Kulturë

“U2” me “The Blackout” për politikën e degraduar

Pas publikimit të albumit të pafat, “Songs of Inocence”, shumë njerëz mund kenë shtruar pyetjen nëse kishte ende vend për “U2” më 2014 e më tej. Bendi duket sikur ia ka shtruar vetes të njëjtën pyetje. E derisa trazirat vazhduan, bendi e gjeti veten duke bërë turne me përpunimin e ri të klasikut të vitit 1987, “The Joshua Tree”.

Për një moment, në verën e nxehtë të vitit 2017, u duk sikur ende mund të kishte një vend për grupin “U2” për projektin e tyre të unitetit, shkruan “npr.org”, transmeton “Koha Ditore”. Në fund të gushtit, bendi lansoi një video-performancë të këngës së re, të titulluar “The Blackout” që është pjesë e albumit të tyre të ardhshëm “Songs of Experience”.

Mos u lodhni ta kontrolloni “iPhonen” tuaj për të gjetur udhëzime për shkarkim: këtë video mund ta gjeni në faqen e tyre zyrtare të Facebookut, nën kategorinë Facebook Live. Regjisori i videoklipit Richie Smyth, e ka xhiruar bendin teksa ka performuar këngën e re për audiencën në Amsterdam dhe në vepër përdoren të njëjtat teknika të efekteve të kontrastit të lartë, sikurse në vizualizimin e “Joshua Tree” për “Bullet The Blue Sky”.

Sa i përket këngës, “The Blackout” është shprehimisht politike. E realizuar si nderim për “Bullet The Blue Sky”, duhet të thuhet se bash këtu përfundojnë ngjashmëritë. Duket sikur me “vertigo” të vitit 2004 u thye diçka: prej atëherë me “Get On Your Boots”, tek “no Line On the Horizon” dhe “The Miracle” nga “Songs of Innocence” dhe tani me “The Blackout”- bendi formalisht ka prezantuar incizimet e reja me elemente të kitarës së shtrembëruar dhe goditje të baterisë e të basit. Dhe Bono ende e ka një zë të jashtëzakonshëm, por meloditë e tij në këto këngë prezantuese të albumeve, nuk kanë shumë gjallëri.

Bono, fama e të cilit kristalizon shumicën e gjërave të cilat kritikët e bendit pëlqejnë t’i urrejnë, këtu ka prekur një pikë relativisht të ulët. “Statujat bien/Demokracia është e sheshtë në shpinë, Jack”, këndon ai në njërin prej vargjeve. Ky varg madje shkon përtej “Love and Peace or Else” sa i përket ndarjes së kuptimit politik.

Është gjoja një këngë për një moment të degradimit botëror politik - një moment në të cilin ne shohim drejt humnerës dhe e kuptojmë që ne jemi drita. Është një mesazh që Bono, do të duhej të ishte në gjendje ta shpërndajë me plot bindje, nëse merret parasysh historia e tij e politika e shkrimit të teksteve. Megjithatë, kjo këngë e shet idenë që rezistenca është argëtuese: “Kur dritat ndalen/ hidheni veten në errësirë, ku mësojmë të shohim”, lutet ai në refrenin e këngës.

“The Blackout” nuk është kënga kryesore e albumit “Songs of Experience”, as nuk është gjëja e parë që kemi dëgjuar nga incizimet e reja. Bendi e kishte interpretuar live një këngë shumë premtuese të quajtur “The Little Things That Give You Away” live, në turneun dhe në emisionin “Jimmy Kimmel Live” ... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.