Kulturë

Ish-“Rilindja” – Muze i Artit Bashkëkohor i nismuar edhe para dy dekadash

Aneksi i objektit të dikurshëm të “Rilindjes” do të jetë shtëpia e Muzeut të Artit Bashkëkohor  (Foto: Manifesta 14)

Aneksi i objektit të dikurshëm të “Rilindjes” do të jetë shtëpia e Muzeut të Artit Bashkëkohor (Foto: Manifesta 14)

Projekt për të kishte qysh më 2007, dikur pati edhe lokacion, e prej atëherë Muzeu i Artit Bashkëkohor qe shembull dështimesh të njëpasnjëshme. Tash zgjidhja është bërë në aneksin e objektit të dikurshëm të “Rilindjes”, ministri i Kulturës e prezanton si fillim të një ëndrre, e synimet janë që ky institucion të inaugurohet më 2028, kur nisma e projektimi për një institucion si ky hyjnë në dekadën e tretë. “Muzeu i Artit Bashkëkohor, i cili ligjërisht u themelua në dhjetorin e vitit 2023, tash ka lokacionin e ndarë”, ka thënë ministri Hajrulla Çeku. Sipas Yll Rugovës nga Këshilli Iniciues, “ngadalë, por me hapa të sigurt të gjitha segmentet që e jetësojnë atë po bien në vend”. “Natyrisht, të gjitha këto janë lajme të rëndësishme për kulturën tonë, ngase ideja për Muzeun e Artit Bashkëkohor, që origjinon nga vitet shtatëdhjetë, më në fund po bëhet realitet”, ka thënë ai. Për artistin e shquar Sislej Xhafa, ish-“Rilindja” si vend për Muzeun e Artit Bashkëkohor “është një zhvillim monumental për skenën tonë kulturore”

Gati një vit pasi Këshilli Iniciues për konceptin themelues të Muzeut të Artit Bashkëkohor publikisht propozoi që hapësirat e ish-shtypshkronjës së “Rilindjes” të shfrytëzoheshin për këtë institucion, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur një marrëveshje. Janë dakorduar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Administratës Publike që aty të zërë vend Muzeu që ekziston në një nen të Ligjit për Artin dhe Kulturën. Përderisa është paralajmëruar projekt, konkurs publik për këtë nuk do të ketë. Do të realizohet nga një kompani me të cilën MKRS-ja veçse ka marrëveshje. Muzeu i Artit Bashkëkohor si nismë po shkel dy dekada. 

Përderisa në fund të tetorit të vitit të kaluar qe prezantuar koncepti për këtë muze, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tash ka bërë të ditur se ish-“Rilindja” do të jetë shtëpia e këtij institucioni. Sipas ministrit Çeku, bëhet fjalë për një ëndërr.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës së Muzeut të Artit Bashkëkohor. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro. Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, Kishës Ortodokse dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit

“Po fillon një ëndërr…” dhe synimet për inaugurim më 2028

“Po fillon një ëndërr. Muzeu i Artit Bashkëkohor, i cili ligjërisht u themelua në dhjetorin e vitit 2023, tash ka lokacionin e ndarë. Në pajtim dhe bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ky muze do të vendoset brenda aneksit të ndërtesës së ish-‘Rilindjes’. Në fazën e parë do të hartohet projekti, ndërsa pa humbur kohë do të shpallim procedurat për realizimin e punimeve”, ka njoftuar ai në rrjetet sociale.

Ka shtuar se Kosova do të ketë një muze që do të fuqizojë “lidhjet dhe pozicionin tonë shtetëror në skenën botërore të artit, institucion të rëndësisë së veçantë që do të ofrojë mundësi të reja zhvillimi dhe promovimi për artin dhe artistët tanë bashkëkohorë”. 

