Shkruan: Arsim Canolli
Një fabulë e Ezopit thotë se korbi mundohet të pijë nga shtamba e mbushur ujë deri në gjysmë. Por kur e sheh se nuk mund të fusë sqepin e tij në shtambë, atëherë ai merr disa gurë dhe e mbush shtambën deri sa uji arrin në nivelin ku mund të pijë me sqepin e tij. Por, kjo nuk është vetëm fabulë ezopiane.
Në fakt, biologët kanë vrojtuar se korbat bëjnë këto gjëra shpesh, të cilat konsiderohen si aktivitete mentale. Natyrisht se dogmatistët dhe diktatorët e mendimit anti-shkencor do të bërtisnin: “Sorra paska mend?! Jo jo, ti ka pi sorra mendtë ty”. Por, edhe nëse ia sqaron një fanatiku trusorrë se shimpanzetë dhe bonobotë, kushërinjtë tanë më të afërt primatian, krijojnë pesë mjete për t’a nxjerrë mjaltën nga koshereja, ata nuk do të besonin se kjo ka të bëjë me “aktivitet mental”, “mençuri” apo “synim”. Por, grindja me ty nuk do të ishte mbi “aktivitetin mental” apo “synimin”, sepse ato mund të shihen vetëm si “sjellje të kafshëve”, por me faktin se i quan “kushërinj”. “Ne qenkemi kushërinj me majmunët? Po na barazoni me majmunët?”, do të ngritej zëri. Pavarësisht se shkenca ka krijuar një traditë të ngjeshur të mendimit të bazuar mbi evidenca mbi evolucionin njerëzor dhe ka arritur të venerojë ngjashmëritë dhe diferencat me kafshët, ne ende jemi të pazotë, në përgjithësi, të pranojmë se ngjashmëritë janë të mëdha.
Dhe kjo nuk është kryekëput qasje ateiste, sepse biologët, gjeneticistët e psikologët më të zellshëm në këtë drejtim janë edhe besimtarë në Zot, në mënyrën e tyre, ndonëse nuk praktikojnë gjithë hapat ritualesk të fesë së caktuar. Dhe nuk ka probleme në pranimin e bashkëjetesës së hemisferave "shkencë" dhe "religjion", apo në negocimin e gjetjes së domethënies dhe kuptimit në të dyjat, sepse gjendja mentale dhe morale që pranon edhe fenë edhe shkencën nuk është problematike për shumë njerëz, edhe pse është problematike për një numër të madh të tyre.
Njeriu ndan me kafshët, e sidomos me primatët kushërinj, një strukturë biologjike e kognitive rudimentare, e cila neglizhohet edhe nga vetë akademikët, ndonëse Charles Darvini ka shkruar mjaft shumë për këtë, sidomos te libri "Prejardhja e njeriut". Kjo strukturë kognitive ka pësuar një shpërthim të madh te njeriu, ndërsa ka mbetur rudimentare te kafshët tjera. Se si shpërtheu kjo strukturë në trurin e njeriut dhe çfarë e shtyu shpërthimin kognitiv është ende mister edhe për shkencën, edhe pse secilën herë e më shumë gjërat po bëhen më të qarta e më interesante. Ndër to është edhe njohja e kafshëve dhe mençuria e rudimentaritetit kognitiv të tyre.
