Ikona e “Ungjillëzimit”, një thesar artistik, realizuar nga Onufër Qiprioti, i ka shpëtuar degradimit falë Laboratorit të konservimit dhe restaurimit në muzeun ikonografik “Onufri”, ka njoftuar ky institucion. Pas një pune disamujore, kryer nga restauratori Erion Lezi, ka përfunduar ndërhyrja restauruese për ikonën “Ungjillëzimi”, vepër e shekujve XVI – XVII, atribuuar Onufër Qipriotit.
Në këtë ikonë që ka funksionuar si Dera e Bukur e ikonostasit të Kishës së Kostandinit dhe Helenës në Kalanë e Beratit paraqitet skena e ungjillëzimit. Në pjesën e poshtme kryeengjëlli Gabriel paraqitet duke lajmëruar virgjëreshën Marie për lindjen e shpëtimtarit, ndërsa sipër qëndrojnë profeti Isaia dhe mbreti David.
“Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash, paraqiste problematika të ndryshme si dëmtim të kornizimit e shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike kryesisht në gjysmën e poshtme, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm dhe oksidim verniku”, shkruhet në njoftim. Sipas ekspertëve, të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e ikonës, si dhe rrezikonin degradimin e saj.
“Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet e ekspozuar publikut të gjerë të muzeut ‘Onufri’, që mund të admirojnë më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të Onufër Qipriotit”, shkruhet në njoftim.