Kulturë

Refugjati sirian, sensacion në skenën e folklorit irlandez

Në koncertin e grupit irlandez “Lankum” në Operën e Cork verën e kaluar, akti i tyre përcjellës e bëri turmën për vete duke i mbajtur ata në pëllëmbën e dorës që luante në një buzuki. Ishte këngëtari dhe muzikanti kurd sirian Mohammad Syfkhan, albumi debutues i të cilit “I Am Kurdish” është bërë pjesë e një skene muzikore bashkëpunuese në një nga qarqet më të vogla të Irlandës.

Një 57-vjeçar, baba i pesë fëmijëve, muzika e të cilit është një përzierje emocionuese e këngëve, kurde, arabe dhe turke, Syfkhan mbërriti në Irlandë si pjesë e një skeme strehimi refugjatësh në dhjetor të 2016-s me gruan e tij mësuese, Huda, dhe vajzën e vogël, Noor. “Unë e dua muzikën që më kujton të kaluarën”, shkruan ai përmes e-mailit (intervistat e folura në anglisht janë të ndërlikuara për të, por anglishtja e tij e shkruar është ekspresive dhe e ngrohtë). “Zakonisht e dua muzikën që sjell gëzim, sepse më bën ta harroj pak dhimbjen e së kaluarës”.

Në Siri, muzika përshtatej rreth rutinës së punës. Ai filloi të mësonte instrumentin e buzukit (një lloj lahute anadollake me qafë të gjatë), ndërsa studionte për t'u bërë infermier kirurgjikal në Aleppo, duke u zhvendosur në Raqqa në mesin e të 20-ave pasi u kualifikua. Më pas ai themeloi grupin popullor “Al-Rabie Band”, duke luajtur nëpër festivale, koncerte dhe festa gjatë dekadave që pasuan. Më pas, në vitin 2011, filloi lufta civile në Siri. Dy vjet më vonë, Raqqa u pushtua nga Koalicioni Kombëtar Sirian, dhe më pas nga Shteti Islamik, i cili vrau një nga djemtë e Syfkhan, Fadi, një vit më vonë.

Syfkhan-it iu tha lajmi nga një prej terroristëve xhihadistë, duke telefonuar në celularin e djalit të tij. “Kur përpiqem të relaksohem, shikoj fotot e fëmijëve të mi kur ishin të vegjël dhe përpiqem të vizatoj një të ardhme të bukur për ta,” shkruan ai. Në pamundësi për të ikur nga Siria së bashku si një familje e madhe, tre djemtë e tjerë të tij më të mëdhenj gjetën strehim në Gjermani ndërsa Mohammad, Huda dhe Noor shkuan në Greqi deri në shkurt 2016. Kjo treshe mbërriti në Irlandë 10 muaj më vonë, i vendosur në Mosney Village, një ish-kamp i pushimeve të Butlinit, i cili u ripërcaktua si një qendër azili.

Syfkhan e bëri performancën e tij të parë atje disa javë më vonë. “Ishte gjatë Krishtlindjeve dhe rreth 100 deri në 150 njerëz morën pjesë. Ishte bukur të shikoje këtë audiencë. Ishte një festë e veçantë dhe e paharrueshme.” Këndimi ishte mënyra e tij e komunikimit, thotë ai. “Unë nuk flisja mirë anglisht, kështu që muzika ishte gjuha që fola me të gjithë, sepse muzika është gjuha e botës. Flet për dashurinë e të gjitha llojeve, dashurinë e njerëzve për njëri-tjetrin dhe dashurinë për atdheun.”

Shtatë muaj më vonë, ai u vendos në një qendër strehimi në Carrick-on-Shannon në Qarkun “Leitrim” dhe filloi të njoftohej me njerëz të tjerë që kishin afinitet me muzikën. Ai u takua me Willie Stewart të Nyahh Records në vitin 2018, i cili ishte DJ në një ngjarje lokale që festonte kulturën e komuniteteve të reja ndërkombëtare në Qarkun Leitrim. Syfkhan e pyeti Stewart nëse mund të lidhte buzukun e tij në miksetë që të mund të luante, gjë që e mbushi dhomën me të rritur dhe fëmijë që vallëzonin valle tradicionale siriane dhe kurde. “Isha edhe i habitur edhe i emocionuar”, kujton Stewart. “Menjëherë fillova të rezervoja koncerte për të.”

