Prej 5.2 milionë eurove për 226 organizata kulturore, Ministria e Kulturës ka vendosur që fuqizimin e skenës së pavarur t’ua besojë 13 organizatave përfituese, të cilave ua siguron buxhetin për tre vjet. Të listuara në “kategorinë e parë” te këto OJQ do të shpërndahen mbi 2.8 milionë euro, që është për gjysmë milioni më shumë sesa për 213 organizata në dy kategoritë e tjera
Çfarëdo që të ngjajë me Ministrinë e Kulturës, politikat e udhëheqjen e saj, trembëdhjetë organizata joqeveritare të asaj që quhet skenë e pavarur kulturore e kanë të garantuar buxhetin deri më 2026. Arrin deri në 300 mijë euro për tre vjet për secilën organizatë. Te trembëdhjetëshja e “kategorisë së parë” do të shpërndahet buxheti prej 2 milionë e 828 mijë eurosh.
MKRS-ja të martën ka publikuar “Raportin e Komisionit Vlerësues të projektpropozimeve nga thirrja publike: ‘Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore’”. Janë 226 projekte në total që kanë marrë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Pos “kategorisë së parë”, në të dytën – me maksimum mbështetje vjetore deri në 40 mijë euro – janë 23 projekte. Në të tretën, deri në 20 mijë euro, janë plot 190 projekte.
Është hera e parë që MKRS-ja aplikon këtë sistem – që ndan buxhet për tre vjet për organizata që i ka cilësuar të kategorisë së parë – një qasje kaherë e kërkuar prej disa akterëve të skenës së pavarur, e arsyetuar nga Ministria si synim për fuqizimin e skenës së pavarur dhe jo vetëm.
Në atë që është listuar si “kategori e dytë” – e që merr përkrahje vetëm për sivjet – te 23 organizata do të shpërndahet buxheti prej 673 mijë eurosh. Te “kategoria e tretë” është tjetër rrëfim. Plot 190 projekte nuk e arrijnë shifrën e 13 organizatave për hiç më pas se 1 milion euro.
Buxheti total i “Thirrjes publike: ‘Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore’” është 5 milionë e 205 mijë e 325 euro. Në Ligjin e Buxhetit të këtij viti, te kategoria “Përkrahja e kulturës” janë 5.6 milionë euro.
Për afat ankese janë pesë ditë, e pesë anëtarë kanë qenë në përbërje të Komisionit Vlerësues që ka nxjerrë 226 fituesit prej thirrjes së mbyllur në fundprill.
Më shumë se gjysma e buxhetit për “kategorinë e parë”
Trembëdhjetëshes së “kategorisë së parë” i prin festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” me 282 mijë euro për tre vjet, pasuar prej qendrës “Multimedia” me 268 mijë euro, aq sa ka edhe teatri “Oda” për programin vjetor. Në listë janë edhe organizata “Ec Ma Ndryshe” me 257 mijë euro, “Autostrada Biennale” për program vjetor merr nga MKRS-ja 255 mijë euro, të dyja organizata që operojnë në Prizren, njësoj si “Lumbardhi” me projektin “Lumbardhi në tranzicion” mbështetur me 187 mijë euro. “PriFilmFesti” ka marrë buxhet prej 215 mijë eurosh, “Roma Veritas Kosovo” ka 150 mijë euro për tre vjet, aq sa edhe “Asociacioni Kosovar Chopin” për “program vjetor përfshirë edhe ‘Chopin Piano Festin’”. Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” i Pejës e ka të sigurt buxhetin prej 257 mijë eurosh deri më 2026, e në kategorinë e parë bëjnë pjesë edhe “HardhFesti” me 182 mijë euro e “Fondacioni 17” me 172 mijë. Planifikimet bazuar në 185 mijë eurot e MKRS-së mund t’i bëjë edhe kori “Siparantum” i Pejës.
Për shumicën prej këtyre organizatave, kaq kishte qenë buxheti edhe më 2023, “zbërthyer” në shifra vjetore.
