Kulturë

Qeveria shqiptare zotohet për transparencë në menaxhimin e Butrintit

Ndryshimi i mënyrës së administrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit ka ndezur debat në Shqipëri qysh prej vitit 2020. Kohëve të fundit, debati ka nisur të rikthehet. Për këtë arsye, ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, reagoi duke thënë se do të ketë në vëmendje maksimale miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.

“Në cilësinë e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroi opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”, ka shkruar Gonxhja në reagim.

Sipas tij, ai vlerëson gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, “të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja”.

Në maj të vitit 2022, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë i Kuvendit të Shqipërisë, kishte miratuar nen për nen marrëveshjen për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

Ministrja e asokohshme e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në Komision kishte bërë të ditur se lidhja e marrëveshjes së administrimit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, ka si qëllim administrimin efektiv, sipas një modeli administrimi, i cili synon konservimin, mbrojtjen dhe rritjen e vlerave te trashëgimisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor te parkut kombëtar te Butrintit.

“Butrinti do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit përmes kësaj forme të re menaxhimi. Ai do të administrohet përmes një fondacioni të posaçëm që është themeluar nga shteti shqiptar dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që është një ndër partnerët kryesorë në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri”, citohej të ketë thënë Margariti.

Sipas saj, Ministria e Kulturës vazhdon të mbajë tagrin e monitorimit.

“Miratimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i sigurt për mbrojtjen dhe promovimin e Butrintit, si një nga pasuritë tona më të mëdha kulturore dhe shpirtërore”, kishte thënë ajo.

Në anën tjetër, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, kishte deklaruar se modeli i Butrintit ku e merr në administrim një fondacion privat nuk ekziston në asnjë vend.

Sipas saj, në modelin shqiptar përfaqësuesit në minorancë të shtetit nuk janë në cilësi të tyre shtetërore, por si individë.