“Akademia e Animacionit”, një projekt i realizuar në kuadër të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”, është në pritje të atyre që do të bëhen pjesë e gjeneratës së pestë të animatorëve vendorë që dalin prej kësaj shkolle joformale. Animacioni është një medium i bukur i artit që vlerësohet nga kushdo, pavarësisht moshës. Një mënyrë unike e të përçuarit të mesazheve të ndryshme dhe të rëndësishme qoftë tek fëmijët apo tek të rriturit. “Akademia e Animacionit” edhe këtë vit si katër vjet më parë, qëllimin e ka të qartë.
“Synon të sigurojë një program arsimor për të ndërtuar një brez të ri animatorësh nga Kosova”, ka thënë Zana Ramoviq, koordinatore e edukimit dhe menaxhere e “Akademisë të Animacionit”.
“Akademia…” është një mundësi e mirë për artistët e rinj nga Kosova, të cilët janë të interesuar në fushën e animacionit dhe duan të mësojnë nga profesionistë të kësaj fushe që në të ardhmen pasionin e tyre ta kthejnë në një profesion. Kosova edhe pse një vend shumë i vogël është e mbushur me potencial artisik, gjë që “Akademia e Animacionit” po e nxjerr në pah tash e sa vjet.
“Duke ditur se çdo vit ngjarja më e madhe për animatorët në Kosovë dhe regjion është festivali ndërkombëtar i animacionit ‘Anibar’, është vërejtur një numër më i madh i pjesëmarrjes së animatorëve nga Kosova, e gjithashtu edhe shfaqja e një numri dukshëm më të madh të prodhimeve (animacionve) vendore brenda programit kompetitiv të festivalit, i cili në edicionin e fundit, të 12-tin, rezultoi edhe me vlerësimin më të lartë nga ana e jurive profesioniste të animacionit”, ka thënë Ramoviq për KOHËN.
Mbi 30 animatorë të rinj janë trajnuar në katër vjetët e kësaj “akademie”. Jo pak tashmë janë të punësuar nëpër biznese të kësaj fushe. Disa kanë hapur edhe studiot e tyre shumë shpejt pas përfundimit të “Akademisë…”. Njëri nga ish-studentët e “Akademisë…”, Ari Zharku, është një nga këta të rinj i cili së bashku me kolegë të këtij programi kanë hapur studion e tyre të animacionit, “Studio Pink-I”.
“Akademia e Animacionit definitivisht ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin tim artistik, si në aspektin teknik po ashtu edhe në atë kreativ. Lidhjet që i kam krijuar gjatë asaj kohe janë akoma relevante në jetën time. Për sa i përket ‘Akademisë...’ si shkollë, kjo akademi shumë lehtë i rivalizon sistemet formale të edukimit. Prandaj jam shumë i sigurt kur them që ‘Akademia e Animacionit’ do ta nxjerrë një seri të njerëzve të cilët do të jenë të përgatitur të futen në botën e animacionit, medium ky i cili është shumë i nënvlersuar dhe i paragjykuar si produkt naiv dhe për fëmijë”, ka thënë Zharku.
Programi i “Akademisë të Animacionit” zhvillohet në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ndërsa në Pejë ky program do të zhvillohet brenda hapësirës së kinemasë “Jusuf Gërvalla”.
Aplikimi do të jetë i hapur deri më 15 tetor, ku të interesuarit duhet ta dërgojnë storien e fotografuar në email adresën [email protected] dhe të plotësojnë formën e aplikimit në Facebook në faqen e “Akademisë së Animacionit” ose të “Anibarit”.