Ka qenë falënderues për Këshillin Iniciues që përbëhej nga Yll Rugova, Petrit Halilaj, Sislej Xhafa, Flaka Haliti, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Salihu-Hoxha, Valdete Pacolli e Fisnik Abazi. Paraprakisht MKRS-ja ka hapur konkurs  për dizajnimin e logos për Muze dhe dizajni i përzgjedhur do të shpërblehet me 7 mijë euro. Ish-“Rilindja”, monument qe propozimi i Këshillit Iniciues. 

Ministria e Kulturës nëpërmjet disa përgjigjeve për KOHËN, të martën ka konfirmuar se me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratën Publike janë marrë vesh të shfrytëzojë 7 mijë metra katrorë në hapësirën që gjendet ngjitur me ish-Pallatin e Shtypit. 

“Pas hartimit të projektit caktohet saktësisht madhësia e objektit të Muzeut të Artit Bashkëkohor. Hartimi i projektit pritet të nisë së shpejti, ndërsa do të realizohet nga kompania kornizë që MKRS-ja e ka të angazhuar për projektim në fushën e kulturës”, shuhet në përgjigjet e MKRS-së.

Ministria e Kulturës nëpërmjet disa përgjigjeve për KOHËN, të martën ka konfirmuar se me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratën Publike janë marrë vesh të shfrytëzojë 7 mijë metra katrorë në hapësirën që gjendet ngjitur me ish-Pallatin e Shtypit (Foto: Manifesta) 

“Ngadalë por sigurt”, pikë kthese dhe “një zhvillim monumental”

Disenjatori e studiuesi Yll Rugova nga Këshilli Iniciues ka thënë për KOHËN se sigurimi i aneksit të “Rilindjes” për Muzeun e Artit Bashkëkohor është lajm fantastik në rrugën drejt konkretizimit të këtij institucioni. 

“Ngadalë, por me hapa të sigurt të gjitha segmentet që e jetësojnë atë po bien në vend. Pas planit themelues nga Këshilli Inicues, në fillim të këtij viti kishim edhe Ligjin e ri të kulturës, me të cilin juridikisht është themeluar ky muze si entitet, ndërkohë që edhe statuti si akt nënligjor është gjithashtu gati. Para disa ditësh u shpall edhe konkursi për logo dhe identitet pamor, e tash edhe u sigurua ndërtesa”, ka thënë Rugova në një përgjigje me shkrim. Sipas tij, siç informoi ministri në komunikimin e tij publik, tash në proces është edhe një projekt fillestar për funksionalizimin e hapësirës. “Pra, shpejt hapësira mund të jetë e hapur për publikun. Natyrisht, të gjitha këto janë lajme të rëndësishme për kulturën tonë, ngase ideja për Muzeun e Artit Bashkëkohor, që origjinon nga vitet  shtatëdhjetë, më në fund po bëhet realitet”, ka thënë ai. 

Për artistin e shquar Sislej Xhafa, ish-“Rilindja” si vend për Muzeun e Artit Bashkëkohor “është një zhvillim monumental për skenën tonë kulturore, një arritje që jo vetëm shënon një pikë kthese, por edhe njeh rëndësinë historike të këtij vendi si vatër e rezistencës sonë kombëtare”.  “Tashmë kjo hapësirë e shenjtë do të bartë një dimension të ri – atë të rezistencës ekzistenciale estetike dhe vizuale, duke u shndërruar në një tempull të artit bashkëkohor. Inicimi i projektimit të kësaj hapësire nuk është thjesht një hap përpara, por një lëvizje strategjike drejt krijimit të një institucioni të fuqishëm, i cili do të pasurojë trashëgiminë tonë kulturore dhe do të fuqizojë artistët e pranishëm dhe të ardhshëm”, ka thënë Xhafa për KOHËN. Sipas tij, kjo nismë, e cila përqafon një vizion të gjerë për të ardhmen, “është një dëshmi e qartë se arti dhe kultura janë në qendër të identitetit tonë dhe një mundësi unike për të lënë një gjurmë të përhershme në historinë tonë”. 

