Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Adem Demaçi i epokës së ndërgjegjes kombëtare përballë trashëgimisë që humbet

Tri vëllimet e promovuara mesditën e së enjtes në Institutin Albanologjik të Prishtinës përmbajnë histori, analizë politike dhe akt të kujtesës kombëtare. Vetë ngjarja është cilësuar si nderim i një epoke të ndërgjegjes shqiptare

Tri vëllimet e promovuara mesditën e së enjtes në Institutin Albanologjik të Prishtinës përmbajnë histori, analizë politike dhe akt të kujtesës kombëtare. Vetë ngjarja është cilësuar si nderim i një epoke të ndërgjegjes shqiptare

Si epokë më vete është cilësuar ajo në të cilën jetoi e veproi Adem Demaçi, zëri i ndërgjegjes kombëtare, simbolit të rezistencës paqësore, i sakrificës dhe i përkushtimit të palëkundur për liri. Me veprën trivëllimëshe “Rrugëtimi me Adem Demaçin” të Selatin Novosellës është shënuar 90-vjetori i lindjes së figurës unike të kombit e pikërisht në përurim është ngritur alarmi se shtëpia e tij monument, po rrënohet e tok me të edhe rrëfimi që mund të ruhet aty

Epokë më vete është ajo në të cilën ka jetuar Adem Demaçi. Ishin ideali e sakrifica e tij për t’u shndërruar në dritë për brezat më pas. Dritë që shndrit përherë. Data 26 shkurt e vitit 1936 është e përjetësuar në kalendarin shqiptar, si ditëlindja e simbolit të rezistencës paqësore, i sakrificës dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj lirisë dhe të drejtave kombëtare. Të enjten, kur janë mbushur 90 vjet nga lindja e Adem Demaçit, nderimi për të është përkthyer edhe në vepra që përvitshëm flasin për qëndresën, sakrificën dhe besimin e tij të palëkundur në liri. Por është ngritur edhe një alarm: trashëgimia e tij po rrënohet.

Selatin Novosella ka përuruar veprën e tij të radhës, “Rrugëtimi me Adem Demaçin” në tri vëllime.  Autori i veprës që pati rastin të takohej me Demaçin prapa grilave të burgut, ka thënë se ishte me fat që ka qenë pranë tij. Ish-i burgosuri politik ka thënë se është hera e parë në një libër të tij ku Demaçi shfaqet më ndryshe nga ai i burgut dhe shqetësimeve. Është autor i më shumë se 20 veprave për Demaçin. Është dokumentuesi më besnik i veprimtarisë së tij e pikërisht Novosella ka ngritur edhe shqetësimin për qasjen institucionale.

“Ministria e Kulturës e ka shpallur shtëpinë e Adem Demaçit monument të historisë kulturore. Ajo shtëpi po rrënohet. Shtëpia ku takonte diplomatë, ambasadorë, gazetarë e sot ajo shtëpi po rrëzohet. Sot librat, të cilët me shumë dëshirë dhe me shumë punë kam arritur t’i sjell në formë elektronike, 30 vëllime presin vetëm ditën e shtypit dhe mbesin të pashtypura. Në tërë rrugën time, që do të përcaktohet me libra 24, ia kam kushtuar Adem Demaçit. I lexoj, jo si libra të mi, por si libra që i shoh me kënaqësi. Se nuk është ai i burgjeve e shqetësimeve, por një Adem pak më ndryshe”, ka thënë Novosella.

Akademiku Arsim Bajrami ka thënë se tri vëllimet e promovuara mesditën e së enjtes në Institutin Albanologjik të Prishtinës përmbajnë histori, analizë politike dhe akt të kujtesës kombëtare. Vetë ngjarja, sipas tij, është nderim i një epoke të ndërgjegjes shqiptare.

“Sot jemi mbledhur për të nderuar një epokë të ndërgjegjes shqiptare. Në qendër të këtij promovimi qëndron figura e Adem Demaçit, figura e rezistencës politike. Ato përbëjnë histori, një analizë politike dhe një akt të kujtesës kombëtare. Vëllimi i tretë pasqyron vitet e fundit të Demaçit. Këto tri vëllime tregojnë një biografi morale të një kombi. Nderojmë figurën e Adem Demaçit dhe figurën intelektuale të Novosellës”, ka thënë akademik Bajrami.

Edhe Adem Demaçi – zëri i popullit që s’i dha llogari asnjë tabori politik Kulturë Adem Demaçi – zëri i popullit që s’i dha llogari asnjë tabori politik

Për veprën e Novosellës ka folur edhe profesori universitar, Begzat Baliu, i cili ka vlerësuar fatin e autorit që ishte pranë Demaçit. Ka thënë se të dy, edhe Demaçi, edhe Novosella, në vepër bëhen dëshmitarë të historisë.

