Prishtinë, 26 janar - Nëpërmjet një mbledhjeje solemne nga Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është kërkuar që diletantët e historisë të mos merren me figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.
Në organizimin me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së tij, të mbajtur të enjten në objektin e Rektoratit, po ashtu është bërë thirrje që aspekti fetar të qëndrojë larg analizimit të të bëmave të heroit. Është promovuar edhe ajo që është quajtur fryma kastriotiane që do të shërbente për të vënë interesat e vendit para atyre personale.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka thënë se Skënderbeu ishte figurë e rrallë që arriti të bashkojë të gjitha fiset shqiptare. Sipas Demës, nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë, u shënua një kthesë vendimtare në politikën e vendit, por më e rëndësishmja është që vetëdija kombëtare u ngrit si asnjëherë më parë, shkruan sot Koha Ditore.
Profesori universitar i historisë, Muhamet Mala, i cili ka folur më gjatë për figurën e heroit në këtë mbledhje solemne, ka thënë se trajtimi i kësaj epoke imponohet për studim nga vetë rëndësia dhe reflektimi që pati në rrjedhat e historisë evropiane dhe shqiptare. Sipas Malës, pa hezitim duhet kërkuar që diletantët të qëndrojnë larg vlerësimit të figurës së Skënderbeut (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.