Edhe
Si ndikojnë në humor problemet me zorrët
Por, shtrohet pyetja: A jemi të mençur sa duhet që të dimë se sa të mençura janë kafshët? Kjo nuk është vetëm një pyetje retorike, por vetë titulli i librit të fundit “A jemi të mençur sa duhet që të dimë se sa të mençura janë kafshët” botuar më 2016, të kolosit të primatologjisë, Frans de Waal, njeriut që ka ndikuar fort në mendimin bashkëkohor se kush jemi, kah vijmë dhe pse jemi kështu si jemi. Frans de Waal njihet si bihejviorist, një ndër primatologët e mirënjohur, studimet e të cilit kanë hapur shtigje të reja në fushën e bihejviorizmit dhe psikologjisë evolutive. Ai ka shkruar një sërë librash nga studimet e tij të fokusuara në përshkrimin, matjen dhe krahasimin e sjelljes së primatëve. Ndër librat kryesorë që ka ndikuar në të gjitha shkencat sociale e filozofi është libri “Politika e shimpanzeve”, botuar para tri dekadave, ku de Waal nxjerr interpretime mjaft specifike nga vrojtimet e tij të ngeshme në kopshtin zoologjik Arnhem në Holandë, vrojtime këto që plotësojnë dhe krahasohen me vrojtimet e bëra në terren nga primatologët tjerë përfshirë Jane Goodall, Diane Fossey, Richard Wrangham, Craig Stanford e të tjerët. Ajo që de Waal vrojton te shimpanzetë është fakti se edhe ata krijojnë aleanca, tradhtojnë njëri tjetrin, udhëheqin duke bashkuar grupin, dinë të pajtohen, etj. Ndër vrojtimet e tij më specifike është edhe vrojtimi i tij se lideri shimpanze nuk mund të imponojë pushtetin e tij mbi grupin pa ndihmën e tjerëve. Pra, as te shimpanzetë nuk punon koncepti absolut i tiranisë autoritative. Po ashtu, ai observon se shimpanzetë bëhen miq pas betejës mes vete dhe për pajtimin e tyre ndërmjetësojnë femrat. Sipas tij, politika e njeriut duket “të jetë pjesë e trashëgimisë evolutive që e ndajmë së bashku me kushërinjtë tanë”. Secila sjellje njerëzore, të cilën e kemi menduar si njerëzore, duket se ka një emërues të përbashkët rudimentar me kafshët. Darvini ka lënë legacinë e tij të “vulës së pashlyeshme” në qeniet njerëzore si rezultat i evolucionit sipas selektimit natyror. Pas ndarjes me kushërinjtë tanë primatë, pas “hallkës së humbur”, gjinia njerëzore ka evoluar nëpër degë të ndryshme, deri te homosapiens. Në vigun evolutiv të qenies njerëzore kjo vulë ka ndikimin e vetë si vulë biologjike dhe vështirë se mund të anashkalohet si dhe pretendohet shpesh. Megjithatë, ajo që ka krijuar njeriun si qenie njerëzore është kultura, krijimi, bartja dhe rivitalizimi i kreativitetit njerëzor përfshirë simbolet, religjioni, doket, shprehjet, kreativiteti, ligji e gjuha, si trashëgimi e gjallë njerëzore, gjithnjë në rritje, ndryshim e tëhollim. Studimet më objektive mbi sjelljen nejrëzore, e kompiluar nga emocionet dhe arsyeja, dalin kur këto pikëpamje: pikëpamja natyraliste edhe pikëpamja konstruktiviste, të paktën konsiderohen se janë të rëndësishme, edhe kur studimi bazohet kryesisht ose krejtësisht në një qasje. Frans de Waal nuk konsiderohet si bihejviorist që përjashton faktin se njeriu është peng i kulturës, por synon të zbardh faktin se njeriu është edhe peng i trashëgimisë evolutive animaliste. Ai pohon se me kushërinjt tanë primatë kemi edhe sjellje të përafërta, sikurse që kemi anatomi pothuajse të përafërt.
T’i kthejmë sytë te libri. Në librin “A jemi të mençur sa duhet që të dijmë se sa të mençura janë kafshët”, de Waal bën një hartëzim të sjelljes së kafshëve të ndryshme. Në fakt qysh në faqet e para vërehet fakti se bota sociale e kafshëve dhe ambienti përreth tyre (umwelt) është fort i rëndësishëm për njohjen e sjelljes së kafshëve. Në këtë rast, de Waal parashtron idenë se sistemet sociale ndërtohen mbi idenë e reciprocitetit, gjë që mund të kuptohet nga ekologjia dhe gjenetika të cilat prodhojnë strukturat dhe kiminë që përcakton ngritjen e sistemeve sociale. Pak e shumë, që në fillim shihet se de Waal është i kushtëzuar nga determinizmi ekologjik dhe gjenetik. Megjithatë, de Waal sjell në konsideratë edhe evolucionin kognitiv duke vënë në rresht të parë idenë e “ndjenjave” dhe “mendjes”, sado minimaliste të na duket, jo vetëm të përgjigjeve të mësuara bihejvioriste të kafshëve. Madje ai argumenton se edhe në kokat plotë qime të gjata dhe të pakrehura të shimpanzeve, gorillave, bonobove, kapuçinëve e majmunëve tjerë, ekzistojnë fara të vogla të moralitetit (sado minimalist) që deri tani është konsideruar si mund të marrë vetëm atributin e “njerëzores”. Në fakt njerëzorja e njeriut del prej një strukture të brishtë biologjike që ka evoluar si strukturë kognitive edhe te kafshët dhe është shtresuar e rritur për të krijuar variantin brenda primatëve të gjinisë homo, të njohur si “njerëzore”. Nëse krahasohet, njeriu ndan me hominoidët, apo majmunët e mëdhenj si ne, si shimpanzetë, gorillat, bonobotë, orangutanët dhe gibonët një ADN pothuajse krejtësisht të përbashkët. Në fakt, në terma të ADN-së vetëm 1.2 % të saj ndërron mes këtyre hominoidëve dhe njeriut dhe kjo ka shkaktuar një debat të madh rreth asaj që gjindet në këtë 1.2% fond të ndryshëm gjenetik. Ja një paragraf për mentalitetin e shimpanzeve.:
“Si krejt majmunët tjerë edhe shimpanzetë mendojnë para se të veprojnë. Majmuni më me mend është ndoshta orangutani, por shimpanzetë dhe bonobotë, pavarësisht haresë emocionale, gjykojnë situatën para se të hynë në të, duke peshuar efektet e aksioneve të tyre. Shpesh gjejnë zgjidhje në kokat e tyre para se të provojnë gjërat. Nganjëherë shohim kombinime të të dyjave, si herave kur nisin planin para se të formësohet tërësisht, që nuk është i pazakontë edhe te speciet tjera.”
