Si bashkëprodhim me “Ajkun Ballet Theatre” me seli në New York dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, shfaqja fillimisht qe dhënë premierë në New York në qershorin e sivjetmë. Me skenografi të thjeshtë sa për t’iu përshtatur kafeneve ku tango është pjesë e pandashme e ndejave, balerinët e Kosovës së bashku me ata amerikanë kanë ofruar më shumë spektakël sesa shfaqje. Por pushimi midis sezoneve e ka bërë të veten. Është vërejtur goxha. Sidomos në dhjetë minutat e para të shfaqjes pasiguria e balerinëve është lexuar edhe me sy. Por mbi të gjitha është pasioni, dhe ai vjen i flaktë me “Tango Nights”
Është asi ambienti i kafeneve të qejfit. Me tavolina të thjeshta, errësirë e shishe boshe ku njerëzit pinë pa menduar për gjë tjetër. E kur janë fort në qejf, ngrihen e ia krisin vallëzimit. E meqenëse bëhet fjalë për kafene të Buenos Airesit, merret lehtë vesh se tango është kryefjala. Me Fatmir Smanin në fillim, që në ata minuta vjen më shumë si aktor sesa balerin shkaku i rolit që ka, “Tango Nights” është shfaqje ideale për një fillim të sezonit. Baleti Kombëtar i Kosovës ka përvojë të mëhershme me këtë stil vallëzimi, por në këtë rast bashkëprodhimi i kësaj shfaqjeje e ka zgjeruar hartën e interpretimit.
Si bashkëprodhim me “Ajkun Ballet Theatre” me seli në New York dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, shfaqja fillimisht qe dhënë premierë në New York në qershorin e sivjetmë. Me skenografi të thjeshtë sa për t’iu përshtatur kafeneve ku tango është pjesë e pandashme e ndejave, balerinët e BKK-së së bashku me ata amerikanë kanë ofruar më shumë spektakël sesa shfaqje. Është format që vjen kësisoj. Xhelozia, revanshet, pasioni e shumëçka tjetër nxirren në pah kur pas disa gotave alkool tangoja futet midis çifteve.
Por pushimi midis sezoneve e ka bërë të veten. Është vërejtur goxha. Sidomos në dhjetë minutat e para të shfaqjes pasiguria e balerinëve është lexuar edhe me sy. E zhurma e fëmijëve të shumtë që janë në sallë po ashtu është njëfarë “kolone zanore” e pashmangshme. Kur shtohet edhe ndonjë pamje që dikush në radhë të parë ndërron karrigen gjatë shfaqjes për të gjetur pozicion më të mirë për të shkrepur ndonjë foto, s’dihet më kush është më i dehur, ata që “pinë” për efekt të shfaqjes apo ata përballë.
Vallëzimi tango, njëfarë kombinimi i vallëzimit të afrikanëve dhe flamengos i lindur në Argjentinë në fund të shekullit 19 e në fillim të shekullit 20, kur të ardhurit e vendësit fuziononin kulturat, e ka efektin që të mbulojë ndonjë pasaktësi. Madhështia e këtij vallëzimi, bashkë me profesionalizmin e treguar kanë bërë që përreth një orë balerinët të fusin të pranishmit në një botë ku në kafenenë e Buenos Airesit në fillim të shekullit 20, vendës e të ardhur kënaqen e “luftojnë” njëkohësisht. Çiftet janë në momentet e tyre të disponueshme, xhelozia e lakmia e bëjnë të veten duke ofruar pjesë ku publiku qeshet pa ndalur e mban sytë katër. Spektakli është i pranueshëm për skenën ku luhet, amfiteatri i Pallatit të Rinisë dhe Sportit, pasi Baleti është pa shtëpi prej korrikut të vitit 2022 shkaku i mbylljes për restaurim të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. Për ndonjë shfaqje të madhe klasike as që ia mësyn, pasi ato s’bëhen në bodrume. Bodrumet janë për tango. Më të mirët e BKK-së dhe ata të kompanisë amerikane të baletit i kanë dhënë jehonë hapjes së sezonit të ri. Me raste shkaku i roleve, shfaqja ka qenë edhe “hot”. Por pa ekzagjerim. Spektakli i ofruar bashkon thuajse krejt moshat, e energjia e balerinëve në skenë komunikon lehtë me atë të publikut. Duelet ku dy burra synojnë të joshin një vajzë janë aso përpjekjesh titanike ku asnjëri nuk heq dorë e nuk i shuan dot shpresat. Në raste të tilla publiku s’ndalet së qeshuri.
