“Kosovo Theatre Showcase” është bërë “Kosovo Albania Theatre Showcase”. Zgjerohet në një skenë tjetër po aq të gjallë dhe unike, por relativisht të paeksploruar ndërkombëtarisht. “Po shfrytëzojmë këtë mundësi për t’u zhvendosur fizikisht në Tiranë, Shqipëri, dhe kemi mundësinë të shohim se çfarë ofron”, ka njoftuar “Multimedia”
“Kosovo Theatre Showcase” sivjet do të kalojë kufijtë e shtetit më të ri në Evropë. Platforma e themeluar në vitin 2018 nga qendra “Multimedia”, prej atij viti ka mbledhur disa shfaqje vendore për të promovuar teatrin e Kosovës para gazetarëve, kritikëve e artistëve ndërkombëtarë të teatrit, sivjet synon më shumë. Platformës i është ndërruar emri në “Kosovo Albania Theatre Showcase”. Do të mbahet në Tiranë prej 29 tetorit deri më 2 nëntor në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe teatrin kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Qendra “Multimedia” ka bërë të ditur se pas gjashtë vjetësh eksplorimi të skenës teatrore unike të Kosovës, këtë vit po zgjerohet në “Kosovo Albania Theatre Showcase” në një skenë tjetër po aq të gjallë dhe unike, por relativisht të paeksploruar ndërkombëtarisht.
“Po shfrytëzojmë këtë mundësi për t’u zhvendosur fizikisht në Tiranë, Shqipëri, dhe kemi mundësinë të shohim se çfarë ofron. Nga data 29 tetor deri më 2 nëntor, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe teatrin kombëtar eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’ – Tiranë, presim të ndajmë me ju një javë të një programi të përzier prej 10-12 produksionesh teatrore nga Kosova, Shqipëria dhe jashtë tyre”, ka bërë të ditur “Mutimedia”. Pjesë e programit do të jenë edhe ngjarje plotësuese teatrore, si diskutimet, seminaret dhe masterklasat, në bashkëpunim me artistë dhe teatro, duke përfshirë dramaturgun Mark Ravenhill e “Theatre de la Ville” në Paris e “Teatro della Pergola” në Firencë.
“Këtë vit presim rreth 100 të ftuar ndërkombëtarë”, shkruhet në njoftim.
Më 2018 kjo platformë ishte themeluar për herë të parë në Kosovë. Asokohe ishin dhënë katër shfaqjet e fundit të realizuara nga qendra “Multimedia”. Në atë edicion ishte përfshirë edhe shfaqja “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris dhe e cila kishte hapur Festivalin e Tetarit në Ferizaj. Panelet e diskutimit dhe mbrëmjet letrare e muzikore ishin pjesë e programit. Asokohe ishin rreth 30 mysafirë ndërkombëtarë si selektorë festivalesh, kritikë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë e dashamirës të teatrit.
Synimi prej asaj kohe ishte i përvitshëm.
“Ne besojmë që nga edicioni i radhës do të zgjerohet dhe do të përfshijë edhe shfaqje të tjera të realizuara nga teatro e kompani teatrore në Kosovë. Në këtë mënyrë, ne besojmë që ky ‘Showcase’ kosovar do të jetë një mënyrë e mirë për të promovuar në botë teatrin e izoluar kosovar dhe një mundësi e mirë për selektorët e festivaleve, studiuesit, publikun e kritikët e huaj të përcjellin, vëzhgojnë e shijojnë teatrin kosovar dhe trendet e tij teatrore. Programi i këtij edicioni të parë realizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Oda dhe Teatrin Dodona në Prishtinë, si dhe teatrin “Adriana Abdullahu” në Ferizaj”, njoftohej më 2018 për qëllimet e platformës.
Sivjet del të jetë qëllimi më i gjerë. Teatrot në Shqipëri për dallim nga ato të Kosovës, megjithëse që të dyja vende kishin sistem monist, kishin censurë më të ashpër. Pasojat e asaj kohe edhe ato profesionale, sipas njerëzve të botës teatrore vërehen edhe sot. Për kritikë e gazetarë të huaj, zgjerimi i prezantimeve në “Showcase” mund të bëjë ngjarjen më atraktive.
Kjo platformë është zgjeruar nga edicioni në edicion. Sa i përket programit, ai sivjet pritet të jetë edhe më i pasur. Ndër vite pos shfaqjes së “Multimedias” dhe organizatës “Integra” ka përfshirë shfaqje nga teatri “Oda”, Teatrit të Gjilanit, të Ferizajt, teatrit “Dodona” e të “Bokshi Theatre Company”. Ka pasur edhe shfaqje mysafire, midis tyre nga Bosnjë-Hercegovina dhe nga Serbia. Më 2022 mbyllja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës i kishte limituar dhe ka qenë pengesë e madhe. Ndërtesa qe mbyllur në qershor të atij viti dhe prej atëherë ende nuk ka nisur restaurimi. Pritet të nisë këto ditë dhe sipas kontratës do të kushtojë në prag të 7 milionë eurove.