dhe avancimin e një gjenerate të re animatorësh në Kosovë. Një gjë e tillë do ta shtynte tutje këtë lloj filmi, jo edhe aq të lëvruar në vend.
Në kuadër të kësaj, ekipi ka themeluar edhe Akademinë e Animacionit ku pjesëmarrës të moshës mbi 16 vjeç do të mund të ndjekin kurse të ndryshme të lidhura ngushtë me krijimin e filmave të animuar.
“Thirrja është hapur për të ftuar të gjithë ata studentë që janë të interesuar të marrin pjesë në programin e Akademisë së Animacionit ‘Anibar’, ku për gjashtë muaj do të kenë mundësinë të zhvillojnë shkathtësitë e tyre në: principet e animacionit, dizajn të karaktereve dhe skenës, shkrim të storieve e storyboard-ave, regji, montazhe dhe editim të zërit”, ka thënë Vullnet Senaja, themelues dhe drejtor i “Anibarit”.
Sipas tij, numri i të interesuarve ka shkuar përherë duke u rritur, dhe kjo gjë është vërejtur edhe sivjet.
“Akademia mund të themi se suksesshëm i ka edukuar mbi 60 studentë gjatë gjashtë gjeneratave të fundit, ku këta të fundit kanë mësuar se si të animojnë, dhe këto aftësi tashmë i përdorin në punën e tyre dhe në studimet të cilat i ndjekin”, ka shpjeguar Senaja. Tutje ai ka bërë të ditur se tashmë ka kaluar një muaj prej kur janë formuar klasat në Prishtinë dhe janë 12 studentë të cilët janë duke e ndjekur këtë akademi.
Në këtë edicion “Principet e Animacionit” do të ligjërohen nga Flaka Kokolli, “Dizajni i Karaktereve dhe Skenës” nga Edvin Susuri, ndërsa “Shkrimi i Storive” nga Ylli Bylykbashi.
Programi zhvillohet në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ndërsa aplikimi do të jetë i hapur deri më 29 dhjetor.