Lista e “kategorisë së dytë” ka 23 organizata përfituese me po aq projektpropozime. Buxheti vjetor prej 40 mijë eurosh është maksimumi në këtë kategori. Janë katër OJQ, gjegjësisht projekte që kanë marrë maksimumin: Festivali “EtnoFest”, “Integra” me projektin për “Dokumentimin e trashëgimisë artistike – edicioni i pestë, Shani Pallaska”, Festivali i Teatrove i Ferizajt për edicionin e 54-të dhe për “aktivitete vjetore në teatro dhe hapësira të ndryshme publike, si dhe angazhimi i të rinjve në jetën kulturore artistike, si dhe “7 Arte” që ka këtë buxhet për “programin vjetor 2024 – 2026”. Në po këtë kategori është edhe Shoqata e Botueseve e Kosovës që ka marrë 35 mijë euro për “Panairet e librit”, po aq ka marrë edhe festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “PrizreniFest” për edicionin e tretë, nga 30 mijë kanë marrë “Mural Festi”, “Revolucioni Queer”, “Hasi Jehon”, “Mitrovica International Jazz Days”, aq sa ka edhe për “Prishtina Jazz Festival.
“Kategoria e tretë” me 1.7 milionë euro për 190 organizata
Në atë që është cilësuar si “kategori e tretë” janë 190 organizata me po aq programe e projekte vjetore. Në total, janë 1 milion e 704 mijë e 325 euro që do të shpërndahen në këtë kategori. Shuma maksimale në kategori është 20 mijë euro. Atë e marrin jo më shumë se 6 organizata prej 190 sa janë në listën e përfituesve. Nga 20 mijë për sivjet do të marrin: “Deffy Them” për “Festivalin e Muzikës Alternative ‘Gatherings’”, “Prishtina Music Conference”, “Stacion – qendra për art bashkëkohor”, “Kosova Ars” për “Mitrovica Guitar Days”, “Instituti për Trashëgimi Kulturore Islame” për projektin “Mozaiku i Kosovës – Zbulimi i Artit dhe Arkitekturës Islame” dhe “Fondacioni Muzikor Ars Kosova” për “podiumin artistik ‘ArsKosova’”. Festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica” figuron me 17 mijë euro për edicionin e 23-të, aq sa ka edhe “NGOM Festi” për edicionin e 13-të e festivali i grafiteve “Meeting of Styles” për edicionin e 8-të. Në këtë kategori ka edhe projekte që nga Tetova e Presheva, organizime ditore e të tjera.
Reagime për “gabime teknike”
Në anën tjetër MKRS-ja në këtë fazë nuk ka bërë publike arsyet e mospërkrahjes së disa organizatave. Midis tyre mungon “Artpolis” që organizon “FemArtin” dhe ka ansambël rezident aktorësh.
Themeluesja e drejtuese e “Artpolis”, Zana Hoxha, ka thënë se kjo organizatë është ndër më të mëdhatë, më stabilet dhe më aktivet në skenën kulturore kosovare tash e 20 vjet. Ka thënë se mospërfshirja në listën preliminare beson të jetë gabim teknik pasi kanë respektuar afatet e aplikimit duke i dorëzuar të gjitha dokumentacionet e kërkuara, “meqenëse i plotësojnë 100 për qind të kritereve të kërkuara”.
“Unë besoj që ky gabim të shqyrtohet me ankesën tonë që do ta dorëzojmë me 26 qershor dhe të mos jetë i qëllimshëm për të na lënë jashtë përkrahjes së merituar. Skena e pavarur kulturore e Kosovës nuk është e plotë pa ‘Artpolis’ dhe angazhimin tonë teatror dhe për komunitetin”, ka thënë ajo. Kanë aplikuar për përkrahje trevjeçare.
Sa u përket politikave të reja të subvencionimit të organizatave kulturore, regjisorja Hoxha ka thënë se kjo ka qenë koha e fundit që të ndiqen praktikat e tilla të bazuara në vendet e zhvilluara të cilat ndikojnë në qëndrueshmërinë e organizatave të mëdha kulturore të cilat çdo vit sfidohen me vonesat nga thirrjet publike.
