Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Adhuruesit e pushtuar nga pasioni që shkatërrojnë vepra arti

Londër, 25 korrik – Shkatërrimi i artit është shpeshherë politikisht i motivuar – ai madje mund të jetë i mbushur plot urrejtje. Arti duhet t’i ngacmojë njerëzit emocionalisht, dhe kur emocioni është tërbimi, atëherë është e mundur të shihet pse disa njerëz kalojnë në vandalizëm. Vepra artistike të profilit të lartë bëhen përfaqësuese të identiteteve kombëtare, simboleve të njerëzve apo muzeve ku mbahen. “Mona Lisa” ka qenë shënjestër e vandalizmit në plot raste.

Një herë nga një grua që mohoi shtetësinë franceze. Herën tjetër, përderisa ishte në huazim, nga disa të frustruar me mungesën e qasjes së Muzeut Kombëtar të Tokios, shkruan sot Koha Ditore.

Por në Bienalin Ndërkombëtar të Sao Paulos në vitin 1996 ngjau diçka e pazakontë. Një pikturë u dëmtua, jo nga inati, por nga pasioni. Dhe nxori në pah diçka të fuqishme mbi atë sesi e vlerësojmë artin.
Një vepër e Andy Warholit nga seria e vitit 1977 ishte në Bienalin e atij viti. Kjo seri përbëhet nga piktura dhe fotografi meshkujsh e femrash të zhveshur, ndonjëherë të ngritur në këmbë, duke u zgjatur nga mesi i belit deri në mes të kofshëve. Vepra në Sao Paulo përfshinte edhe një mashkull të zhveshur të përsëritur gjashtë herë.

“Një mëngjes mora një thirrje që thoshte ‘Nuk do të të besosh se çfarë ndodhi’”, thotë Ellen Baxter, konservuesja kryesore në Muzeun e Artit në Carnegie. “Kjo braziliane ishte rrëmbyer aq shumë nga ndjenjat e saj për Andyn, saqë ajo la një puthje në një nga pjesët e mashkullit”. Një artikull i kohës nga një gazetë ditore vërente se puthja ishte vendosur “në pjesën qendrore të mesit të parë, në penis”.
“Abdomenët janë vërtet provokues, imazhe private”, thotë Jessica Beck, kuratore në muzeun “Andy Warhol”. “Ata edhe janë të ndriçuar hijshëm. Është lehtë të shihet pse dikush do të ketë një reagim të fortë, emocional dhe afshëror ndaj tyre”.
Dorasi nuk ishte kapur dhe as nuk ishin identifikuar ndonjëherë, kurse buzëkuqi ishte hequr me pak mund. Baxter kujton që rojat e sigurisë në Bienal nxorën videoincizime të aktit, që tregonin një grua në moshë “e veshur shik” në të zeza e me stoli, duke e puthur pikturën.
“Nuk mendoj se kishte diçka politike rreth kësaj”, thotë Baxter mbi aktin. “Ma merr mendja se ajo mendonte se do të ishte diçka e këndshme”.
Përfytyrojeni, atëherë, reagimin e Baxterit kur e njëjta gjë ndodhi në muzeun “Andy Warhol”, aty ku ishte konservuese e pikturave. Veçse kësaj radhe puthja nuk do të ishte aq e lehtë për t’u hequr.

“Një akt i dashurisë”

Edhe Lakuriqësia femërore dhe arti që kundërmon në Bienalen e Venecias Kulturë Lakuriqësia femërore dhe arti që kundërmon në Bienalen e Venecias

Në vitin 1997, Muzeu i Warholit mirëpriti ahengun për nder të 75-vjetorit të Chanel No 5. Warholi kishte përdorur një shishe të parfumit të famshëm në disa prej printeve të tij, që më vonë u përdorën si vepra arti në kuti për raste të caktuara për parfumin. Nuk i kishte ndodhur askujt që ndonjë mysafir të bëhej xurxull, të merrte një buzëkuq të “Chanelit” nga çanta e tyre e dhuratës, ta vendosnin e të ktheheshin në muze për ta puthur banjën.
“Mendimi im i parë ishte ‘oh dreq, sa e marrë’ dhe pastaj ‘pse dikush do të puthte vaskën?’. Nuk po avokoj puthjen e Elvisit apo Marilynit, por kjo nuk ka kurrfarë kuptimi”, thotë Baxter.

