Në pranverën e vitit 1968, Evropa përjetoi kryengritjen e madhe studentore. Gjithandej kërkohej barazi sociale. Tek në vjeshtën e vonshme, qytetet e Kosovës do të vërshoheshin prej studentëve e nxënësve demonstrues. Nëntori ishte muaji i shqiptarëve. Deri atëherë i ndaluar, flamuri kuqezi do të valonte krenueshëm më 27 nëntor në zemër të Prishtinës – mu në rrugën që mbante emrin e diktatorit jugosllav.
Ngjashëm, po valëvitej edhe nëpër qytete të tjera. Por edhe pesëdhjetë vjet pas, nuk ka pajtim të përgjithshëm ndërmjet pjesëmarrësve dhe studiuesve për ndikimin e frymës rebeluese evropiane në mesin e studentëve të Kosovës. Krejt pajtohen se vjeshta po korrte farat e një ndryshimi të paralajmëruar në pranverë me mbajtjen e Simpoziumit Shkencor për 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.
Çerdhe e kryengritjes së madhe paqësore ishin fakultetet e atëhershme të Prishtinës – Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridik-Ekonomik dhe Fakulteti Juridik.”Duam Universitet” e “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, ishin dy prej parullave të shumta me të cilat shtroheshin në rrugë kërkesat për avancimin e statusit të Kosovës.
Demonstratat menjëherë morën karakter mbarëpopullor. Rinia mblodhi rreth vetes të madh e të vogël me kërkesat që zienin përbrenda për dekada me radhë nën ombrellën diktatoriale jugosllave. Shqiptarët, më të varfrit në Jugosllavinë titiste, demonstruan për barazi kombëtare. Mbështetja e madhe popullore do t’u jepte zemër edhe liderëve komunistë të Kosovës. Kishte dy vite që kishin filluar të flisnin herë pas here hapur për ndryshime rrënjësore të statusit politik të Kosovës pas rënies së liderit famëkeq serb, Aleksandar Rankoviq, që po e rivalizonte edhe lëkundte kolltukun kroatit Josip Broz Tito. Organizatorët do të torturoheshin, arrestoheshin e burgoseshin, por ia dolën t’i jepnin hov një ndryshimi të madh.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)