Kulturë

“Krahët e punëtorëve” me rrëfime tmerri triumfon në Roterdam

Rrëfimi për punonjësit nga Kosova që kanë pësuar në vendet e tyre të punës është shpërblyer në Roterdam. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në këtë qytet holandez e ka përzgjedhur dokumentarin “Krahët e punëtorëve” të Ilir Hasanajt si një nga tri projektet filmike fituese në kategorinë ku ka marrë pjesë me premierë botërore “Tiger Short Competition”.

Juria në përbërje të shkrimtares, hulumtueses Yasmina Price dhe kuratorit e producentit Jade Wiseman e ka vlerësuar dokumentarin e Hasanajt si një nga tre fituesit e kategorisë ku gjithsej kanë garuar 21 projekte filmike.

“Si një dëshmi e punës së njerëzve të klasës punëtore, e bërë me një ton empatik dhe të butë, ky film portretizon ngjarje tragjike në jetën e individëve, plagët dhe dinjiteti i të cilëve përforcohet bukur nga një stil kinematografik i ndershëm dhe modest”, shkruhet në arsyetimin e jurisë për vlerësimin e publikuar të hënën mbrëma, kur janë ndarë edhe çmimet. Sipas jurisë, eleganca dhe vetëpërmbajtja formale e filmit e bëjnë atë mbresëlënës me cilësi estetike, delikate dhe magjepsëse. Po në këtë kategori, ku filmi i Hasanajt është dhënë premierë botërore në garë, ka qenë edhe “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës. Në “Tiger Short Competition” sivjet kanë fituar edhe dokumentarët “Crazy Lotus” nga Tailanda, nën regji të Naewen Noppakun dhe “Few Can See” nga Irlanda, nën regji të Frank Sweeney. Secili prej tyre do të marrë edhe një shpërblim financiar prej 5 mijë eurosh.

Hasanaj nëpërmjet një deklarate me shkrim për KOHËN pas marrjes së çmimit ka thënë të jetë shumë i lumtur me vlerësimin që ka marrë nga juria.

“Këtë çmim ua kushtoj punëtorëve e punëtoreve në Kosovë. Shumë prej tyre përballen me kushte të rënda të punës, përjetojnë shkelje për çdo ditë pa mbikëqyrje e mbrojtje. Shpresoj që filmi të ndikojë në sjelljen e një ndryshimi për të mirë”, ka thënë ai të hënën vonë. Dokumentari 19-minutësh i montuar nga Enis Saraçi shpalos rrëfimin e tre punonjësve, Fatmirit, Liridonit dhe Milazimit. Historitë e tyre tashmë janë shpalosur në dy terminë në festivalin që ka nisur më 25 janar dhe do të përfundojë më 4 shkurt. Do të jepet edhe një herë më 2 shkurt, termin i cili tashmë është “sold out”.

Duke e punuar njërin prej filmave të tij, “Me dasht’ me dasht’ me dasht’” në vitin 2016, regjisori Hasanaj kishte qenë dëshmitar i një ngjarjeje që ndërlidhet me tematikën e filmit “Krahët e punëtorëve”.

“Kam qenë në ‘Aktash’ dhe kam parë një punëtor më në moshë që është rrëzuar prej një lartësie. E kishte lënduar rëndë kokën dhe nuk mund të bënim asgjë. Trafiku ishte i bllokuar. Në fillim mendova se është problem tek punëtorët, se nuk kujdesen mjaftueshëm, nuk i kanë mjetet e duhura, por pas një kohe të gjatë i jam kthyer në 2021-tën këtij filmi dhe kam dashur ta bëja në një tjetër formë, me një kamerë analoge me shirit e vitit 1972, ashtu diçka. I kemi përdorur 20 rollne për film. Qasja ka qenë që të ndahet pak vizualja me zërin”, kishte treguar regjisori Ilir Hasanaj për KOHËN pak ditë para se të nisë festivali.

Pjesa hulumtuese, sipas tij, ka qenë shumë e vështirë duke marrë parasysh pozitën e pafavorshme për të ndarë rrëfimin e tyre me publikun.

“Ka qenë hulumtimi më i vështirë, pasi punëtorët janë në gjendje jo të favorshme, po flasim për një shtresë që jeton ditë për ditë dhe një aksident i bie që ajo familje nuk mund ta mbajë veten. Ata janë prej fillimit në gjendje shumë të keqe. Është dashur të takonim shumë punëtorë derisa kemi mbërritur t’i mblidhnim. Një qasje tjetër ka qenë interneti, sepse emrat që deshifrohen në internet janë ata që kanë vdekur”, kishte deklaruar Hasanaj në emisionin “Nëpër film”.

Regjisorja Sefa me “Si e verdhë e sëmurë” rikthehet pas dy vjetëve në këtë konkurrencën e festivalit. Gjatë vitit 2021 me “Në kërkim të Venerës” bëri histori duke u bërë projekti i parë nga Kosova që u përfshi në garën zyrtare të Festivalit të njohur të filmit në Roterdam të Holandës. Suksesin e vulosi duke u bërë po ashtu filmi i parë kosovar i shpërblyer në këtë ngjarje, me çmimin special të jurisë në kategorinë “Tiger Competition”.

Në edicionin e 53-të të festivalit në qytetin holandez, Norika Sefa, shpalosi historitë magjepsëse nga video-kasetat e vjetra të tregimeve të familjeve që nuk janë më. Aty e bukura dhe e keqja ndërthuren, duke ndërtuar rrëfime unike.

“Ne vëzhgojmë ritualet e familjeve në VHS të degraduar. Një zë gruaje përsërit: ‘Ajo ishte aq e lumtur sa ata u martuan me të këtu, në këtë shtëpi’. Një re e rëndë lufte shfaqet në distancë të afërt. Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për Kërkimin e Venerës (IFFR 2021) rikthehet në festival me këtë përrallë misterioze dhe magjepsëse për jetët që nuk janë më aty”, shkruhet për filmin 23-minutësh të regjisores Sefa. Që të dyja projektet janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.