Piktura në fjalë është një vaskë: njëra nga më të hershmet e Warholit të pikturuara me dorë, një kanavacë lehtësisht e mbuluar me një vaskë të thjeshtë të vizatuar me bojë. “Sipërfaqja nuk është e përpunuar”, thotë Beck. “Është nga një moment prej viteve 1961/62, kur ai pikturon në një shtëpi me projektor. Warhol po punonte me reklama, duke i projektuar ato në kanavacë e më pas duke pikturuar mbi to”.

“Për fat të keq, tretësit tipikë të konservimit do ta shtynin buzëkuqin në kanavacë”, thotë Baxter. “Kanavaca përthith çfarëdo lagështire, kështu që buzëkuqi mbetet në sipërfaqe dhe nëse nuk je i kujdesshëm mund ta bësh edhe më keq duke provuar ta heqësh. Është sikur ta heqësh buzëkuqin nga lecka”.

Akti i vandalizmit do të kërkonte trajtim të veçantë. Një konservues i mëparshëm kishte folur me dikë në NASA që po përdorte oksigjen atomik për të pastruar tjegullat e temperaturës në satelitë. Lart në atmosferën e tokës, rrezatimi ultravjollcë e ndan oksigjenin në atome individuale oksigjeni. Këto atome janë tejet reaktive dhe do të lidhen me lëndën organike. Tjegullat ishin vendosur në një dhomë boshllëku, të lëna përballë oksigjenit atomik, dhe pastaj të pastruara me lehtësi të madhe, pasi gazi ka reaguar në sipërfaqe.

U deshën tetë orë për të pastruar puthjen, fibër pas fibre. Doli mjaft mirë me rezultatet përfundimtare. Trajtimi hoqi edhe ndotësit e ngjitur nga ajri që kishin nxirë kanavacën gjatë viteve. Ishte bërë tepër e pastër.
Vaska është një shembull më pak i njohur i pikturave të bëra me dorë të lirë nga Warholi. Në pastrimin e plotë të pikturës ju rrezikoni të fshihni disa dëshmi të saj. “Intimiteti shihet në plot prej punimeve të hershme të Warholit”, thotë Beck. “Ka shenja gjestesh të duarve të Warholit në fund të kanavacës. Vaska ishte prej kohës kur ai nisi të merrej me vija më të stërholluara dhe kështu ju i humbni këto gjurmë”.

Beck shton se përderisa nuk është një zgjidhje tamam për një vandal të pasionuar, në disa mënyra “Vaska” kuptohet pse dikush ka reagim intim emocional. “Mendoj se është veçanërisht interesante që aty nuk ka një imazh të personit. Por është një referencë për një trup pa trup. Është i nënkuptuar. Vaska është simbolikisht për një çast privat – larja. Ajo mund të jetë një përvojë joshëse, madje edhe përvojë seksuale. Kurse trupat janë më shumë konvencionalisht imazhe pornografike”.

Përsëri dorasi u zhduk në aheng pa rënë në sy. Ishte me gjasë për më të mirën duke pasur parasysh vlerën e pikturës dhe çmimin potencial të restaurimit të saj. Një vandal në Francë nuk ishte kaq me fat; ata ishin zbuluar dhe gjobitur për puthjen e një kanavace të bardhë nga Cy Twombly në vitin 2007. Në gjykatë, vandalja Rindy Sam kishte thënë se ajo u pushtua nga një pasion për veprën.

Edhe Ekspozita gjermane që bashkon 1000 vjet aroma me artin dhe historinë Kuriozitet Ekspozita gjermane që bashkon 1000 vjet aroma me artin dhe historinë

“Unë vetëm i dhashë një puthje. Ishte një akt dashurie, kur e putha atë, nuk po mendoja asgjë. Mendoja se artisti do ta kuptonte”, ka thënë Sam.

