Kulturë

Farsa e fatit

Përjashto veprat e tre-katër poetëve, poezia shqipe deri në dekadën e fundit të shekullit të kaluar është ose poezi rurale, ose poezi ideologjike.

Basri Çapriqi, i cili krijimtarinë e tij e nis më 1983, bën pjesë te përjashtimet. Madje edhe te përjashtimet është i veçantë, aq sa mund të konsiderohet poeti i parë me vetëdije postmoderniste, ngaqë e përdor më shumë se çdo poet tjetër shqiptar ironinë, figurën kryesore të postmodernizmit dhe i dekanonizon standardet kulturore e letrare, shkruan Ag Apolloni në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Poezia e Basri Çapriqit nuk mund të shihet në relacion me poezinë paraprake shqipe, sepse vetë poeti nuk ka model ndonjë poet shqiptar. Poezia e tij duhet të shihet në relacion me poezinë moderne dhe postmoderne të poetëve anglofonë.

Ajo është poezi që asimilon brenda vetes praktikën poetike të modernistëve dhe shkruhet në kontakt me poezinë e postmodernistëve botërorë, prandaj ajo në njërën anë ka: ironinë e Ezra Poundit, karakterin eksplorues të veprave të T. S. Eliotit, pastërtinë e imazhit të William C. Williamsit, kurse në anën tjetër: detajet urbane të John Ashberyt, ujin dhe kripën e Louise Glück-ut, apo edhe disponimin kozmopolitan të Charles Wright-it.

Si e tillë, poezia e Basri Çapriqit sjell një frymë dhe formë të re në letërsinë shqipe, në të cilën ai, edhe pse kurrë s'e ka dashur patetiken dhe fjalët bombastike, është poeti më i guximshëm dhe opozitari i vetëm. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).