Prishtinë, 18 shtator – Perspektiva filozofike mbi radikalizmin dhe përsiatjen mbi “Luftën dhe paqen” do të jenë temat kryesore për filozofët e rinj kosovarë. Shoqata e Filozofëve të Kosovës (SHFK) tashmë ka nisur përgatitjet për numrin e tretë të revistës “Agora Philosophia”.
Me numrin e parë që doli në dritë më 15 nëntor të vitit të kaluar, kjo revistë deri më tani ka botuar dy numra tematikë brenda një botimi. Nënkryetari i SHFK, Ridvan Emini, ka thënë se thirrja për kontribute në këtë revistë vlen për autorë vendorë, por edhe të huaj.
“Sa u përket shkrimeve, ne gjithmonë kemi bërë thirrje për botim si për autorët nga vendi, ashtu edhe për ata nga bota”, ka thënë ai për gazetën.
Aktualisht “Agora Philosophia” ka kryeredaktor Astrit Salihun, përderisa ajo ka një staf menaxhues dhe bord redaksional.
“Revista nuk është në shitje, por ajo shpërndahet tek anëtarët e saj, si dhe tek kontribuuesit me shkrime në revistë”, ka theksuar tutje Emini.
Një aktivitet i përvitshëm, sipas tij, janë edhe konferencat ndërkombëtare që mbahen me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Filozofisë.
“Tash jemi duke i bërë përgatitjet për konferencën ndërkombëtare, e cila do të mbahet më 21 nëntor 2019. Po ashtu, po e përgatisim edhe revistën që do të botohet në fillim të muajit nëntor”, ka thënë ai.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")