Pikturat që nxisin lot gëzimi

Pasioni për artin mund të shfaqet edhe në mënyra të tjera përveç puthjeve. Më së shpeshti, audiencat shpërthejnë në lot për artin, dhe kjo vë në pah diçka mbi atë sesi ne e vlerësojmë artin në mish. James Elkins flet për atë se nuk është edhe aq e vështirë për të parë përse njerëzit shpërthejnë në lot nga ikonografia fetare. Puthja e statujave ose ikonave nuk është e parëndomtë në këto raste.

Edhe veprat që nuk janë fetare kanë një efekt të ngjashëm te shikuesit. Elkins jep një shembull të Jane Dillenbergerit, një historiane arti, që bëri një vizitë te Rothko në studion e tij për t’i parë disa prej kanavacave të papërfunduara. Kanavacat ishin thuajse 5 metra të larta dhe të pikturuara në mënyrë të errët. Edhe studioja ishte e errët dhe duke i parë kanavacat që ngriheshin nga zymtësia, kjo prodhoi një përvojë rrëmbyese për Dillenbergerin. Elkis shkruan: “…ajo po qante, dhe të dytë po rrinin ashtu për disa çaste: historianja e artit duke i shikuar kanavacat me një tis lotësh, dhe piktori duke u thelluar me duhan e duke e këqyrur atë. Ishte një moment, më tha ajo, e ‘ndjenjave tepër të çuditshme’, por më së shumti të lehtësimit, të lehtësisë së përsosur, të paqes e gëzimit të dëlirë”.
Beck thotë se ka pasur këso momentesh. “Hijet” e Warholit, një seri epike prej 102 pikturash me një ngjyrë, figura hijesh në prapavijë të errët, e bënë për vete. Pikturat rrallë shfaqen bashkërisht në tërësinë e tyre, por edhe 50 sosh do ta mbushin një hapësirë të madhe të galerisë. Magnituda e tyre e bën që të shpërthente në lot. Është një përvojë që mund ta kesh vetëm nëse i sheh me sytë e tu.

“I shoh ato si vërtet emocionale”, thotë Beck. “Muzetë janë të rëndësishëm për shkak se mund t’i kesh këto reagime befasuese, pozitive dhe emocionale. Edhe nëse ka kufij mbi atë sesi duhet të sillesh, edhe me ta, qasja mund t’ju ndryshojë”.

Çka do të bënte Warholi me këta vandalë? Beck sugjeron se ai do të gëzohej me zgjedhjen e buzëve të kuqe. Ato evokojnë buzët e kuqe e të ndritshme të printeve të tij nga vitet ’60. Edhe akti i puthjes mund të jetë apelues. Warholi ka punuar me lëngje trupi, sidomos me urinë në kanavacë në “Piss Painting” (1961) dhe më vonë me spermë në pambuk (1977-78). Ndryshimi i kanavacës në buzëkuq nuk është aq larg nga vetë ato që bënte Warholi.

Edhe Historia e vjedhjeve në Muzeun e Louvreit Shtojca për Kulturë Historia e vjedhjeve në Muzeun e Louvreit

Ai ishte i dhënë edhe pas spektakleve, prandaj kjo ngjarje mund ta kishte ngacmuar interesin e tij. “Ai i donte hapjet dhe ahengjet”, thotë Beck. “Ai mund të kishte dashur një fotograf për atë moment, për puthjen. Ai kishte interes gjatë 10 vjetëve të fundit të fotografimit të ahengjeve dhe pushimeve. Ai do ta kishte shijuar që ishte një përvojë shoqërore dhe do të intrigohej që një mysafir ndau disa çaste nga ahengu për të qenë vetë e për të pasur intimitet me pikturën”.

Artistët bashkëkohorë, duke i shtyrë kufijtë e atij që ne konsiderojmë art, ngacmojnë reagime nga audiencat e tyre. Disa për fat të keq kanë shkatërruar artin e tyre si rrjedhojë e kësaj. Vetëm disa kanë qenë me fat sa për të shkaktuar të tilla ndjenja të forta të pasionit, saqë audienca nuk përmbahej por jepte të puthura/BBC.