“Çfarë fati i autorit të jetojë pranë familjes së Adem Demaçit. Ky ishte fati i Novosellës të jetojë me Demaçin edhe në burg. Periudha e parë e krijimeve fillon në mënyrë simbolike me një anekdotë për Demaçin. Rrugëtimi i autorit plotësohet me lëvizjen e tij në mënyrë ilegale me Adem Demaçin, me arrestimin e dytë të Demaçit dhe fatin e lëvizjes kombëtare. Të dy njëkohësisht bëhen dëshmitarë të historisë. Bisedat për aktivitetet kombëtare në të gjitha fushat, bashkimin kombëtar, Kongresin e Drejtshkrimit... Vëllimet lexohen me një frymë, si një histori e roman”, ka thënë Baliu.

Gjatë ditës, figura e Demaçit është kujtuar si simbol i rezistencës dhe përpjekjeve për liri e drejtësi. Të tillë e ka kujtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim ku përfshihet edhe Astrit Dehari, ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Adem Demaçi është emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar rreth organizimit të gjerë për liri e bashkim kombëtar, për drejtësi dhe Kosovën Republikë. Astrit Dehari është emri më i dalluar ndër aktivistët e rinj të vazhdimit të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim e shqiptari, për barazi e përkujdesje për të gjithë. Ditëlindja e tyre nuk është veç një numër kalendarik (26 shkurt), por shifër domethëniesh të thella që vijojnë të na frymëzojnë dhe tregojnë me bindje rrugën tonë përpara”, shkruhet në postimin e Kurtit.

Akademiku e shkrimtari Rexhep Qosja e ka kujtuar Demaçin me fjalën që e kishte mbajtur në ceremoninë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit.

Aty shkruan se brezi i tij ka pasur fat të jashtëzakonshëm që ka takuar Demaçin, se emri i tij ka autoritet të madh e të pakrahasuar me askënd tjetër në vend. Se ky autoritet është bërë autoritet gjithëkombëtar.

Edhe Një libër mbi interpretimin filozofik të figurës së Adem Demaçit Shtojca për Kulturë Një libër mbi interpretimin filozofik të figurës së Adem Demaçit

“Shikimet e tij dhe shpjegimet e tij të fatit historik, politik, shoqëror, kombëtar të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve kurrë dhe kurrkund s’do të shprehen me mënjanëri mendore e ndjenjore, por me mospajtim të theksuar me gjendjen e përtashme dhe me padrejtësitë historike që u ishin bërë atyre, me mospajtime me pasojat që populli shqiptar po përjetonte për shkak të atyre padrejtësive të kryehershme, me mospajtime që do të ndërtojnë dhe frymëzojnë vetëdijen e re të rinisë sonë”, thuhej në fjalimin e Qosjes.

Aty ai përmend edhe krahasimet e Demaçit me Nelson Mandelën. Përmend se nderimet politike që iu bënë të fundit, nuk iu bënë atij që i referohet si “Mandela kosovar”.

“As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, çmimi shtetëror i Kosovës për krijimtari mendore, që i është dhënë shumë kujt, kujt e meriton dhe kujt s’e meriton, nuk i është dhënë Adem Demaçit! As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtarë të së cilës janë bërë edhe vetje pa rëndësi as politike, as shkencore, as artistike për Kosovën, nuk e nderoi veten e saj duke e pranuar Adem Demaçin!”, thuhej midis tjerash në fjalimin e dhjetë vjetëve më parë të Qosjes, me të cilin e ka kujtuar Demaçin të enjten, në ditën kur do të mbushte 90 vjet.

Demaçi njihej si simboli i rezistencës kombëtare, i quajtur edhe si Mandela i Ballkanit. Studioi për letërsi, juridik në Prishtinë, Beograd dhe Shkup.

Në vitet 1950, ai botoi një numër tregimesh të shkurtra me komentime sociale në revistën “Jeta e Re”, si dhe romanin emblematik të tij të vitit 1958 me titull “Gjarpijt e gjakut”, që flet për gjakmarrjen në Kosovë dhe Shqipëri. Krijimtaria letrare i solli famë.

Demaçi u arrestua fillimisht për kundërshtimin e tij ndaj qeverisë autoritare të Josip Broz Titos në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri më 1964-1974 dhe më pas 1975-1990. U lirua nga burgu në vitin 1990, duke shënuar në total 28 vjet burg.

Edhe Kurti e Haxhiu kujtojnë Demaçin në tetë-vjetorin e vdekjes: Shembull i pathyeshmërisë Arbëri Kurti e Haxhiu kujtojnë Demaçin në tetë-vjetorin e vdekjes: Shembull i pathyeshmërisë

Pas lirimit të tij, ai ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) nga viti 1991 deri në 1995. Ai gjithashtu shërbeu si kryeredaktor i “Zërit”, një revistë me seli në Prishtinë, nga viti 1991 deri më 1993. Në vitin 1991, ai u nderua me çmimin “Sakharov” të Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit. Në vitin 1996, Demaçi u rikthye në jetën politike, duke marrë kreun e Partisë Parlamentare të Kosovës.

Dy vjet më vonë, ai u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shërbyer si krahu i saj politik.  Në vitin 2010 ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”. Vdiq më 26 korrik në moshën 82-vjeçare.