Kulturë

Norman Lear – producenti ikonik i serialeve dhe filmave televizivë

Serialet e prodhuara nga Lear trajtonin tema të vështira të racizmit, feminizmit dhe pabarazive shoqërore që askush nuk kishte guxuar ende t'i prekte. Seriali i vitit 1971, “All in the Family”, që fitoi çmimin “Emmy”, fokusohej në një familje të klasës punëtore dhe patriarkun e saj mendjengushtë, nervoz, paragjykues dhe çuditërisht të pëlqyer nga të tjerët, Archie Bunker
 

Producenti i famshëm televiziv, Norman Lear, serialet jashtëzakonisht të suksesshme të të cilit – përfshirë këtu “All in the Family” dhe “The Jeffersons” - ndërthurën komedinë me komente të mprehta sociale, si dhe dominuan për nga shikueshmëria në vitet ‘70, vdiq të martën në shtëpinë e tij në Los Angeles. Ai ishte 101 vjeç. Lajmin e konfirmoi familja e tij përmes një postimi online.

“Norman e jetoi një jetë të bukur, shquhej si person kurioz, këmbëngulës dhe i ndjeshëm. Ai e donte thellësisht vendin tonë dhe e kaloi jetën duke ndihmuar në ruajtjen e idealeve të tij për drejtësi dhe barazi për të gjithë”, tha familja e Learit. “Ai e filloi karrierën në ditët më të hershme të televizionit dhe zbuloi një pasion për të shkruar për jetën reale të amerikanëve, jo një ideal të shkëlqyeshëm. Në fillim, idetë e tij u ndeshën me refuzime dhe keqkuptime. Megjithatë, ai qëndroi pas bindjes se ‘marrëzia e gjendjes njerëzore’ prodhonte projekte të mira televizive dhe përfundimisht vizioni i tij filloi të kuptohej edhe nga të tjerët”.