Kulturë

Filarmonia e Kosovës nis sezonin e ri me performancë të trumbetistit Nakariakov

Descriptive Text

Veprat e kompozitorëve Hajden, Çajkovski dhe Brahms u interpretuan në koncertin e parë të Filharmonisë së Kosovës për sezonin e ri.

Nën drejtimin e dirigjentit Boian Videnoff, i cili për herë të katërt bashkëpunoi me instrumentistët e Orkestrës Simfonike, koncerti kishte dy të ftuar specialë, dy instrumentistë të shquar botërorë: pianisten Maria Meeroviç dhe trumbetistin më në zë të kohës, virtuozi Sergei Nakariakov.

I quajtur "Paganini i trumbetës", Sergei Nakariakov ka luajtur trumbetën që nga fëmijëria. Në fakt, instrumenti i tij i parë muzikor ishte pianoja. Në moshën dhjetë vjeçare, Nakariakov filloi të interpretonte me orkestra në vendet e rëndësishme të ish- Bashkimit Sovjetik.

Aktualisht, ai renditet si një nga trumbetistët me më ndikim në botë dhe ftohet në skenat më të rëndësishme koncertale në të gjithë botën.

Për herë të parë në Kosovë, Sergei Nakariakov u shpreh i kënaqur me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

“Njerëzit e mrekullueshëm, Orkestra e mrekullueshme, muzikantë të rinj dhe entuziastë, një atmosferë e mirë. Është shumë mirë të jem këtu bashkë me miqtë dhe muzikantë të mrekullueshëm, dirigjentin Boian Videnoff dhe pianisten, Maria Meeroviç”.

Një intervistë më të zgjeruar me trumbetistin Sergei Nakariakov do të keni rastin ta ndiqni së shpejti në emisionin “Express” në Kohavision.