Filmi “Afterwar” zhytet në pasojat e luftës së Kosovës përmes syve të disa fëmijëve tashmë të rritur, dhe njëherësh ofron një narrativë kinematografike të guximshme që lidh realitetin dhe trillimin, për të sjellë një testament të fuqishëm të qëndrueshmërisë njerëzore
Berlin, 20 shkurt (“Film Fest Report”) – “Afterwar” e shënoi premierën botërore në edicionin e 74-t të festivalit ndërkombëtar të filmit në Berlin, “Berlinale”, në kuadër të programit “Panorama”. Filmi që u shfaq të hënën vjen me regji të danezes Birgitte Stærmose dhe gërmon thellë në pasojat e luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), veçanërisht nëpërmjet syve të fëmijëve që tashmë janë të rritur. Me një qasje të guximshme kinematografike dhe bashkëpunim të ngushtë me personazhet, Stærmose e sjell një rrëfim të thellë dhe poetik për luftën e përditshme për mbijetesë dhe kërkimin e dinjitetit në një vend të copëtuar nga lufta.
Qysh në pamjet e para arkivore, shikuesi ballafaqohet me rrënimet në Kosovën e pasluftës. Rrënojat, peizazhet e shkatërruara dhe fëmijët e uritur që për të mbijetuar shesin kikirikë dhe cigare për të mbijetuar, dëshmojnë për ndikimin shkatërrues të luftës në popullatë. Gjatë kohëzgjatjes 15-vjeçare të xhirimit të dokumentarit, këta fëmijë janë rritur, por e kaluara e tyre traumatike vazhdon t’i ndjekë në të tashmen, duke krijuar një vazhdimësi bezdisëse midis të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes të paraqitur si tre kapitujt e filmit.
Veçantia dhe forca e filmit qëndrojnë në qasjen e tij befasuese dhe të guximshme, duke thyer rregullisht murin e katërt, duke i lejuar personazhet t’i drejtohen drejtpërdrejt audiencës dhe të ndajnë historitë dhe traumat e tyre me sinqeritet zemërthyes. Në skenat nga përditshmëria e tyre personazhet krijojnë kontakt vizual me shikuesit dhe u besojnë atyre me pëshpëritje. Kamera i izolon në mënyrë që ata të mund ta shprehin atë që rëndon në zemrat e tyre çdo ditë. Traumat e tyre nuk janë thjesht një gjë e së shkuarës; janë ende të gjalla dhe i shoqërojnë në çdo moment të jetës. Si të rritur, ata janë të përhumbur nga këto kujtime të padurueshme të luftës.

Në mënyrë paradoksale, pëshpëritjet e tyre e kanë efektin e britmave më të fuqishme dhe përcjellin intensitetin e dhimbjes dhe ndonjëherë edhe dëshpërimit. Ata pëshpëritin, sepse ajo për të cilën po flasin është shumë e madhe dhe shumë e fortë. Kjo pëshpëritje përfaqëson gjithashtu në mënyrë metaforike faktin që ata nuk guxojnë ta zgjojnë këtë të kaluar jashtëzakonisht të dhimbshme, por aq sa munden mundohen ta shmangin kthimin e saj në jetën e tyre sot, sikur të ekzistonte një kod heshtjeje në shoqëri ose të paktën një ndjenjë e përbashkët që njeriu duhet të ecë përpara dhe ta lërë pas të kaluarën.
Përfundimisht, “Afterwar” është sikur një performancë artistike. Personazhet sjellin bagazhin emocional, traumën dhe historinë e tyre, ndërsa regjisorja e përgatit një skenë që ata të shprehen lirshëm. Ky film në të vërtetë është rezultat i një takimi mes këtyre personazheve dhe një regjisoreje. Është një lloj dokumentari artistik që mjegullon zhanret, në të cilat udhëzimi është i pranishëm, por shërben për të lejuar shfaqjen e realitetit, mirëbesimit të dëshmisë.

Me këtë film, regjisorja duket sikur u jep personazheve një letër të bardhë dhe lapsa, si dhe u kërkon ta vizatojnë përvojën e tyre. Ajo i lejon ato të shprehen dhe të flasin lirshëm. Shikuesi e ndien se është një projekt bashkëpunues. Filmi shërben si mjet i cili i ndihmon personazhet ta kenë një zë që dëgjohet. Njëkohësisht ia ofron audiencës një përvojë tërheqëse dhe jashtëzakonisht prekëse.
Procesi i bashkëndërtimit të filmit është gjithnjë e më interesant dhe i rëndësishëm, sepse ndihmon në thyerjen e marrëdhënies potencialisht hierarkike midis regjisores dhe personazheve. “Afterwar” nuk synon t’i shikojë me përçmim dhe t’i degradojë më tej kryepersonazhet. Përkundrazi, ky proces u lejon atyre të rifitojnë një pjesë të dinjitetit, duke i përfshirë në projekt si bashkëkrijues dhe jo thjesht si subjekte të mjerueshme që xhirohen.
Montazhi i kryer nga dyshja, Stefan Sundlöf dhe Anne Østerud, po ashtu është ekzekutuar në mënyrë të detajuar. Paralelet ndërmjet skenave të personazheve në moshë të fëmijërisë dhe pastaj si të rritur, nënvizojnë qëndrueshmërinë e traumave të luftës edhe shumë vjet më vonë. Fëmijët e humbur, të traumatizuar dhe të uritur që kanë qenë dikur, vazhdojnë të jetojnë në brendësinë e tyre edhe në ditët e sotme.
Zërimi, me gjithë jehonat e turbullta, kontribuon në krijimin e një atmosfere melankolie dhe hidhërimi, duke nënvizuar peshën e vazhdueshme të së shkuarës mbi të tashmen. Pa e tepruar, pa qenë e ngarkuar, muzika e kompozuar nga Erik K. Skodvin e luan në mënyrë të përkryer rolin e saj në nënvizimin e vazhdimësisë në trajektoren e këtyre personazheve që nga fëmijëria e deri më sot. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, personazhet ende zhvillohen në të njëjtën atmosferë, në të njëjtën harresë, ndërsa kalojnë nëpër të njëjtat vende dhe ndonjëherë marrin të njëjtat poza para kamerës. Kështu, filmi nxjerr në pah fatalitetin që i rëndon, ëndrrën e keqe në të cilën janë zhytur, e cila vazhdon përgjithmonë dhe duket se nuk përfundon kurrë.
“Afterwar” vlerësohet si një vepër magjepsëse dhe destabilizuese, pasi hedh poshtë barrierat emocionale të shikuesit duke thyer murin e katërt. Me respektin dhe vlerësimin e saj për personazhet, me të cilat ajo arrin një bashkëpunim kuptimplotë dhe të kontrolluar, Stærmose trajton një histori prekëse dhe të thellë, e cila i kapërcen kufijtë midis realitetit dhe trillimit, për të dhënë një mesazh të fuqishëm për vazhdimësinë e traumave të luftës dhe qëndrueshmërisë njerëzore përballë fatkeqësive të tilla.
Marrë nga “Film Fest Report”. Përktheu: Edona Binaku
Lexo edhe: