Kulturë

Muzika e klasikëve shqiptarë me ngjyrat e flamurit për festë e kujtesë

Me flamurin gjigant në prapavijë, skena merr tjetër dimension. E ngjyrat muzikore bashkë me tonet patriotike kanë bërë që publiku, përtej rrugëtimit muzikor nëpërmjet notave, ta prekë edhe historinë (Foto: Arben Llapashtica)
 

Janë vepra të cilat shkruajnë jo vetëm historinë e muzikës. Ato përthekojnë dhe historinë kombëtare, e shpalosja e tyre në Ditën e Flamurit është rrugëtim i shumëfishtë. Njësoj edhe ndjesitë që prekin. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës, bashkë me ansamblin “New Born” dhe Oktetin Vokal të angazhuar nga Opera e Kosovës, janë bërë bashkë për ta shënuar manifestimin qendror të Ditës së Flamurit, njëherësh përvjetorit të 111-të të Pavarësisë së Shqipërisë me “Koncert me klasikët shqiptarë”

Kur në program bëjnë pjesë disa prej atyre që konsiderohen si perlat e muzikës shqipe, dihet se publiku nuk do të mungojë. Atmosfera festive ndihet ende pa nisur koncerti. Karriget e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë janë të pakta përballë entuziazmit të madh për ta ndjekur programin. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës, bashkë me ansamblin “New Born” dhe Oktetin Vokal të angazhuar nga Opera e Kosovës, janë bërë bashkë për të shënuar manifestimin qendror të Ditës së Flamurit, njëherësh përvjetorit të 111-të të Pavarësisë së Shqipërisë. Në manifestime si këto “fshihen” edhe telashet në interpretim. Nuk del fort në pah mungesa e provave të Oktetit kur kumbojnë Orkestra dhe solistja Zana Abazi-Ramadani.

Mbrëmja e së martës e titulluar “Koncert me klasikët shqiptarë” ka nisur me veprën e Rauf Dhomit, “Të falemi o dhe” që vjen si festë, por njëkohësisht edhe një lloj homazhi për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e pavarësinë e shqiptarëve. Me flamurin gjigant në prapavijë skena merr tjetër dimension. E ngjyrat muzikore bashkë me tonet patriotike kanë bërë që publiku, përtej rrugëtimit muzikor nëpërmjet notave, të prekë edhe historinë.