Kulturë

“Afër” në reprizë e larg normalitetit në dalje nga pandemia

Erdhi në Prishtinë në “Kino Armata” shtatë ditë pas premierës në “DokuKino” të Prizrenit, por asnjë shfaqje s’del të jetë e njëjtë. As për atë që e kanë parë një, dy a tri herë. “Afër” do të vazhdojë të hapë një kapitull të ri këndvështrimesh me secilën reprizë. Dhe kjo është fuqia e tij

Repriza e një projekti filmik nuk do të ishte asgjë e jashtëzakonshme, por tjetër histori ka “Afër”, dokumentari për koncerte të pazakonshme në kohë shumëfish të tilla. Esenca e tij janë performancat e fillimvjeshtës së vitit të kaluar kur festivali “DAM” sfidoi instrumentistët e publikun me “Një muzikant, një dëgjues”. Kryepersonazhe të “Afër”: Agona Shporta, Visar Kuçi, pjesëtarë të publikut, që në minikoncerte ishin nja 30. Në fakt, s’ka të bëjë me asnjërin, por me emocionet e tyre. Kjo është ajo që e lidh rrëfimin e përbashkët. Pjesa tjetër është histori.

Por, “Afër” do të vazhdojë të hapë një kapitull të ri këndvështrimesh me secilën reprizë. Dhe kjo është fuqia e tij. Erdhi në Prishtinë në “Kino Armata” shtatë ditë pas premierës në “DokuKino” të Prizrenit, por asnjë shfaqje s’del të jetë e njëjtë. As për atë që e kanë parë një, dy a tri herë, si puna e Agona Shportës apo edhe vetë regjisorit të dokumentarit, Leart Rama.

“Në njëfarë mënyre po rritet filmi sa herë që po e shoh. Momentet më ndryshe po i kapi dhe po më kthehen ndjenjat që i kam pasur atë ditë, por në të njëjtën kohë se di se po zhvillohet tregimi po vazhdon dhe më shumë njerëz tash po e shohin e edhe energjia e tyre po ndikon në eksperiencën time e në atë sesi po e shoh tash”, ka thënë Shporta pas shfaqjes së “Afër” në “Kino Armata” të hënën mbrëma. Rastisi në ditën e vaksinimit të parë në Kosovë kundër koronavirusit, për shumëkënd një lloj shprese se pandemisë po i shihet fundi.

“Shumë afër edhe shumë larg”, përgjigjet Visar Kuçi në pyetjen nëse formati i koncerteve, si “Një muzikant, një dëgjues” s’do të ketë më kuptim në të ardhmen e afërt. “Nuk po e di. Është shumë situatë me të cilën duhet të gjithë të adaptohemi pasi që lidhet me të gjitha sferat e jetës edhe pse në Kosovë kohëve të fundit kemi qenë pak më të lirë, por prapë se prapë komplet bota është në një mjegull dhe nuk po dihet pas kësaj çfarë vjen”, ka thënë ai.

Kuçi e ka parë për herë të parë filmin. E natyrshme t’ia kthejë emocionet e koncertit, por jo vetëm kaq. “Afër” i shtron edhe pyetje të vazhdueshme.

Image

Ashtu sikurse edhe koncertet që i dokumenton ishin përjetime unike të secilit dëgjues, “Afër” është i tillë edhe për secilin shikues (Foto: Fikret Ahmeti)


“Këtu ka qenë performanca e parë dhe kam qenë në një gjendje krejt tjetër prej asaj të zakonshmes, pasi që e kam parë se sa e rëndësishme është prezenca e publikut edhe pse gjithmonë e kam ditur”, ka thënë Kuçi. Qasja abstrakte me të cilën mbështillet “Afër” i jep jehonë veprës e relacioni artist-dëgjues kërkon përgjigje.

“Vazhdoj me e pas një përjetim të çuditshëm edhe pse po kemi koncerte me 40-50 veta në publik, por është ende pak e çuditshme. Nuk po di akoma si ta konceptoj, si të komunikoj dhe e kam pak të vështirë. Jemi duke u mësuar ende me këtë situatë. Të shohim se sa do të zgjasë...”, ka thënë Kuçi. Mbrëmjen e 5 tetorit të 2020-s, pak minuta pas performancës në “Lumbardh” të Prizrenit krejt eksperiencën me dhjetë minikoncerte për dhjetë dëgjues, e kishte përshkruar prerazi: “Kënaqësi sfiduese”.