“Si në rastin tonë për të dytin vit radhazi me pengesa administrative. Kategorizimi i tillë megjithatë nuk duhet të krijojë rehati dhe kufizim për organizatat e tjera të cilat mund të jenë në atë nivel viteve të tjera dhe se duhet të inkurajohen që të përkrahen për disa vjet me radhë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se beson që nëse respektohet kriteri i MKRS-së që të hyrat e organizatës të mos jenë komplet nga MKRS-ja, skena e pavarur nuk cenohet, por, përkundrazi, mund të inspirojë edhe organizatat më të vogla që të synojnë një përkrahje të tillë.
“Megjithatë, do të doja që rajonet prej nga vijnë këto organizata dhe profilet artistike të jenë më të përfshira dhe jo të jenë të koncentruara kryesisht në Prishtinë dhe Prizren”, ka thënë ajo. Prizreni sivjet prin sa i përket mbështetjes trevjeçare.
Infrastruktura si sfidë paralele
Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, sa i përket qasjes së re të MKRS-së ka thënë se është hap i mirë, i domosdoshëm, ndonëse i vonuar. Sipas tij, paqëndrueshmëria financiare ka qenë problem kronik i skenës kulturore të pavarur, por jo i vetmi problem.
“Problem po aq i rëndësishëm është mungesa e infrastrukturës. Shumica e këtyre organizatave të skenës së pavarur kulturore – veçanërisht ato që janë në Prishtinë – punojnë në hapësira të improvizuara dhe mezi e ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ndërkohë që infrastruktura e atyre pak hapësirave kulturore që janë në kryeqytet është e tmerrshme”, ka thënë ai. Sipas tij, sa i përket skenës teatrore, mendon se MKRS-ja duhet doemos ta zgjidhë çështjen e financimit të teatrove publike në qytetet e tjera jashtë Prishtinës. Ka thënë se është vërtetë e pakuptimtë që të mos financohen Teatri i Gjilanit, i Ferizajt e ai i Gjakovës, kur dihet që krejt jeta kulturore në këto tri qytete është e reduktuar në punën dhe repertorin e këtyre teatrove.
“Njëlloj ekosistemi kulturor i këtillë, që mbështet edhe skenën e pavarur kulturore edhe atë publike, do të kishte kuptim dhe do të jepte shpresë”, ka thënë ai.
Sa i përket mbështetjes trevjeçare ka thënë se lista duhet të rritet. Në këtë rast ka përmendur Festivalin e Teatrove në Ferizaj dhe “EtnoFestin”.
“Pra, tani vërtet duhet solidaritet artistik dhe përpjekje e të gjithë neve, që kjo skemë financiare trevjeçare të pasurohet me organizata të reja të cilat kanë dëshmuar përkushtimin artistik dhe profesionalizmin në menaxhim”, ka thënë ai. Në aspektin e menaxhimit të subvencioneve, sipas Nezirajt, ajo çfarë MKRS-ja duhet të bëjë është që këtyre organizatave t'ua heqë nga qafa burokracinë dhe stresin që atyre ua krijojnë zyrtarët jokompetentë gjatë raportimit.
“Kam dëgjuar plot raste, kur raportimi kthehet në makth, në njëlloj shantazhi madje. Ta zëmë, x organizatës i është kërkuar – si dëshmi – t’i shtypë në letër dhe t’i dorëzojë postet në Facebook për ngjarjet e ndryshme që ka postuar”, ka thënë Neziraj.
Kur Ministria e Kulturës kishte njoftuar dhe hapur Thirrjen publike për “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore”, ndarjen në kategori e kishte zbërthyer në disa pika. Në fakt Thirrja kishte pasur edhe kategorinë e katërt – Projektet e krijuesve performuesve të rinj – por te Lista preliminare e së martës nuk figurojnë përfituesit.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024 rendit ndër prioritetet programore: fuqizimin e rolit të skenës së pavarur kulturore në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimin dhe mbështetjen e talentëve të rinj, aktivizimin e të rinjve në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, rrjetëzimin dhe promovimin e produktit vendor kulturor si produkt konkurrues në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative”, shkruhej në krye të Thirrjes të hapur në mars.
