Ka ndërruar jetë në moshën 58 vjeçare, poeti dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqi.
Ai ka ndërruar jetë sot, e varrimi i tij do të bëhet të martën ë Prishtinë.
Basri Çapriqi u lind në Ulqin në vitin 1960. Ka mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988.
Në vitin 2004 merr gradën shkencore Ph. D. në Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punoi profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme. Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht.
Ishte Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherësh themelues në vitin 2004.
Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Edhe
Në kujtim të Basri Çapriqit – një libër me studime e poezi
Shkroi poezi, kritikë letrare, ese, publicistikë. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi dhe pesë libra me kritikë letrare dhe studime. Librat më të njohur me poezi janë: “Ulli me dymijë unaza”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e gjarprit”, “Përkryrja e shiut”. Librat me kritikë: “Mikrostruktura e tekstit”, “Simboli dhe rivalët e tij”, “Paradigma kadareane” etj.
Ka marrë disa çmime letrare për poezinë e tij: Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (1996, 2007), Çmimi Vjetor i Art Club, Ulqin, Çmimi Lasgush Poradeci, Shqipëri (1992), Medalen e Argjendët, në kompeticionin për poezi në Internacional Saloon of The Academie Europeenne Des Arts, Bruksel (2007) etj.