Prej atëherë e deri në natën kur ai e ka parë dokumentarin kanë kaluar fiks 177 ditë. Edhe normaliteti para pandemisë i duket i largët.

“Kur po i shoh xhirimet me koncerte me shumë publik, po më duket e çuditshme dhe nuk po arrij të kuptoj se si janë mbajtur koncerte të tilla me kaq shumë njerëz”, ka thënë Kuçi.

Për Agona Shportën, koncertet pas pandemisë do të vijnë me energji të re.

Kjo eksperiencë i kujton muzikantin Bobby McFerrin – që njihet sidomos për super-hitin e tij “Don't Worry, Be Happy”, të cilin e ka shumë për zemër.

“Ai është një vokalist dhe nuk e përdor asnjë instrument, vetëm zërin e vet. Mirëpo, gjithmonë e inkuadron audiencën, u jep fraza muzikore e pa të cilat ai nuk mund të këndojë një vijë melodike pasi që ka nevojë për audiencën. Edhe kjo më ka shtyrë të mendoj në këtë aspekt”, ka thënë ajo.

Formulën e një reprize që shndërrohet çdoherë në premierë, duket sikur “Afër” e ka brenda konceptit se si është realizuar.

“Vjen një moment që mundesh me ia nis me u lodh në film pasi që janë gjëra që përsëritën. Fytyra të ndryshme, po koncepti është i njëjtë: përsëritet dhe përsëritet... E shihja edhe te vetja që jam duke hyrë në një lloj hipnoze duke e parë dhe duke mos e vërejtur që kam fluturuar shumë larg”, ka thënë regjisori Leart Rama. Filmi është “Afër”, por shikuesi, sipas Ramës, njëkohësisht shkon shumë larg. Duket si një lloj katarsisi.

“Si je ndje gjatë karantinës dhe kjo për mua ka qenë shumë interesante që ta përdor dhe ta fus publikun në atë lloj terapie derisa e shohin filmin”, ka thënë Rama.

Terapinë e përmend edhe regjisorja Zana Hoxha.

Për të mbrëmja e së hënës ishte një eksperiencë unike, terapeutike e shumë inspiruese.

“Personalisht për mua filmi ose dokumentimi përmes muzikës së Agonës, edhe Visarit ishte një përmbledhje e vitit që kemi pasur, një vit në pandemi. Ndonjëherë rrethanat na shtinë me e ndërrua qasjen komplet siç ka ndodhur me juve me ‘DAM’ e që keni kaluar në një format tjetër, por që besoj se ka zbuluar diçka shumë interesante”, u është drejtuar ajo organizatorëve, në një diskutim të hapur pas shfaqjes së dokumentarit.

Por “Afër” në Prishtinë ka përkuar edhe me një datë – atë kur do të duhej të niste edicioni i sivjetmë i “DAM”-it, që do të pasonte “Edicionin tektonik”, siç u quajt ai i vitit të kaluar.

“Në kushte normale sonte do ta hapnim edicionin e 16-të të ‘DAM’-it por tek tani po e mbyllim rrugëtimin e edicionit të kaluar, më i gjati në historinë e festivalit. Ky dokumentim është shumë i rëndësishëm pasi që kemi dashur që të gjejmë një formë tjetër prej kalimit të festivalit në një platformë online e që ka qenë shumë prezente në kohën e mbylljes”, ka thënë Dardan Selimaj, drejtor artistik i “DAM”-it. Me koncept e ide të tij është realizuar edhe “Afër”, sikurse edhe seria “Një muzikant, një dëgjues”, e cila, sipas Selimajt, ishte alternativa e duhur në një kohë kur maksimumi i njerëzve që mund të bëheshin bashkë ishte deri në pesë persona. Ai ka bërë të ditur se nëse gjërat shkojnë sipas planit, 1 shtatori është data që shënon nisjen e edicionit të sivjetmë të “DAM”-it.