Pos lokacionit ish-“Rilindja”, Këshilli Iniciues ka punuar edhe në Statut e organogram. Dokumenti i prezantuar në fund të tetorit të vjetshëm sqaron në detaje institucionin e synuar. Pret periudhat kohore se çka do të posedojë Galeria Kombëtare e Kosovës e çka ai që pritet të jetë Muzeu i Artit Bashkëkohor.

Aty “Rilindja” përshkruhet si shtylla qendrore e veprimtarisë kulturore në vend për disa dekada. Muzeu i Artit Bashkëkohor është i rëndësisë së veçantë për Kosovën, sipas tij, dhe krahas GKK-së do të krijonte kuadro të reja institucionale me fokus në hulumtim, interpretim të trashëgimisë dhe në blerje dhe ruajtje të veprave të artistëve bashkëkohorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas Statutit të punuar, aty parashihen kompetencat e drejtorit, drejtorit administrativ, organizimi i departamenteve kryesore, çështja e koleksionit e të tjera. Sipas hartuesve dhe atij dokumenti, MAB-i do të nisë një koleksion të ri të artit bashkëkohor. Do të ketë buxhet të veçantë vjetor dhe komision që përcakton blerjen e veprave. Koleksioni do të ketë për bazë dy shtylla: koleksionimin si formësim të rrëfimeve dhe koleksionim si avancim të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Sipas konceptit të paraqitur, Muzeu do të jetë një platformë kulturore transformuese për artistët, publikun dhe komunitetet e ndryshme, duke ofruar hapësirë për eksperimentim, shprehje artistike, reflektim dhe dialog. Kurse thelbi i programit të Muzeut është besimi i palëkundur në fuqinë transformuese të artit. Nëpërmjet një bashkëbisedimi me të pranishmit, anëtarët e Këshillit Iniciues kishin sqaruar se ideja është që të ruhet trashëgimia e ish-shtypshkronjës “Rilindja”, Muzeu të jetë sa më gjithëpërfshirës për krejt komunitetet në vend dhe se aty do të prezantohen vepra të vitit 1990 e të mëpastajme. Veprat e viteve paraprake do t’i ngelin Galerisë Kombëtare të Arteve. Sipas konceptit, në qershor a korrik të vitit 2024 do të hapej konkursi ndërkombëtar për arkitekturën e Muzeut, në shkurt 2025, thirrja për adaptim a ndërtim, e në gusht të atij viti të nisin punimet. Kurse në janar të vitit 2028 institucioni të jetë me koleksion, këshill dhe drejtor. Ministria e Kulturës të martën ka konfirmuar se synimi për inaugurim më 2028 mbetet i njëjti. 

MKRS-ja ka 17 vjet që projekton buxhet për Muzeun e Artit Bashkëkohor. Për sivjet ka bartur 500 mijë euro nga viti i kaluar. 

Ndër vite janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar Muzeun e Artit Bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro. Por prejse është projektuar, punët rreth këtij projekti nuk kanë shkuar mirë. Sa i përket lokacionit, Ministria e Komuna e Prishtinës prej vitit 2011 deri më 2020 kanë akuzuar njëra-tjetrën.

Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, Kishës Ortodokse dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit, që është ngritur në gjashtë kate.

Më 2011, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte thënë se e kishte marrë seriozisht idenë që ndërtesa e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” të shndërrohej në muze të artit bashkëkohor. Shqyrtimi i mundësisë që ish-objekti i “Gërmisë” të bëhej muze i arteve bashkëkohore qe hedhur qysh në vitin 2006. Ka qenë filozofi e kritiku i artit Shkëlzen Maliqi, i cili e kishte dhënë këtë ide në kohën kur komuniteti artistik po protestonte në mbrojtje të ish-hotelit “Union”, të cilin shteti e kishte privatizuar, ani pse një herë i ishte premtuar Galerisë së Arteve të Kosovës. Por ish-“Gërmia” në planet e Komunës do të jetë galeri e një ndërtese të re ngjitur sallës koncertale.