Stewart drejton gjithashtu programe eksperimentale gjithëditore të quajtura Hunters Moon me artisten Natalia Beylis, ku Syfkhan shikonte violonçelistin që improvizonte, Eimear Reidy dhe saksofonistin dhe artistin Cathal Roche. Më vonë ai u kërkoi atyre të luanin në albumin e tij; Reidy mësoi për përdorimin e tij të glisandove precize – rrëshqitjeve mes notave – dhe sistemit të akordimit të tonit arab 24-tonësh, duke e quajtur bashkëpunimin e tyre “intensiv, të pasur dhe të hareshëm”. Artisti i Concertina Cormac Begley, kantautori Ciaran Rock dhe Alan Woods i Arkivit të Muzikës Tradicionale gjithashtu përmenden ngrohtësisht në emailin e Syfkhan ("Kam takuar muzikantë të mrekullueshëm").

Albumi “I Am Kurdish” përfshin ripërpunime të lezetshme të hitit turk të viteve 1970, “Leylim Ley”, “Një mijë e një net” të Baligh Hamdim dhe kompozitorit të mrekullueshëm kurd Mihemed Elî Şakir, “Put a Coffee in a Glass”. Kënga e cila mban titullin e albumit është një komponim origjinal me zërin e thellë dhe të ngjirur të Syfkhan si një pikë kryesore. Kjo ka bërë që Stewart të reflektojë se si kurdët, të cilët tani numërojnë deri në 45 milionë njerëz në mbarë botën, “janë brutalizuar dhe shpërndarë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe nuk kanë pasur kurrë një vend që ta quajnë të tyrin. Fakt ky nga i cili Mohammad zgjodhi këtë titull për albumin, i cili ka shumë fuqi sipas tij”.

Një mik tjetër që Syfkhan e quan “një vëlla që e dua”, poeti dhe dramaturgu i mirënjohur irlandez Vincent Woods, pohon: “Mendoj se atij i mungon me të vërtetë thellësia e kësaj lidhjeje”. Syfkhan, Huda dhe Noor luajnë në një film të vitit 2021 të Woods të realizuar me koreografen Edwina Guckian, Hunger's Way/Bealach an Fhéir Ghortaigh, i komisionuar për festivalin ndërkombëtar të poezisë Strokestown. Fillon me Syfkhanët që ecin drejt Muzeut Kombëtar të Urisë, ku Noor, 11 vjeç në kohën e xhirimeve, bën vallëzim irlandez te dera. Filmi përfundon me hyrjen e tyre.

Woods shpreson se ky film do të nënvizojë se si zhvendosja me dhunë e njerëzve vazhdon të jetë pjesë e historisë së Irlandës, pasi "kaq shumë njerëz të zhvendosur tani po vijnë në Irlandë në kërkim të një shtëpie të re". Ai dhe Syfkhan kanë diskutuar gjithashtu gjuhën e përbashkët midis kulturave kurde dhe irlandeze. "Ata të dy kanë praktikën e rrëfimit në zemrat e tyre dhe janë një pjesë kyçe e një identiteti kulturor që duhej të luftonte për të ruajtur veten."

“I dua këta njerëz të bukur,” shkruan Syfkhan kur pyetet konkretisht për Irlandën. “Unë e dua muzikën që flet për trashëgiminë e saj kulturore, dhe muzikën që shoqërohet me kërcime, shkathtësi dhe luajtje këmbësh. Falënderoj Irlandën, vendin e mrekullueshëm dhe qeverinë, për gjithçka që kanë bërë për të mbështetur njerëzit”. Për jetët e shumta që ai ka prekur tashmë, kjo mirënjohje rrjedh në të dyja anët.

(Marrë nga “The Guardin”, përktheu: Enis Bytyqi)