Në libër, de Waal merr shembuj të shumtë të cilët dalin nga studimet e tij dhe të kolegëve e komunitetik akademik në fushën e biologjisë, psikologjisë e mbi të gjitha të antropologjisë biologjike. Reflektimet e de Waal-it hapin shtegun për konversacion mes konceptit “kafshë” dhe “kognitiv”, fjalë, të cilat nuk janë imagjinuar aq thellësisht në të kaluarën. Pa dyshim se këtij shtegu mund të hyjnë pak hulumtues e ndër ta është Frans de Waal, i cili qe thirrur me emra të ndryshëm kur pati sugjeruar në studimet e tij nistore se primatët menaxhojnë botën e tyre sociale përmes strategjive politike. Antropologët e kulturës,të cilët janë kryesisht të interesuar në kulturën si konstrukt kulturor, si marrëdhënie shoqërore, vështirë kapërdijnë disa kafshata të forta nga ky libër. Madje një nga ta, Jonathan Marks, pati deklaruar se “nëse emërtohet sjellja e majmunëve si “kulturë”, do të thotë se duhet gjetur një fjalë tjetër për atë që bën njeriu”. Por, de Waal thekson se ideja nuk është te gjetja e marrëdhënieve dhe përvojës së kafshëve sikurse te variantet e përvojës kulturore te njeriu. Tendenca nuk është e barazimit. Synimi është te identifikimi proceseve mentale te kafshët duke matur rezultatin e vrojtuar. Nëse kafshët planifikojnë, atëherë ata duhet t’i ruajnë veglat të cilat ju duhen më vonë.Nëse kuptojnë marrëdhëniet shkak-pasojë atëherë ata duhet t’i shmangen rrezikut nga kurtha që kanë përjetuar njëherë. Këto gjëra de Waal i diskuton duke u bazuar në evidencë. Andaj, edhe përfundimi i argumentit në libër është konsekuencë e diskutimit të hulumtimeve empirike: “në vend se ta vendosin njerëzimin si masë të të gjitha gjërave në botë, ne duhet t’i vlerësojmë speciet tjera ashtu si ato janë.” Kjo nuk nënkupton asnjë kthim real në gjendje primordiale, si pretendohet shpesh nga cinikët. Kjo nënkupton kthimin e kokës kah njohja e kafshëve për aq sa janë të mençura e të dobishme për njohjen e historisë sonë të përbashkët.
Edhe
A ka truri kufij dhe a mund ta shfrytëzojmë 100 për qind
Konversacionit shqiptar i mungojnë studimet mbi kafshët, si ato nga disiplinat specifike si ato ndërdisiplinare. Por, së fundi kam dëgjuar një ligjëratë inspiruese për pasiguritë e mbijetesës së mishngrënësve në Shqipëri dhe raportit shoqëror mes banorëve lokalë, shtetit, organizatave dhe kafshëve të egra, nga studiuesi i animalistikës, Aleksandër Trajçe. Megjithatë, antropologjia kognitive, psikologjia evolucioniste, e shkencat tjera nuk duket se janë pjesë e konversacionit shqiptar. Shkencave sociale duket sikur iu mungon një literaturë hyrëse mbi studimet mbi kafshët nga pikëpamja bihejvioriste, por edhe nga ajo shoqërore. Prandaj, edhe sudimet bazike në fushën e animalistikës, edhe përkthimet në këtë fushë do të ishin më se të mirëseardhura.
(Autori është antropolog, profesor në Universitetin e Prishtinës)