Kulturë

Kosova me 150 tituj në Panairin e Librit në Paris

“Kosova” është shkruar me të zeza mbi hartën e shtetit, të vendosur në panon që bie në sy tek shtandi i vendosur në hapësirat e “Porte de Versailles”, shkruan sot Koha Ditore.

Shoqata e Botuesve e Kosovës u është bashkuar botuesve ndërkombëtarë në Panairin e Librit në Paris, që zyrtarisht hapet sot (e premte) dhe që këtë vit mban edicionin e 37-të të tij. Në pano shihen imazhe e biografi të shkurtra të Pjetër Bogdanit, Gjon Buzukut, Anton Pashkut, Pal Engjëllit, Musine Kokollarit e Ibrahim Rugovës. I themeluar më 1981, fillimisht si “Salon du Livre de Paris”, që më 2016 u bë “Livre Paris”, është panair i librave që bën bashkë botuesit, autorët francezë e ndërkombëtarë dhe rreth 150 mijë lexues të librit për çdo vit. Edicioni i sivjetmë zgjat deri më 27 mars. Është hera e dytë që botimet nga Kosova prezantohen në këtë ngjarje të rëndësishme të industrisë së librit që mbahet në kryeqytetin francez.