Koreografja Chiara Ajkun numëron 27 vende në botë ku është paraqitur me veprat e saj dhe ka bashkëpunuar me trupa baleti.
“Më pëlqen të punoj me trupa të ndryshme baleti gjithandej botës. Kam shprehur interesin për këtë bashkëpunim dhe Baleti Kombëtar i Kosovës është treguar i gatshëm. Kam qenë në mars këtu dhe kemi punuar bashkë. Më pas balerinët e Kosovës kanë ardhur në New York, ku edhe kemi pasur premierën”, ka thënë ajo. Nuk ka dashur të kenë një temë specifike në shfaqje, por të shëtisë nëpër historinë e tangos.
“Është një natë në Buenos Aires. Tango është e mirënjohur si vallëzim i pasionit të flaktë dhe luftimit po ashtu. Kam përfshirë histori të ndryshme të tangos për të nxjerrë në pah komplikimet e marrëdhënieve midis çifteve. Burrat pinë shumë, gratë dëshpërohen. Djemtë luftojnë. Nuk është një storie specifike. Është një natë në Buenos Aires në fillimet e shekullit 20 ku kishte shumë refugjatë dhe ata mundohen të kombinojnë vallëzimin e tyre me flamengon dhe lind tango”, ka thënë ajo. Në konceptin e saj ka bërë një fuzionim të pasionit, vallëzimit, misterit, joshjes, dhe shumë akteve të çuditshme kanë bërë që të ketë lojë dinamike e elegante njëkohësisht. Te balerinët kosovarë ka parë goxha pasion.
“Besoj që BKK-ja ka përgjegjësi shumë të madhe. Është një trupë e re e lindur pas luftës. E kemi parë në New York që ata bashkojnë diasporën në vendet ku shkojnë e po ashtu edhe popullsinë vendore. Njerëzit e Kosovës kanë fuqi shprehëse dhe për këtë duhet të jenë krenarë”, ka thënë Ajkyun, që gjatë përgatitjes së shfaqjes asistente e ka pasur balerinën Luljeta Ademi.
Solisti Sead Vuniqi ka thënë se bëhet fjalë për një bashkëpunim të përkryer.
“Ishte një urë lidhëse. Kemi punuar këtu e pastaj ju jemi bashkuar atje. Mikpritja që na është bërë dhe njerëzit që na kanë parë ka qenë një kënaqësi dhe krejt kjo është një krenari e madhe për BKK-në”, ka thënë ai.
Duetet në kafene marrin hov, përderisa balerinët vijnë nga fundi i shfaqjes. Anëtarët e Baletit Kombëtar të Kosovës ka kohë që kanë pasur synim që të interpretojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas interpretimeve në disa qytete evropiane, institucioni i rithemeluar pas luftës së fundit në Kosovë ia ka dalë që të paraqitet edhe në New York. Përtej kësaj, përvoja me koreografen Ajkun është përshkruar si eksperiencë me vlerë.
“Përvoja me koreografen, e cila ka eksperiencë të madhe sigurisht ka qenë domethënëse për balerinët tanë edhe në aspektin teknik pasi ka punuar në detaje me ta. Shfaqja është ndërtuar kryesisht me duete. Kjo për shumë arsye, pasi kishim para vetes një projekt të madh. Koreografja ka qenë shumë e kujdesshme dhe për këtë arsye e ka ndërtuar shfaqjen në këtë formë”, ka thënë Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Tango Nights” ka bashkuar shumë stile. Në këtë rast edhe goxha kombe. Është mbyllur me spektakël e histori. Dhe ka bërë të ditur se qejfi e gallata kanë edhe kufij.