Me “mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, MKRS-ja kishte paralajmëruar se ka për synim “fuqizimin e skenës së pavarur kulturore duke ndërtuar një mjedis të përshtatshëm ligjor që lehtëson zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, duke ofruar instrumente financiare të përshtatshme dhe lehtë të qasshme që sigurojnë transparencë dhe korrektësi, duke lehtësuar qasjen në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative, dhe duke nxitur një koordinim dhe bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet akterëve në këto fusha”. Paralajmëronte, po ashtu, se në këtë kategori parashihet mbështetja trevjeçare e OJQ-ve të profilizuara në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, të cilat “janë të organizuara mirë, kanë vizion të qartë, kanë kontribuar në zhvillimin e sektorit të kulturës në Republikën e Kosovës dhe kanë dëshmuar kapacitete profesionale dhe teknike për zbatimin e strategjisë së tyre”. Duhej të plotësonin 7 kritere të përgjithshme dhe 15 kritere të veçanta. Te kategoria e dytë me programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, MKRS-ja siç kishte shkruar, ka për synim “gjallërimin dhe begatimin e jetës kulturore, si dhe nxitjen e promovimit të diversitetit kulturor përmes mbështetjes së programeve që zhvillohen gjatë tërë vitit dhe organizimeve tradicionale në Republikën e Kosovës”.
Historia me skandalin e vjetëm
Vjet Ministria e Kulturës pavarësisht shumave të mëdha që ka ndarë për skenën e pavarur kulturore, është përballur edhe me avari jo të zakonta në këtë proces. “Dramë” më vete kishte qenë publikimi i rezultateve në qershor.
Fillimisht ishte publikuar Lista preliminare dhe ishte hapur afati i ankesave. Aty figuronin 36 projekte, përkrahur me 808 mijë e 510 euro, tek goditi ngjarje e organizata bartëse të skenës kulturore në vend, si “DokuFesti”, “Artpolisi” e “Chopin Piano Fest” apo qendra “Multimedia”. La pesë ditë afat ankesash, deri më 26 qershor, e nuk iu deshën më shumë se tri ditë që t’i shqyrtonte ato dhe prej 36 projekteve të bëhen 106. Dallimi në buxhet: 1.7 milionë euro, kur prej 808 mijë eurosh u bë 2.5 milionë. Po atë ditë që u publikua kjo listë edhe u fshi nga ueb-sajti. Pas gati 24 orëve u publikua Lista e re bashkë me ndryshime. Qe fryrë për fiks 283 mijë e 805 euro. Ishin shtuar edhe 11 projekte. Në listën e “avulluar” nja një orë pas lansimit ishin 106 projekte. E në të renë 116, plus një pa numër rendor.
Në Listën e re në mesin e 117 përfituesve ishin edhe qendra për art bashkëkohor “Stacion” me 20 mijë euro, Organizata Kulturore e të Rinjve me 11 mijë euro, Sh.K. “Gjurmët” me 10 mijë e 760 euro, shtëpia teatrore filmike “AKT” me 25 mijë euro, shoqëria kulturore artistike “Malsori” me 27 mijë e 100 euro, për “Hasi Jehon 2023”, galeria “Qahili” me 30 mijë euro, orkestra frymore “Prizreni” me 20 mijë euro, Fondacioni Kosovar i Arkitekturës me 20 mijë euro, shoqata “Qendra e Artit Muzikor DAM” me 20 mijë euro e po aq ka marrë përkrahje edhe qendra kulturore “Pre Art”. Pa numër rendor, në Listën e re figuronte edhe festivali ndërkombëtar i teatrit “Prizren Fest” me 30 mijë euro.
Ministria e Kulturës kishte “rihapur” kuletën edhe për disa organizata duke ua përmirësuar shifrat.
Kurse për thirrjen e hapur në shtator Ministria e Kulturës kishte planifikuar 500 mijë euro. Por këtë shifër e kishte katërfishuar. Në listat e publikuara dilte se organizatat joqeveritare janë përkrahur me 1 milion e 342 mijë e 296 euro, kurse projektet individuale me 605 mijë e 650. Krejt bashkë kapin shifrën 1 milion e 947 mijë e 946 euro. Bëhej fjalë për 186 individuale dhe 137 të organizatave joqeveritare.